Isa Adem Olluri (12.12.1975 – 14.12.1998)

Isa Adem Olluri (12.2.1979 – 14.12.1998)

Fshati Krojmir i Drenicës jugore, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë dëshmorët: Isa Olluri, Halil Metaj, Qamil Olluri dhe Enver Olluri, martirët: Afërditë Qeriqi dhe Musë Bungu. Gjatë kohës së luftës Krojmiri ka qenë njëra ndër qendrat më të forta të mobilizimit dhe strehimit të popullatës së zhvendosur në këtë pjesë të Drenicës. Në grykën e këtij fshati kanë mbijetuar rreth 30 mijë banorë nga fshatra dhe lokalitete të Drenicës dhe të mbarë Kosovës. Organizimi i UÇK-së në këtë fshat ka filluar në kohën e aktiviteteve luftarake të legjendarit Adem Jashari kundër forcave policore dhe ushtarake serbe.
Isai ishte i biri i Adem Ollurit. Shkollën e fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Shalë, ish-Sedllar.
Edhe pse i ri, me rastin e zgjerimit të UÇK-së në këto anë, Isa Olluri shfaq interesim të rreshtohet në mesin e luftëtarëve të lirisë. Dhuna që kishin ushtruar policët serbë në fshat kishte mbushur mllef dhe kishte zemëruar tejmase të rinjtë, të cilët mezi prisnin të armatoseshin dhe t’u dilnin në ballë forcave masakruese okupatore.
Isai së bashkue me Enver Ollurin, Qamil Ollurin dhe shumë të tjerë ishin lajmëruar vullnetarë, me qëllim që ta ndihmonin luftën dhe sapo të vinte radha të shkonin në Shqipëri për armatim.
Fillimisht Isai punon në hapjen e transheve dhe istikameve. Ishte kurdoherë në mesin e luftëtarëve dhe priste radhën kur do të nisej për në Shqipëri. Ofensiva e verës së vitit 1998, bërë që shumë luftëtarë të aktivizoheshin në ndihmë për popullatën civile e cila po tërhiqej në thellësisë e grykave të maleve, ku mbrohej nga luftëtarët e lirisë.
Në fillim të nëntorit të vitit 1998, Isa Adem Olluri së bashku me dhjetëra luftëtarë të kësaj ane nisen për në Shqipëri me qëllim për të marrë armatim dhe municion. Nga radhët e Batalionit “Ruzhdi Salihu” të Brigadës 121, Ismet Jashari – Kumanova, më 3 nëntor, nga Krojmiri ishin nisur për në Shqipëri: Isa Olluri, Bashkim Krasniqi, Ramadan Elshani, Qamil Olluri, Enver Olluri, Arben Hysenaj, Mentori Ibriqi, Xhelë Xheladini, Naser Kelmendi, Enver Krasniqi e të tjerë.
Në Shqipëri kishin depërtuar kohë më parë për armatim edhe Mujë Krasniqi, Rifat Mëziu, Beqir Gashi, Gani Elshani dhe shumë luftëtarë të UÇK-së sidomos nga Drenica.
Dimri shumë i ashpër dhe kushtet tejet të pavolitshme atmosferike kishin penguar kthimin në Kosovës të luftëtarëve të lirisë. Ata për një kohë kishin qëndruar në bazat e UÇK-së afër kufirit. Pasi që bora mbi Pashtrik vende-vende arrinte deri në dy metra, eprorët nuk kishin lejuar kthimin e grupit, derisa nuk krijoheshin kushte më të volitshme atmosferike dhe kushte të tjera të sigurisë.
Vendimin për hyrjen luftëtarëve në Kosovës e mori komandant Mujë Krasniqi. Për këtë qëllim ai më 13 dhjetor, ai kishte mbajtur një fjalim para luftëtarëve dhe kishte kërkuar që të mos niseshin në rrugë, ata që nuk ndiheshin mirë, ose që ishin sëmurë, ose të tjerë që nuk mund ta përballonin rrugën për shkak të kushteve tejet të pavolitshme atmosferike. Luftëtarët e lirisë, të gatshëm për të luftuar me armikun kudo ku do të ndesheshin, vendosin që në orët e hershme të 14 dhjetorit të kalojnë kufirin në majen e Gorozhupit. Në ballë të kolonës ishin: Mujë Krasniqi, Beqir Gashi, Rifat Mëziu, Gani Elshani, Luljetë Shala, e të tjerë. Në mesin e luftëtarëve ndodheshin edhe pjesëtarët e Batalionit “Ruzhdi Salihu” ku bënte pjesë edhe Isa Olluri.
Mëngjesi i 14 dhjetorit ishte me acar. Rruga ishte tepër e rrezikshme, meqë duhej depërtuar deri në 1600 metra lartësi mbidetare, por trimat dhe trimëreshat e lirisë ishin mobilizuar rreth motos “kthim prapa nuk ka”.
Forcat serbe, gjatë tërë natës kishin përcjellë dhe kishin vëzhguar me kujdes lëvizjet e luftëtarëve të UÇK-së. Ata kishin zënë të gjitha pritat e supozuara nga ku do të futeshin luftëtarët e UÇK-së. Sapo vërtetojnë se formacioni ishte futur në rreth, fillojë sulmin mu në mes të kolonës, me qëllim për të krijuar panik dhe huti. Sulmi i rrufeshëm nga të gjitha llojet e armatimit, kishte goditur pandërprerë me breshëri mitralozash të rëndë dhe me minahedhës kalibrash të ndryshëm.
Shumë ushtarë të UÇK-së kishin rezistuar trimërisht, derisa kishin shpenzuar tërë municionin. Luftimet nuk ishin ndërprerë për disa orë. Disa nga luftëtarët kishin rënë, disa të tjerë ishin plagosur, disa kishin filluar të ngrinin nga acari dhe nuk lëviznin dot nëpër dëborë. Dhjetëra prej tyre ranë trimërisht.
Atë ditë kanë rënë në altarin e atdheut tre dëshmorë nga fshati Krojmir: Isë Adem Olluri, Enver Zymer Olluri dhe Qamil Hysni Olluri.
Kufomat e tyre ishin tërhequr nga Morgu i Prizrenit dhe më 22 dhjetor 1998, së bashku me të rënët e tjerë, janë varrosur me nderime ushtarake, në Kompleksin e Varrezave, në fshatin Polac të Drenicës, ku eshtrat e tyre pushojnë në amshim.
Familja e dëshmorit Isë Adem Olluri ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme dhe nga shoqata e organizata të tjera të dala nga lufta. Pllaka për dëshmorët Isa Olluri, Halil Metaj, Enver Olluri dhe Qamil Olluri është ngritur te shkolla e fshatit. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …