leoni

Isuf Ismaili: Vepër vlerash të mëdha letrare, artistike e atdhetare njëkohësisht

Isuf Ismaili: Vepër vlerash të mëdha letrare, artistike e atdhetare njëkohësisht

(Kumtesë e lexuar në Jona të Zvicrës në përurimin e veprës ”Gjergjat në drita përkrenaresh”  të shkrimtarit të njohur Avni Dehari)

Të nderuar vëllezër e motra dua t’ ju përshëndes të gjithëve, por në mënyrë të veçantë mikun e shokun tonë të  çmuar e të dashur shkrimtarin e madh, atdhetarin e veprimtarin e devotshëm, humanistin e madh  Avni Dehari, për veprën e të cilit jemi mbledhur që ta përurojmë. Njëkohësisht  e përshëndes po ashtu shokun tim të çmuar e të dashur Agim Sylejmani që më dha mundësinë për t’ i shprehur disa mendime të mia në këtë përurim të këtij libri.

Letërsia shqipe, ka një prurje të madhe krijimesh letrare, të cilat hera herës nuk janë në vijimësi me rregullat e të shkruarit të mirëfilltë të letërsisë, si krijimtari shpirtërore e artistike, të cilat veç të tjerave kanë edhe mungesa të shumta të organizimit të mirëfilltë gramatikor e gjuhësor përgjithësisht dhe sidomos ka një shpërfillje të madhe ortografike dhe një ngatërresë të madhe logjike e sintaksore,  prandaj është vështirë të merren studiuesit me të gjitha këto krijime, mbase është edhe pamundur e megjithëkëtë nuk është e domosdoshme. Por, ato vepra dhe krijime letrare e artistike të mirëfillta është e domosdoshme për t’i lexuar e studiuar dhe për t’i dhënë shtytje e mbështetje të plotë, autorëve të poezive, tregimeve, reportazheve, novelave, dramave, romaneve e krijimeve të tjera letrare. Kështu është një nder dhe një kënaqësie e veçantë të shkruajë njeriu për vepra të autorëve të shquar, siç është shkrimtari ynë njohur Avni Dehari. Libri që po e përurojmë ka një rëndësi të veçantë, sepse në shquarsinë artistike e në lëndën e ideore, në harmoninë e pjesëve përbërëse  del figura madhështore e heroike e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Kjo figurë e cila ka një vend meritor në Historinë e Shqipërisë dhe në trajtimet letrare, natyrisht ka një nderim e frymëzim tek çdo atdhedashës shqiptarë e arbëreshë.  Më ka rastisur të shikoj tek vëllezërit tanë arbëreshë, manifestime, që janë bërë për nder të Skënderbeut dhe me plot dëshirë e them, se jam jo vetëm i kënaqur, por edhe ndjej si diçka tepër të rëndësishme në jetën time dhe një krenari të natyrshme, marrjen pjesë në këto manifestime, kur kemi parasysh, se në kushtet e rrethanat e tyre edhe pas pesëqindepesëdhjetë vjetësh, frymëzohen, krenohen e kanë për nder të festojnë e bashkëjetojnë me madhështinë e heroizmin e Skënderbeut. Ata madje e quajnë Skënderbeun Prindi i Arbërisë.

Skënderbeu ka qenë, është e do të jetë frymëzim, i gjallë dhe prijës shpirtëror edhe i grupeve, organizatave dhe përbërjeve atdhetare, politike e shoqërore, që kanë vepruar e luftuar për çlirimin, lirinë e bashkim e tokave e të popullit shqiptar. Ai u bë jo vetëm frymëzim i arbëreshëve e shqiptarëve, por edhe i shumë personaliteteve të ndryshme evropiane, i botës përparimtare dhe i ushtarakëve evropianë në përpjekjet, qofshin të organizimit ushtarak, apo qofshin edhe ato përpjekjeje e veprimtari çlirimtare e atdhetare . Vetë fakti i botimit, pothuajse në të gjitha gjuhët të Evropës të veprës “Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut” të Marin Barletit tregon për peshën e rëndësinë e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në këtë kuptim s’ka se si të mos ishte edhe frymëzim i autorëve të tjerë shqiptarë si Naim Fashëri, Jeronim de Rada, Noli, Haki Stërmilli, Mitrush Kuteli, Avni Dehari, e shumë e shumë të tjerë, veprat e të cilëve kanë një vlerë të madhe për të argumentuar të gjithë peshën e madhështisë e heroizmit jo vetëm të Motot të madh, por edhe të epokave e frymëzimeve të më pasme, sepse harku zinxhir i pandërprerë i përpjekjeve e veprimtarisë dhe i   luftërave të brezave të më pastajmë deri në ditët tona, është e natyrshme dhe domosdoshme t’i ndërlidhim mirë me ngadhënjimin e jetësimin e Shqipërisë së tërësishme, të natyrshme e etnike, apo siç thonë vëllezërit arbëreshë të bashkohemi të gjithë në Arbërinë tonë.

Këto ngjarje dhe heroizma të pjesës më të ndërgjegjshme atdhetare arbërore-shqiptare deri në kohën tonë ndodhin, sepse pikërisht gjaku i kulluar i etërve tanë, që nga Skënderbeu e deri Heroi legjendar i UÇK-së Adem Jashari nuk kanë pushuar kurrë së luftuari e së vepruari  për ta bërë Shqipërinë, Arbërinë një dhe të bashkuar.

Kështu përurimi i kësaj vepre po bëhet në kohën e përvjetorit të lavdishëm të komandantit legjendar Adem Jashari dhe kështu shtohet edhe më shumë rëndësia edhe e përkujtimeve, por edhe të promovimit të librit , veprës së Avni Deharit.

Por, përurimi i veprës: “Gjergjat në drita përkrenaresh” ndodh në një kohë, kur në këmbë ngrihen disa bukëshkalë të shitur, të cilët janë  të komanduar nga padronët e tyre të brendshëm e të huaj, për të përbaltur figurat më rëndësishme e më të ndritura të historisë sonë, të krenarisë e bashkëjetesës sonë me lavdinë, heroizmat e frymëzimet që ata na i kanë falur në dekada e shekuj. Të gërmojë njeriu të kaluarën tij të ndritur të popullit dhe ta mundohet ta përbaltë atë, është tradhti ndaj interesave të Atdheut. Po çuditërisht fjala tradhti as nuk ju bënë përshtypje, sikur kjo fjalë për ta është zbutur dhe pa fije turpi as nuk skuqen fare. Po të ishte gjallë mendimtari, filozofi ,shkrimtari ynë i ndritur Sami Frashëri do të thoshte : “ Këta shqipfolës i ngjajnë, atij që donte ta pështynte diellin, pështyma duke mos arritur diellin i ra në fytyrën ose në surratin e tij” Po kështu dua të them unë, se ata vetë po pështyjnë e përbaltin veten e tyre. Kaq  mund të bëjnë dhe kaq ju vlen edhe lëkura.

Kështu edhe ndaj Skënderbeut u hodhën si në garë se kush mund të fliste e të thoshte, se ja ai e ka pasur kinse nënën serbe e broçkulla të tilla, se gjoja emrat e fëmijëve të Gjonit, të atit të Skënderbeut, janë në gjuhën sllave etj.

Prandaj lënda e  thuktë e mbarshtruar artistikisht  e romanit “Gjergjat në drita përkrenaresh” të Avni Deharit, veç funksionit letrar artistik e ideor i vjen në ndihmë argumentimit të plotë e të ndritur të figurës së pamposhtur  e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të përkatësisë së tij të plotë arbëreshe, shqiptare të pa tjetërsuar, si edhe heroizmit të tij e të bashkëluftëtarëve dhe të popullit tonë, që në shekuj ka treguar se atë e kemi udhëheqësin shpirtëror e themelin e qëndresës dhe vazhdimësisë. Në këtë pikë-vështrim është e udhës të themi, se edhe kjo vepër u çjerr maskën djallëzore atyre bukëshkalëve, që gërmojnë historinë e Skënderbeut për ta përbaltur.

Vepra “Gjergjat në drita përkrenaresh” është një vepër letrare, artistikisht e ndërthurur në mënyrë të shkëlqyer, duke dhënë tablo të plota përshkrimesh, ngjarjesh e rrëfimesh, biseda e dialog të personazheve, duke filluar me pjesën e parë, librin e parë “Dragoi” që ka për bazë një lindjen e Skënderbeut e derisa turqit e morën dhe e dërguan në Turqi.

Që në fillim të këtij libri të rrëmben një ndërthurje e përshkrimeve letrare, që kur Vojsa është me barrë. Të tërheq vëmendjen përshkrimi i Avniut, se si Vojsa po i tregonte burrit të saj Gjonit një ëndrrë.    “Pashë ëndërr se kisha lindur një dragua. Oh, Gjon! Dragoi ishte aq i madh, sa me trupin e tij kishte mbuluar të tërë Arbërinë. Kokën e kishte vënë në kufijtë e osmanlinjve, ndërsa bishtin në det, në kufijtë e venedikasve. Me gurmazin e tij të gjakosur përpinte pandërprerë osmanlinj. Oh ç’ llahtar i madh!” Ajo shprehte frikë, por Gjoni e qetësonte dhe i thoshte se do  të kishin edhe një djalë dhe se ai do të luftonte e do t’i mundte osmanlinjtë dhe armiqtë të tjerë.

Libri i dytë “Udhëkryqi” ka përshkrime ngjarjesh që nga momenti kur Gjergjin e rrëmbejnë osmanlinjtë e deri te momenti, kur ai po i hapte rrugë Huniadit të Hungarisë për t’i mundur osmanlinjtë, si dhe ka përshkrime të mësymjes së Skënderbeut dhe arbërorëve të tjerë nën komandën e tij për t’u kthyer në Arbëri, fillimisht për ta marrë Krujën e pastaj vendet të tjera arbërore.

Që në fillim të  librit janë momente prekëse, të dhembshme deri në  shpirt e mallëngjyese fjalët e përkushtimit të Avni Deharit në këtë libër……

Libri i tertë: “Flakadanët e lirisë” është më  i madh dhe nis me rrugëtimin e lutjen e Skënderbeut për të mbërritur sa më shpejtë në Krujë. Është një libër që përshkruan ngjarjet, ambientet, natyrën, të bëmat, heroizmat dhe emocione të fuqishme, por edhe madhështinë e gjithë epokës së lavdishme të Motot të Madh të Heroit tonë kombëtar deri te momenti i lëngimit të tij nga sëmundja dhe pamundësia për të marrë pjesë në luftë. Por pranë tij ishin mbledhur i biri, gruaja dhe trimat e tij dhe ai tha Thanasit të merrte një dëng thupra dhe t’ia çonte pranë. Pasi Skënderbeu i mori atë dëng i tha trimave të tij të provonin që thuprat e bashkuara të tëra së bashku t’i thyenin, por asnjëri nuk arriti t’ i thyente, Gjergji i tha Gjonit të vogël të thyente një, ai e theu dhe pastaj i ati i dha një nga një thuprat dhe Gjoni i thyente me lehtësi. Ndër të tjera Skënderbeu po iu thoshte trimave të tij: “Po të qëndroni lidhur, si ato në dëng, s’ka forcë në botë që ju thyen. Vetëm të bashkuar mund ta mbroni e ta gëzoni Arbërinë të lirë e të lumtur” Autori i këtij libri krahas të gjithë përbërësve të këtij romani, na jep porosi të qarta, se vetëm një bashkim i tillë mund ta shpëtojë e bëjë jetësimin e tërësisë së Shqipërisë me të gjitha pjesët e degët e saja.

Kjo vepër letrare ka një harmoni lidhjesh artistike, ideore dhe një gjuhë të pasur e të pastër, një rregullsi të përkryer logjike, ortografike e sintaksore dhe porosi të qarta e të shkëlqyera  atdhetare, si për fëmijët ashtu edhe për të rinjtë, por natyrshëm edhe për moshat të tjera.

Pasuria letrare e kësaj vepre ndërthuret shumë bukur me vlerat e këtij organizimi letrar e gjuhësor duke vënë në pah figura letrare dhe ndërlidhje frazeologjike me vlera të çmuara estetike e stilistike.

Avni Dehari, duke qenë njohës i mirë i gjuhës dhe letërsisë, i kulturës dhe veprimtarisë së tërësishme atdhetare e njerëzore  ka ditur ta shprehë mirë  bukurinë e të shprehurit letrar.

Ja disa shembuj:

“…Kont Urani që e kuptoi se për çfarë e lodhte mendjen Gjergji…”, “…duke marrë me vete gëzimin e fitores…” “…i mëshoi fjalës Kont Urani….”…i pifsha ujë për shëndet, ia shoi yllin!” e shumë e shumë shembuj të tjerë.

Gjuha e letërsisë artistike është një pasuri e veçantë dhe një vlerë që i shërben njerëzimit për të pasuruar si fjalorin e të shprehurit, po ashtu edhe dijet, ndjeshmërinë njerëzore dhe fuqinë e gatishmërisë për të vepruar në rrugëtimet drejt vlerave të çmuara atdhetare e humanitare njëkohësisht. Këtyre qëllimeve i shërben edhe vepra e veprimtaria e gjithanshme e shkrimtarit dhe atdhetarit e humanistit të madh Avni Dehari.

4.3.2018

 

Isuf Ismaili: Vepër vlerash të mëdha letrare, artistike e atdhetare njëkohësisht

Kontrolloni gjithashtu

SEJDO HARKA; “Artisti i Popullit” Reshat Arbana në gjurmët e një ‘’bestselleri’’  tek Libri i Albert Zholit  

Të shkruash për ‘’Artistin e Popullit’’ Reshat Arbana, është si të gdhëndësh një  statujë prej …