Brickos

Isa Ferizaj: Musli Ramë Metaliaj, burri që eci vetëm në rrugën e lavdisë dhe që fali shumë fisnikëri

Me hidhërim të thellë mora lajmin e trishtueshëm të ndarjes nga jeta të njërit prej njerëzve më të çmuar të Malësisë së Gjakovës, njërit prej burrave peshërëndë vlerash njerëzore; malësorit burrëror, trim, atdhetar, i vendosur, besnik i idealit më të pastër njerëzor, atij atdhetar-kombëtar, ish- kuadrit që ia kushtoi tërë jetën mendjen dhe energjitë e veta atdheut dhe popullit, forcimit dhe mirëqënies së tyre; burrit që me pastërtinë e vlerave të tij moralo-njerëzore ishte kthyer në njeriun model i mirësisë; qytetarin “Nderi i Bashkisë Bajram Curri”; veteranin zemërzjarrtë, të papërkulur e të papërtuar, në mbrojtjen e në propagandimin e vlerave të çmuara kombëtare, historike, kulturore, shoqërore e qytetëruese, shokut tim trim e, bashkëluftëtarit të paepur, në kohërat më të errëta që kaloi e po kalon Tropoja e Shqipëria pas vitit 1990, të paharruarit, Musli Ramë Metaliaj. Ky burrë i lartë e i  rrallë i Tropojës, bir i Dragobisë historike, ishte dhe mbetet një shembull frymëzimi për brezat në vijimësi, si një gurë i çmuar në mozaikun e vlerave njerëzore të shqiptarisë, anë e mbanë ku jetojnë shqiptarë.

 

Me shokun tim të vjetër, Musli Ramë Metaliaj, u njoha më mirë e tamam, siç i thonë fjalës, në kohë e ditë të vështira të viteve të nëntëdhjeta, kur fashizmi pd-ist, por edhe nga ai “majtist” borgjez, të frymëzuar nga lidershipet përkatëse në krye të “partive” të tyre, mbillnin terror e vdekje në Tropojë e kudo tjetër, por aty, si askund tjetër.

Tek ky njeri me shpirt fisnik, simbol rezistence e vlerash njerëzore, tek ky malësor, burrë besnik e atdhetar, gjeta e njoha burrin e vërtetë tropojan, idealistin me shpirt të madh sa mali i Kollatës së Tij, me një zemër të mbushur me mirësi, bardhësi, pastërti, por edhe me zjarr e prush revolucionar, gjeta dhe njoha besnikun e madh të idealit me njerëzor që njeh njerëzimi, atij komunist, dhe besë-pastrin e mbajtësin e betimit të bërë vetëm një herë, atij betimi që e pati bërë tek Rrasa e Skavices me 15 korrik 1946, i ndodhur aty si vullnetar aksionist, në ndërtimin e “Rrugës së Dritës” kur u pranua në radhët e legjendares PKSH-PPSH, të themeluar e udhëhequr nga Kryelegjendari Enver Hoxha.

Te ky burrë Dragobie, Tropoje e shqiptarie, gjeta e pava vlerat e virtytet më të mira të tropojanit atdhetar e besnik, por edhe të shqiptarit të vërtetë.  Ai ishte dhe mbeti si shembulli më i pastër që tregon se si burri ‘lidhet’ për fjale e, jo për ‘brirësh’.

Musli Rama është shpallur me plot të drejë nga Këshilli Bashkiak e Bashkia e Bajram Currit, “Nderi i Bashkisë së Bajram Currit”, por i tillë është e do të mbetet edhe për mbarë shqiptarinë. Jeta dhe veprimtaria, qëndrimi dhe bindja e tij politike patën skalitur tek ky burrë shtatlartë si malet e vendlindjes së tij, mendjekthjellët si uji kristal i Valbonës, zanë e Alpeve tona sharmante e, zemërbardhë si bora që s’shkrin kurrë në kreshtëmalet që viganshëm thepohen drejt qiellit, portretin e spikatur të malësorit e burrit tropojan që matet me malet; që ndeshet me rrufetë dhe i shuan ato; që në rrugën e gjatë të jetës së tij, veç Diellin shëmbëlleu me jetën e, dritëmendjen e tij.

Unë pata fatin e madh që e njoha këtë burrë fisnik dhe që mësova shumë prej urtësisë e vlerave të tij të larta morale e njerëzore. Shoqëria ime me këtë burrë vigan, jo vetëm nga shtati, por edhe nga qëndrestaria e tij, buroi nga vetmohimi në mbrojtje të vlerave e të idealit më fisnik të shpirtit njerëzor, atij komunist, ideal që na lidhi e na kaliti për të ecur vetëm në rrugën e lavdisë, pa ikur nga llogorja e, pa ndërruar fytyrë e ‘ngjyrë’, pa vënë ‘maska’ në to, buroi nga besnikëria në Flamurin tonë Kombëtar e, në Yllin e kuq fitimtar të partizanëve heroikë e legjendarë, çlirimtarët e Ushtrisë ANÇ e, në bësnikërinë ndaj Enverit kryekomandant e kryefitimtar! Kjo  më bën të ndjehem plot dhembje shpirtërore për ndarjen fizike me këtë burrë fisnik të Tropojës tonë. Kjo peshë dhembjeje për ndarjen nga jeta të Musli Ramës, rëndon shumë edhe mbi Tropojën e tropojanët atdhetarë që dinë të nderojnë e të çojnë vlerat e tyre.

Ky njeri i mrekullueshëm në rrugëtimin e tij jetësor, që e mbylli më 02 dhjetor 2022, në moshën 96-vjeçare, ka bërë shumë me jetën e veprimtarinë e Tij, për të mirën e vendlindjes së vet e, për Tropojën e shqiptarinë. Ai pati shumë vlera dhe ato ia fali me bujari e  fisnikërisht Tropojës së tij e, historisë së saj. Ai ishte dhe mbeti në kujtesën e çdonjërit që e njohëm, si njeriu model i pathyeshmërisë në mbrojtje të historisë kombëtare, të vlerave madhore historike, ngjarjeve e figurave të tilla kulmore e lavdimbuluara, si edhe të idealeve kombëtare e atij me njerëzorit – ëndërr e njerëzimit, idealit komunist.

Musli Rama ishte njëri nga të gjallët e rrallë, deri sa vdiq, nga të internuarit në Kampin famëkeq të shfarosjes, të nazizmit, në Prishtinë, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte një dëshmitar i gjallë i rrugëtimit të historisë tonë. Ndaj Ai, në këto kohëra pa kohë, të turbullta e të errëta, ndriti me të vërtetat, që kishte përjetuar një jetë të tërë e, që tradhtarëve u digjte dhe u djeg, modeli i jetës e i shëmbëlltyrës së Tij, prej komunisti atdhetar e njeriu  fisnik. Ai, me zgjedhjen e vet, me parimet e normat e jetës së tij, me modelin që zgjodhi për përfaqësimin e vetes, në çdo rrethanë e kohë, nderoi rrugën  e jetës e të veprimtarisë së vet, historinë e Tij të mbuluar me lavdi, nder e krenari, por edhe trevën që e lindi, e rriti, e burrëroi dhe e plaku . Edhe Dragobia e Tij ishte për të, një nga ‘shkëmbinjtë’ madhështorë të lavdisë e të krenarisë kombëtare e, ky birë e burrë i saj, mbeti si ajo, stoiku qëndrestar, si një gurë vigan, pëshë-rëndë e rrënjë-ngulur në truallin e qëndrestarisë e të lavdisë.

Mirënjohja pa fund , rrugëton historisë në vijimësi, nga brezi në brez, për këtë malësor nderi e krenarie për tërë Malësinë e Gjakovës, por edhe më gjerë.

Musli Ramë Metaliaj, tërë jetën s’reshti së luftuari e së punuari për të  nxjerrë në dritë dhe mbrojtur, me guxim e trimëri, vlerat historike, përballë stuhive histerike antikombëtare të reaksionit më të zi antikombëtar e, përballë ‘historiano’-sharlatanëve shërbëtorë të borgjezisë, në këtë kohë që e ka mbuluar errësira dhe e ka humbur orientimin!

Musli Ramë Metaliaj, dhembshëm do t’i mungojë përgjithmonë trevës së tij, të afërmëve, shoqërisë, partisë në të cilën militoi që nga dita e parë e pranimit në të e, deri sa u nda nga jeta, por prore do të mbahet gjatë e me mirënjohje në kujtesën e tyre e të bashkëkohësve, por edhe të brezave në vijimësi, për nga modeli i tij njerëzor që na la, si model prej njeriu të përkryer e, që na u ngulit në vetëdijen individuale e kolektive; për shëmbëlltyrën e tij vlerë-shumtë, me të cilën na shoqëroi deri në vdekjen e tij, duke na lënë ne, frymëzimin për të ndjekur rrugën e të mirës, siç e pati zgjedhur edhe vet ai për veten e tij e, që e bëri atë të gjithë-pranueshëm, të nderuar e të kudo-respektuar.

Jemi krenarë, si Tropojë e, si tropojanë, pse jo, edhe si shqiptari atdhetare që e patëm një vlerë njerëzore kaq dinjitoze, kaq njerëzore, kaq fiznikëruese, kaq frymëzuese, sit ë paharruarin Musli Ramë Metaliajn!

Njerëzit si Musli Ramë Metaliaj i Tropojës së legjendave dhe kreshnikëve, rrojnë e s’vdesin kurrë, sepse ata bëhen pjesë e urtësisë, e ndjesive më njerëzore dhe, e kujtesës popullore.

Të tillët njerëz, i lind nëna Natyrë, për të hyrë në legjenda, për t’u burrëruar me frymën e tyre dhe, për të jetuar brenda tyre!

 Tiranë, më 02.12.2022.

 

 

*  Musli Ramë Metaliaj-komunisti e burri i vendosur e i palëkundshëm, i guximshëm dhe besnik deri në vdekje i idealit komunist dhe i Enver Hoxhës, ish i burgosur në kampin nazist të shfarosjes në Prishtinë, gjatë LDB, tropojani “Nderi i Bashkisë Bajramë Curri” (Tropojë), delegat i disa kongreseve të PKSH.

Kontrolloni gjithashtu

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine lindi në Vithkuq të Korçës në vitin 1844. Mori pjesë në Lëvizjen e …