Intervistë me kryetarin e Kosovës, Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi, i burgosur politik në vitet 80 të shekullit të kaluar, veprimtar i ilegeles patriotike, zëdhënës i SHP të UÇK-së gjatë luftës, sekretar i Përgjithshëm i PDK-së, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar aktual i vendit, flet në një intervistë  për Radion Kosova e lirë lidhur me fushatën e Serbisë dhe të Dik Martit kundër Kosovës

RKL: Z. Krasniqi, dihet se fushata e raportuesit të Evropës Dik Marti e përkrahur fuqishëm nga Beogradi dhe Moska ka për qëllim përbaltjën jo vetëm të ushtrisë Qlirimtare të Kosovës por edhe të gjithë shqipëtarëve liridashës. Pse sipas jush u zgjodh pikërisht ky moment për ta aktivizuar këtë ta quajmë “bombë të kurdisur”

Jakup Krasniqi: Ndoshta realisht duhet shikuar Shqipëria pak më larg  nga kjo  që thuhet në raportin e  reporterit të luftës së Këshillit të Europës, nuk është diçka e re është diçka që është folur e përfolur gjatë gjithë këtyre viteve. Pastaj ka qenë një hulumtim i prokurorëve dhe prokurorisë së Tribunalit të Hagës dhe në fund është detyruar të heq dorë në mungesë të fakteve, ngase është e vërtetë se nuk ka pasur dhe  s’ka mundësi të ketë fakte për diçka që nuk ka ndodhur, nuk ka pasur mundesi dhe asnjë formë që ta kryejnë pjestarët e UÇK-së, për shkak rrethanave, që kanë ekzistuar në Kosovë, për shkak lëvizjës së kufizuar që kanë pasur pjestarët e UÇK-së. Luftëtarët tanë që janë plagosur shpesh herë edhe kanë vdekur në mungesë të mjetëve edhe më të thjeshta. Kur kihet parasysh kjo të jep të kuptosh se kemi të bëjë me një ripërsëritje ose më një riciklim të diçkaje që drejtësia ndërkombëtare ka heq dorë.

Andaj shtrohet pyetja pse ndodh kjo?

Po të shikohet historia, del se vetë raportuesi ka qenë kundërshtar i bombardimeve të NATO-s, i caqeve dhe objektivave serbe në Jugosllavi, ka qenë kundërshtar i fortë i shpalljës së Pavarësisë së Kosovës, çka do të thotë se po të shikohet realisht  duke qenë raportues i Këshillit të Evropes ai është në konflikt interesi me të gjitha zhvillimet politike, që janë zhvilluar në Kosovë, pastaj edhe vete lëvizjet e tij të fundit pas publikimit të raportit shkon në Moskë për të marrë mbështetje, shkon në Beograd për t’u falenderuar apo për çështje që ne vetëm mund t’i mendojmë por nuk na bie që t’i themi, por sigurisht që këtu ka çështje tjera të pista që nuk do t’i shkonte një raporuesi të një Asambleje Parlamentare të Këshillit të Evropës. Vepra e tij sikur është drejtuar jo vetëm kundër Kosovës por edhe kundër demokracisë në Evropë, kundër NATO-s, BE-së, SHBA-së, të cilat e kanë mbështetur Kosovën në për të gjitha proceset, e kanë mbështëtur luftën çlirimtare, e kanë mbështetur në formimin e te gjitha institucioneve demokratike të shtetit, në shpalljen e Pavarësisë dhe natyrisht se janë duke e mbështetur edhe në përpjekjet e Kosovës për të dalur nga prapambeturia të cilën e kanë sjellur regjimet e Beogradit, që në një formë apo tjetër e mbështet raportuesi i Këshillit të Europës.

RKL: Si e komentoni Qëndrimin e Tiranës Zyrtare për t’i mundësuar EULEXI-it, dhe Trbunalit të Hagës, hetimet për sikur thuhet, krimet e UÇK-së, kur dihet se Shqipëria si shtet sovran nuk ka kurrëfarë obligimi ndaj Hagës, as EULEX-it, dhe kur dihet se Dik Marti dhe eskorta e tij ka hulumtuar në Shqipëri, pa marrë leje nga Tirana zyrtare?

Jakup Krasniqi: Po kjo është çështje e Shqipërisë, është një gjë e saktë që Shqipëria, po të kishte respsektuar normat ndërkombëtare ka pasur të drejtë që ata të cilët kanë hetuar në territorin e Shqipërisë pa njohurinë e tyre, ti padis  në Gjykatën Ndërkombëtare, padi  padi kundër cenimit të territorit të Republikës së Shqipërisë. Megjithatë unë këtë dëshiroj ta shof në një kënd tjetër. Shqipëria don t’i tregoj edhe Këshillit të Europës edhe raportuesit dhe të gjithë kundërshtarëve të Pavarsisë së Kosovës dhe të gjithë atyre që kanë qëndrim racist ndaj shqipëtarëve në përgjithësi, që nëse kanë fakte, të vijnë të verifikojnë. Unë jam i bindur që diçka e tillë as ka mundur të ndodh as në Kosovë e as në Shqipëri, andaj këtë e shohim si një përpjekje për t’i treguar botës demokratike dhe Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, se edhe pse Shqipërinë nuk e obligon asnjë fakt për t’i thirrur ata të bëjnë hetime në Shqipëri, ata i kanë  dyert e hapura. Ndoshta ky veprim në perspektivë është idrejtë. Të njejtën gjë e kemi bërë edhe ne, nëse kanë fakte le t’i ofrojnë faktet, por kështu siç ka bërë ky raporues edhe pse thuhet se është njeri me ndikim dhe me autoritet në Këshillin e Europës, konsideroj se ka kryer një vepër që, edhe pse ai mendon se a ka imunitetin, sikur të ishte njeriu që dëshiron, që me të vërtetë ta zbulojë të vërtetën ai do të duhej ta hiqte imunitetin dhe të kërkonte, që drejtësia të hetojë edhe në qëllimet e tij, që sigurisht janë të pista. Pra kemi të bëjmë me një njeri jo serioz, sepse po të ishte serioz, edhe nje herë po e them, nuk do të fshihej prapa imunitetit që e ka, por do të tregonte gatishmërinë për tu zhveshur nga ai imunitet dhe do t’i përgjigjej drejtësisë, por ai nuk e bënë këtë për faktin se ai e din se ka bërë një raport fyes, shpifës, denigrues, për të gjithë shqiptarët në përgjithësi.

RKL: Nëse “Shtëpia e verdhë” është projeksion i Shërbimit sekret të Beogradit, atëherë a mund të pritet të jetë sajuar edhe ndonjë krijesë e instruktuar, apo disa syresh, për këtë qëllim, sikur për shembull, rasti i Nazim Bllacës?

 

Jakup Krasniqi: Rastet dhe mundësitë e tilla për të krijuar në një vend që posa ka dalur nga një konflikt, në një vend, që ende ka probleme me varfëri, në një vend, që njerëzit i kanë shërbyer fshehur asaj politike, e cila gjithnjë ka me bërë shantazh në njerëzit, që dikur kanë qenë në shërbim të tyre, për të instruktuar vepra të ngjashme. Don të thot kjo nuk përjashtohet pasi aktiviteti i shërbimëve të huaja, jo vetëm atij serb por edhe te atyre që kanë afërsi me ta  gjithnjë do të tentojnë të godasin vlerat e krijuara të shqipëtarëve, t’i godasin njerëzit që kanë qenë kundërshtarët më të mëdhenj të Serbisë, gjithnjë duke dëmtuar dhe duke prishur imazhin e shqipëtarëve por edhe imazhin e luftës së UÇK-së.

RKL: Para disa muajve Policia e Kosovës arrestoi katër  qytetarë serbë, të cilët po bënin përpjekje të paguanin shuma parash, për të identifikuar njerëz, të cilët dëshmonin rrejshëm lidhur me krimet e UÇK-së. Edhe pse të arrrestuarit pranuan veprën, EULEX-i, i la të lirë, gjoja në mnugesë të provave. A kanë reaguar institucionet e Kosovës lidhur me këtë veprim dhe kush është dashur të reagojë?

 

Jakup Krasniqi: Realisht në demokraci pushtetet janë të ndara. Nëse këtu është dashur të reagojë atëherë është dashur të reagoj distemi i drejtesësisë, Prouroria dhe Gjygjësia, por nje gje dihet se Sistemi i Drejtesësisë, Prouroria dhe Gjygjësia në përgjithësi në Kosovë ështe duke u reformuar dhe gjatë gjithë këtyre viteve Sistemi i drejtësisë fillimisht ka qenë nën përgjegjësitë e OKB-së,  aktualisht është në kompetenca mjaft të mëdha nga EULEX-i, dhe realisht përgjegjësia për këtë duhët kërkuar në këto institucione. Kurse institucionet politike, për shkak të ndarjes së pushteteve  nuk kanë pasur mundësi të kenë ndikim më të madh në këtë drejtim, por sado kudo  institucionëve të Kosovës u janë hapur mundësitë që të kërkojnë llogari nga veprimet e pa përgjegjëshme të pakujdesëshme, e ndoshta me ndonjë rast edhe me qëllim qoftë të  EULEX-it, qoftë dikujt tjetër.

RKL: A mendoni se Qeveria e Beogradit me këtë fushatë ka arritur ta dëmtojë Kosovën, pikërisht në kohën kur pritet të fillojnë bisedimet me Beogradin, për të cilat thuhet se do të jenë teknike, por realisht do të jenë bisedime edhe për pjesën  e veriut të vendit, që mbahet nën kontrollin e Beogradit zyrtar?

 

Jakup Krasniqi: Ne e dijmë që në pjesën e dytë të këtij viti Kosova ka pasur  një sukses në raport me politikën ndërkombëtare, siç ka qenë opinioni pozitiv i GJND-së, dhe rezoluta e Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së, dhe ndoshta këtë për shkak të kapaciteteve të kufizuara që ka shteti i Kosovës, qoftë me raportet e mbrendëshme, qoftë me diplomacinë e Jashtme, ndoshta nuk kemi mundur ta shfrytëzojmë si duhet. Pastaj dihet se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jenë të lehta, nuk do të jenë të shkurtëra, mund të dihet se kur fillojnë por është vështirë të përcaktohet përfundimi. Megjithatë këtë duhet ta shohim edhe si një përpjekje për ta dëmtuar palën shqipëtare në këto bisedime, se ndryshe është kur përballësh me një personalitet, që nuk ka hipoteka ndryshe është kur përballesh me një personalitet apo grup që kanë hipoteka. Por megjithatë pala shqiptare nuk ka përse të ngutet në këtë process, pala shqiptare duhet të pres konstituimin e institucioneve e tek pastaj të konsultohen, të marrin vendimin se si dhe  për çfarë do të bisedohet me  Beogradin. Unë mendoj se ky raport ka shtyrë mundësinë e bisedimeve mes Kosovës dhe Sërbisë.

RKL: Dihet se ka presion nga  faktorit ndërkombëtar për ta detyruar palën  e Kosvës me qellim për të biseduar me Beogradin. A mendoni se bisedimet në këto kushte të kësaj fushate, kundër popullit tonë, nuk janë përçmim dhe denigrim i identitetit të kreut politik të Kosovës, por edhe të kombit shqipëtar?

 

Jakup Krasniqi: Po realisht ne po flasim për një vlerë që ka krijuar populli shqiptarë siç është Lufta e UÇK-së, por edhe idealet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, për dinjitet. Sigurisht që përpjekja është për t’i cenuar këto vlera, që i kemi krijuar, por edhe një herë po them edhe vlerat që i ka krijuar komuniteti ndërkommbëtar duke ndërhyrë në Kosovë për shkak të vlerave edhe paqësore edhe humanitare, por edhe liridashëse të një kombi, kështu që ne këtë duhët ta shohim si një përpjekje të forcave konzervative me orientim ndoshta nga sistemi i kaluar, të cila nuk e kanë dënuar sistemin dhe regjimin e Serbisë, ose e konsiderojnë të majftueshm atë dënim, ose u duket se pala shqiptare ka fituar shumë dhe prandaj duhet goditur edhe pala që për gati 100 vite ka qenë viktimë e politikave tradicionale serbe. Në këtë rast mendoj se duhet ta shohim kështu, jo vetëm kundër shqipëtarve. Në një kohë u duk se kjo politikë është shumë agresive dhe shumë ndikuese, por konsideroj se me paraqitjen e diplomatit amerikan Vizner dhe paraqitjen e diplomatit austriak Petriq, por edhe me paraqitjet tjera nga vendet e demokracisë perendimore konsideroj që tani është duke rënë imazhi i vet personalitetit që e ka ngritur këtë pluhur. Mendoj se vajtja, në Moskë dhe në Beograd  do ta ketë ndikimin e duhet për demokracinë perendimore, e cila po e sheh kah cila anë  është i orientuar reporteri i Këshillit të Evropës, Dik Marti.

 

RKL: Një pyetje për fund. Pse nuk kushtëzohen bisedimet e Beogradit me njohjën paraprake të Pavarsisë se Kosovës, dhe a ka guxim Prishtina zyrtare ta marrë një vendim të tillë?

 

Jakup Krasniqi: Mendoj se nuk është qështje e guximit dhe sa herë që shtrohen në këtë rafsh këto çështje janë gabim, por gjithmonë duhet të shohim ku është përgjëgjësia dhe ku synojmë. Ne të gjithë në Kosovë dhe në rajonin tonë synojmë integrimet në Be, në NATO. Realisht për të qenë pjesë e mundshme e realizimit të vizave, pastaj integrimet në institucionet e BE-së, natyrisht kjo sa e obligon Serbinë e obligon edhe Kosovën. Por nëse ne e marrim një obligim, që  kurrë nuk e kemi gatishmërinë për te biseduar  me palën e Beogradit atëherë mund të themi, që nuk kemi pse t’i frikësohemi bisedimeve. Çështja është se si dhe çka do të bisedohet, si do t’i mbrojë pala e Kosovës të drejtat e veta. Unë konsideroj që në asnjë mënyrë të mos jemi kundër bisedimeve, se në fakt nuk kemi qenë asnjëherë,  por natyrisht ne jemi të vendosur që të bisedojmë për çështje me interest të përbashkët si: për ngritjën e kualitetit të jetës të qytetarit serb në Kosovë, siç edhe për ngritja e kualitetit të shqipëtarit në Serbi, pastaj çështjen e liberalizimit të udhëtimit në drejtim të Serbisë, heqjen e barrierave të qarkullimit të njerëve dhe mallrave në drejtim të Evropës nëpër territorin e Serbisë etj. Kemi shumë çka të bisedojmë, qoftë edhe për problemet e grabitjëve financiare, qofshin ato  dokumente kadastarle, pastaj duhet biseduar lidhur me të zhdukurit dhe të pagjeturit. Për të gjtha këto janë çështje që ashtu kështu pala e Kosovës do të bisedojë me Serbinë. E rëndësishme është që pala e Kosovës ta dijë se pse dhe çka duhet të bisedojë dhe konsideroj që çështja e hapësirës dhe territorit të Kosovës është e paprekëshme. Në fund të fundit ne nuk kemi arsye as të hezitojmë e as të shpejtojmë për shpejtimin e kètyre bisedimeve.

RKL: Faleminderit për kohën që ndatë me ne, suksese në punën Tuaj të mëtëjme.

Jakup Krasniqi: Faleminderit nga ju dhe urimet më të mira për vitin 2011.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …