Ismet Sylejmani: Biri i madh i kombit, Nasim Haradinaj

Ismet Sylejmani: Biri i madh i kombit, Nasim Haradinaj

 Trualli ynë i lavdishëm! Toka jonë lavdimadhe! Populli ynë heroik! Atdheu ynë i papërkulur! Kombi ynë i nderuar! Flamuri ynë i qullur me gjak! Varret e Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit! Varret e të parëve tanë kudo në Atdhe, por edhe jashtë Tij nëpër botë! Skënderbeu, Enver Hoxha, Adem Jashari, Fehmi Lladrovci

 

UÇK, gjaku i derdhur për liri, invalidët, luftëtaret, veteranët…

Të gjitha në një, po gjëmojnë e po jehojnë në gojën e birit të madh të Kombit tonë Nasim Haradinaj!

Tribunali ndërkombëtarë i Gjykatës Speciale të Hagës, është shndërruar në një tribunë botërore të padëgjuar e të pashembullt, e cila po jehon si kurrë më parë në historinë e njerëzimit!

 

Djali i Bacës Smajl Haradinaj!

Pasardhës i denjë i Haradinajve të famshëm e të lavdishëm, të Gllogjanit heroik! Ushtari e komandanti legjendar i UÇK-së, luftëtari kombëtar i pa kompromis! Foltoren e Tribunalit të Gjykatës Speciale të Hagës, e ka kthyer në një arenë të madhe, përmes të cilës luftës kundër Serbisë pushtuese, po i bënë mbrojtjen e madhe e të padegjuar ndonjëherë më parë në historinë e popullit, Atdheut dhe Kombit tonë!

 

Haradinaj ia thotë në sy Prokurorit të Tribunalit botërorë se: “…Kam vra ushtarë e oficerë serbë sa kam mundur. Por edhe pse nuk kam mundur të vras në shumë, do t i kisha vrarë. Këta  janë rreshta që do të mbeten të shkruara  me shkronja ari në historinë e faqeve  të lavdishme të popullit shqiptar!

 

Sikur atdhetari, patrioti, ish-i burgosuri politik, luftëtari kombëtar, ushtari e komandanti i UÇK-së,  Nasim Haradinaj, janë të paktë, janë të rrallë, por i lindin shekujt!

Faleminderit Nasim Haradinaj!

Me qëndrimin Tënd, e ke nderuar fisin!

Me qëndrimin Tënd e ke nderuar Lokemadhen, që në atë foton me Ty  shihet se si të mban për faqe, me aq bujari e buzëqeshje epike e tipike heroinash shqiptare!

Me qëndrimin Tënd, ke nderuar kryeshefin e politikës kombëtare  patriotike ilegale të Dukagjinit, të madhin e të pavdekshmin, Smajl Haradinaj në veçanti dhe Haradinajt,  në përgjithësi!

 

Me qëndrimin Tënd ke nderuar  familjen Tënde në përgjithësi dhe Nënën Tënde, traktoristen e famshme dhe punëtoren heroinë të Dukagjinit, që edhe tokat Ajo i lavronte me traktor e i punonte dhe e mbante  familjen me bukë e nuk e shtrinte dorën përpara armikut, atëherë kur Baca Smajl dhe ju djemtë e Tij, mbaheshit dhe vuanit nëpër burgjet e Serbisë pushtuese!

 

Me qëndrimin Tënd burrërorë në Tribunalin ndërkombëtarë në Hagë, ke dalë para botës me qëndrim të tillë, që nuk ka njeri në planet, miqtë e armiqtë e Kombit tonë, që nuk e vendosin dorën në ballë dhe të të dëgjojnë se si shpërthen fuqia Jote e shprehjes në mbrojtje të UÇK-së e të luftës së sajë të drejtë kundër ushtrisë e policisë dhe paramilitarëve të Serbisë pushtuese!

 

Lumë populli, Atdheu e Kombi shqiptar që të ka djalë!

Lumë populli, Atdheu e Kombi shqiptar që të ka ushtarë e komandant!

Lumë populli, Atdheu e Kombi shqiptar që ka përfaqësues sikur Ty!

Jemi me fat që të kemi të tillë, që atyre ua thua para syve të botës, që të dëgjon e gjithë bota me veshët e saj, se Ti Nasim Haradinaj, ke vrarë sa ke mujtë armiq, ushtarë e polic të Serbisë pushtuese! Më këtë qëndrim vret edhe sot kriminelët që vrisnin fëmijë shqiptarë, që dhunonin gra shqiptare, që masakronin pleq e burra të moshuar…

 

Për Ty e për këtë qëndrim Tëndin titanik, duhet të shkruhen vjersha, tregime, artikuj, poema, romane, drama e filma artistik! Duhet të të këndohen këngë, shumë këngë  e të organizohen koncerte në nderim të qëndrimit Tënd!

 

I dashur, Nasim Haradinaj, vitet, dekadat e shekujt që do të vijnë, do të përulen e do të bien në gjunjë, në shenjë nderimi e respekti për qëndrimin Tënd burrëror trimëro, por edhe spektakolar në Tribunalin ndërkombëtar, në Hagë! Përgjithmonë historia do të të mbajë në ballin e saj, në ballin e  nderit e të krenarisë kombëtare!

 

 Prishtinë, 21 Janar 2022!

Kontrolloni gjithashtu

Beqir Elshani: BETOVENI DHE SIMFONIA HEROIKE

(Me rastin e përvjetorit të lindjes  së Ludvig van Betovenit) Pianisti dhe kompozitori gjerman, Ludvig …