Intervistë me kryetarin e komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi

RKL: Cilat janë resurset natyrore të Kaçanikut dhe sa janë hulumtuar  deri më sot?

Ilazi: Duke e ditur se komuna e Kaçanikut ka një reliev kodrinor malor, ka një pjesë të mineraleve si kromi e plumbi. Ne kemi disa kërkesa nga kompanitë për hulumtimin dhe eksploatimin e tyre, dhe së shpejti do të japim pëlqimet për eksploatim, ngase me këtë në një mënyrë krijohen vende të punës dhe lehtësohet jeta e qytetarëve. Duke e ditur relievin tonë, ne do të përqëndrohemi në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

RKL: Komuna e Kaçaniku shquhet për turizmin e tij veror dhe dimëror. Sa është kontribuar për një mjedis të volitshëm?

Ilazi: Po është e vërtetë se komuna e Kaçanikut shquhet për turizëm, por në këtë drejtim është bërë shumë pak. Vitin e kaluar kemi miratuar planin urbanistik dhe kemi futur edhe siç quhen “ Livadhet e Strazhes”, një zonë turistike mjaft tërheqëse. Shpresojmë që përmes partneritetit publiko-privat të vijmë deri te investimet në këtë drejtim, e që do te jetë një ndër prioritetet tona. Pjesa tjetër që duhet të punohet është edhe Luboteni. Mendojmë që futja e kësaj pjese në Parkun Nacional do të jetë një prioritet i yni por edhe i Qeverisë, ngase me ketë do të zhvillohet turizmi veror dhe ai dimëror.

RKL: Cilat projekte kapitale do të jenë më me prioritet për vitin 2014?

Ilazi: Komuna e Kaçanikut është një komunë e vogël dhe me një buxhet simbolik, një buxhet mbijetese, por shpresojmë që me ndihmën e ministrive dhe të Qeverisë do të arrijmë që disa projekte prioritare që janë për komunën tonë t’i përfundojmë së bashku. Projekt kapital për komunën e Kaçanikut është infrastruktura, ujësjellësi, kanalizimi dhe rrugët. Duke qenë se problem kyç e kemi ujësjellësin cili është që nga vitet e 60-ta e që është me gypa të azbestit që janë material kancerogjen, Komuna jonë ka marrë një vendim në vitin 2009 për shkëputje nga Ujësjellësi i Ferizajt dhe që nga ai moment nuk kemi përfituar asnjë donacion as nga Qeveria por as nga donacionet e jashtme. Komuna e Kaçanikut ka burime të mjaftueshme të ujit por vetëm duhet bashkërisht të investojmë dhe t’i realizojmë projektet që janë të nevojshme.

RKL: Sa është arritur që nga paslufta të përmirësohet gjendja infrastrukture dhe rrjeti i kanalizimeve?

Ilazi: Komuna e Kaçanikut që nga pas lufta ka vetëm tre fshatra me Ujësjellës të rregulluar : fshati Begracë, Kaçanik i Vjetër dhe Stagovë. Fshatarët me vetë kontributet e tyre janë munduar në forma të ndryshme për rregullimin e ujësjellësit nëpër lagje. Qyteti siç e cekëm, është me një ujësjellës te viteve të 60- ta. Në përqindje del diku rreth 40% e rregullimit të kanalizimeve. Me ardhjen time në qeverisje, përkrahja nga Qeveria është rritur. Terreni kodrinoro-malor bënë që shpenzimet e rrugës të jenë dyfish më të mëdha.  Këtë vit në bashkëpunim me Qeverinë, kemi dy rrugë që kanë një kosto mjaft të lartë e që kalojnë shifrën rreth 2 milion euro. Është rruga Gajre Ivajë, Shtarzë dhe rruga e Dubravës do të përfundohen deri në këtë fund vit. Pastaj këto ditë do të filloj ndërtimi i sallës sportive,  ndërsa Qendra e Mjekësisë Familjare është një ndër prioritetet. Atë do ta ndërtojmë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Caritasi-n dhe vlera e saj është rreth 1 milion e 300 mije euro.

 RKL: Dihet se komuna e Kaçanikut ka një numër të konsiderueshëm të familjeve të Dëshmorëve. Sa është bërë nga komuna për t’u dalë në ndihmë?

Ilazi: Po, komuna e Kaçanikut ka një numër të madh të familjeve të Dëshmorëve dhe Veteranëve. Ne si komunë gjithmonë u kemi dhënë dhe do t’u japim prioritet. Unë jam vetë nga një familje e dëshmorit dhe e ndiej shumë gjendjen e tyre. Mendoj se Qeveria e Kosovës me ndarjen e pagës mujore sado pak do ta zbus gjendjen sociale të këtyre familjeve.

 RKL: Cilat janë sfidat që keni hasur që në fillim të marrjes së mandatit tuaj?

Ilazi: Meqenëse jemi në fillim të mandatit qeverisës, na presin sfida mjaft të mëdha, duke e ditur se komuna e Kaçanikut është  një komunë e vogël dhe me një industri mjaft të dobët e që privatizimi i pasluftës veç e ka dëmtuar edhe më shumë. Për ne prioritet do të jetë hapja e bizneseve të vogla dhe të mesme, për të cilën mendojmë se do të jetë mundësia më e mirë për hapjen e disa vendeve të punës.

24 prill 2014

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …