leoni

Izota Rexho Haruni: Kur jemi bashkë shkëndija lëshojnë sytë

Izota Rexho Haruni: Kur jemi bashkë shkëndija lëshojnë sytë

1-Të prisja

 

Të prisja si ai fëmija i humbur që pret ta gjejnë,

ta marrin në krahë, ta përkëdhelin,

ëmbël t’i flasin,

t’i pastrojnë lotin e tharë,

Të mbështesja kokën në atë gjoks që kishte një jet që e prisja,

të ngopesha me aromën lëkurës tende,

e te pëshpërisja…..

O Zot…

Sa kohë kisha frymë pa marrë.

 

Të prisja si ai fëmijë

që nuk do që ta pyesin se a ka uri o a do të hajë,

por ta ushqejnë si një nënë kur jep gji

e me fëmijën e saj nuk ngopet duke e parë.

Ti ushqejnë lëkurën, sytë, frymën e në gjak t’i ndezin zjarr,

T’ ua ushqej ëndrrat me dëshirat e tij,

ta dojë si herën e parë.

T’ ua shuaj etjen shpirtit të zhuritur,

të shuaj prushin e ndezur buzëve që nga pritja ishin tharë,

Ta veshë me petkun e besimit,

Kalanë ta gjej pa ushtarë.

Le të derdhë shpirtin në timin

e të shohë si do shkrihen llavë

Do digjet ëmbël , siç digjen yjësit,

unë dritën hënës do ja marrë.

Kur jemi bashkë shkëndija lëshojnë sytë

edhe parajsës i vëmë zjarre..

 

 

2-Ju …germat e mija

 

Sa herë ju nxjerr nga zëmra

Me avuj lotësh ju vesh,

Ju kapeni përdore dhe më buzëqeshni

E sheh…

U lehtësove , me pëshpërisni shpesh,

unë me sy ju ledhatoj, ju ndjej.

 

Sa herë ju nxjerr nga shpirti

aq shumë ma mbushni shpirtin

Me ju, të pavdekshme ngelen kujtimet ,

kam ndjesinë se përsëri unë atë kohë jetoj,

tani me pak dhëmbin lëndimet.

 

Ju puthë e ju mbi buzë më ngelni

Me frymën time jetë ju jap

Nën tinguj mbushni ajrin, ju shpirtra mbushni,

bëheni te padukshëm por unë ju kap

 

Sa herë kam qarë nga ju, sa herë jam lumturuar

Se ka mjeshtër ë botë që mire ju vënë në vargje

Me ju përzier, te tyret ndjenja kane brumëzuar

Ushqim për ata shpirtra që nuk gjejnë paqe.

 

 

3-Robëreshë e qytetit të shitur

 

U zgjova e robëruar,

ne buzë me mbeti kënga.

Ishte shitur qyteti im,

dikush e kishte blerë me mua brenda.

 

Brenda meje kish’ blerë edhe botën time,

kish’ blerë pranverën me të gjitha lulet që më dhuronte,

kish’ blerë pllenimin e tyre deri tek petalet ne rrëzim,

i kish blerë akoma gonxhe.

 

Kish’ blerë vjeshtën me ngjyrat pastello,

shkëputjen e gjetheve , rënien e tyre me pertim,

bleu rrahje zëmre, puthje qerpikësh, ëndrra akoma të pa mbaruara ne agim.

Bleu shtegtimin e zogjve që ikin,

bleu ikje pa kthim.

 

Dimrin kish blere me boren që adhuroj

bashkë me qiellin gri,

me erën qe shpërndan retë e ngarkuara,

kish blere edhe të timin Shi.

 

Dikush pa me pyetur bleu stinët që dua shumë,

Ndërsa verën,

verën e bleu vetëm se brenda

isha unë.

 

Bleu një qytet se më donte.

Donte atë blu që qiellin dhe detin bashkon.

Sa herë më shihte në sy, ata ndryshonin ngjyrë,

Ai donte tek unë thellësitë e detit Jon.

 

U zgjova e robëruar.

Dikush bleu edhe zgjimet.

Nuk e di e bleu qytetin për mua,

a ndoshta unë u bëra robëreshë e qytetit te tij me dëshirën time?!

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …