leoni

Intervistë me kryetarin e komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi

RKL:  z. kryetar, cilat janë problemet me të cilat po përballeni prej se filluar këtë mandat qeverisës?

Vehapi: Si çdo fillim edhe këtu në komunën e Rahovecit, unë si kryetar komune në momentin e parë që kam ardhur jam preokupuar me emërimin e drejtorëve. Pas caktimit të tyre, ka filluar një skanim i gjendjes të cilën e kemi trashëguar nga udhëheqja e kaluar dhe tanimë veç i kemi të gjitha të dhënat  dhe jemi të njohur me gjendjen në komunë. Probleme ka të natyrave të ndryshme por më të rëndat janë ato financiare, siç është trashëgimi i borxheve që nga viti 2010 e këtej.

 RKL: A është marrë vendimi për formimin e këshillit për fshatin  Hoçë e Madhe?

Vehapi: Jo, vendimi ende nuk është marrë për një gjë të tillë. Siç e dini formimi i këtij këshilli është i paraparë në bazë të këshillit që është miratuar në Kuvendin e Kosovës, kurse tani pritet një udhëzim administrativ i cili e rregullon këtë çështje. Ndërkaq këtë vendim duhet ta finalizoj MMPH, e me këtë udhëzim administrativ do të parashihet në detaje mënyra e themelimit dhe kompetencat që do t’i ketë këshilli. Në momentin kur do ta kemi udhëzimin administrativ, ne do të lëvizim në drejtim të themelimit të këshillit.

 RKL: Në një takim me ju ambasadori britanik, Ian Cliff ka thënë se janë të interesuar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore serbe në Hoçë të Madhe. Cili është kuptimi i kësaj deklarate meqë opinioni është i interesuar të dijë mbi këtë çështje?

Vehapi: Në të gjitha vendbanimet e komunës së Rahovecit ka monumente të trashëgimisë kulturore të komuniteteve të ndryshme fetare, fjala është për ndërtesat e vjetra të kishave në Hoçë e Madhe. Atje janë bërë disa ndryshime në të kaluarën nga donatorë të jashtëm. Meqë ajo është një trashëgimi që i takon Kosovës dhe është menduar që ne kemi obligim ta ruajmë atë trashëgimi dhe pjesë të tjera monumentale si kullat e vjetra etj.

RKL: Në këtë vit, cilat projekte kapitale do t’i trajtoni më me  prioritet?

Vehapi: Siç jeni të informuar buxheti i vitit 2014 në të vërtetë është buxhet i vitit 2013, për arsye se buxheti për vitin 2014 nuk është miratuar nga legjislatura e kaluar, ngase nuk ka pasur transparencë të shpenzimeve të parasë publike dhe orientimeve të projekteve në Komunën e Rahovecit. Ne shumë projekte i kemi gjetur në vazhdim, është incizuar gjendja aty ku janë kushtet për tu vazhduar projektet. Ato projekte po vazhdohen dhe po punohet vazhdimisht në terren. Projektet e parapara këtë vit e që janë kapitale  janë: shkolla fillore në fshatin Opterushë, planifikohet të ndërtohet një ambulantë në qytetin e Rahovecit, pastaj një Shtëpi Kulture në fshatin Xërxë, një rrugë për në fshatin malor Kaznik etj. Besoj se këtë vit do të përfundohet projekti për ujin e pijes për pesë fshatra të Rahovecit që përfshijnë fshatrat Qifllak, Kramovik, Polluzhë, Guri i Kuq dhe Dobidol, dhe do të punohet në bashkëpunim me kompaninë ‘Radoniqi’. Ky projekt fatkeqësisht ka zgjatur shumë por këtë vit do ta përmbyllim. Në këtë vit BE do të financoj një projekt në Krushë të Madhe, i cili i dedikohet kooperativës së grave në këtë fshat. Bëhet fjalë për një biznes që merret me konservimin e prodhimeve të ndryshme ushqimore që vijnë nga bujqësia dhe pjesa tjetër e projektit është një Agro-zonë, e cila parashihet të ndërtohet mes komunës së Rahovecit dhe asaj të Therandës. Ka edhe projekte tjera që janë duke u punuar e disa prej tyre janë donacione të organizatave të jashtme. Me një fjalë janë projekte të infrastrukturës, që kanë të bëjë me rrugë, kanalizime e ujësjellës. Ne planifikojmë që brenda këtij mandati të rregullojmë çështjen e ujit të pijes në komunën e Rahovecit dhe të gjitha fshatrave për rreth. Në programin tonë është zgjerimi i sistemit të ujitjes që ka të bëjë me komunën e Rahovecit, por për shkak të kostos së lartë projektet i kemi dërguar në MBPZHR dhe presim përgjigje nga ta  ngase janë projekte të veçanta. Duke pasur parasysh profilin e komunës së Rahovecit që është një komunë bujqësore, sistemi i ujitjes është një prej faktorëve kyç për zhvillimin e bujqësisë.

RKL: A ka komuna e Rahovecit potencial për një zhvillim ekonomik më të avancuar?

Vehapi: Po, komuna jonë ka potencial për një zhvillim ekonomik. Siç e dini është një komunë më shumë bujqësore. Komuna e Rahovecit ka rreth dy mijë e tetëqind hektarë me vreshta, pastaj kapacitete të prodhimit të perimeve të ndryshme, ka industrinë e përpunimit të rrushit, pra verës e rakisë, por ka edhe disa fabrika që merren me përpunimin e masave plastike. Pra është një komunë e konsoliduar sa i përket ekonomisë me premisa të zhvillimit dhe të avancimit të mëtejmë. Besoj se komuna jonë në të ardhmen do të jetë model i zhvillimit ekonomik.

RKL: A mendoni se ka ende çka të bëhet në  komunën  e Rahovecit për kategoritë e dala nga lufta?

Vehapi: Ne do të bëjmë një ndërtesë kolektive për të gjitha familjet që kanë nevojë për strehim, por komuna jonë ka nevojë për donatorë ngase buxheti nuk e përballon një kosto të tillë. Në asnjë mënyrë nuk do të harrojmë këtë kategori të ndritur të kombit. Tani edhe Qeveria ka marrë një vendim për këto kategori, e dimë se nuk janë të mjaftueshme shumat e tilla por megjithatë do të ndikoj në zbutjen e nevojave ditore.

18 prill 2014

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …