Jakup Krasniqi: Letër kryetarit të Komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi, z. Murat Meha

Zoti Meha,


 


Sa herë që deri më tani kam folur për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, kam folur me gjysmë zëri, se në një formë a tjetër kisha besim në personalitetin tuaj si: intelektual, si profesionist dhe si shqiptar i mirë (pasardhës i Emin Latit), bashkëluftëtarit të Azem Galicës. Nga parmbrëmë, flas me plotë zërin, se në rastin e demarkacionit me Malin e Zi, nuk me ke bindur në asnjë aspekt, e më se paku në atë profesional se keni të drejtë në atë që e thoni dhe e mbroni.


 


Pse?


 


Për faktin se argumentet që i afrove, veç “argumentit” të Kushtetutës së ’74 (edhe ky goxha i dyshimtë)?!, të gjithë të tjerët që i përdore janë të pa qëndrueshëm, madje as që është dashur të përmenden si ndonjë argument valid për caktimin e kufirit me Malin e Zi. Me këto argumente që i keni afruar keni treguar se nuk keni qenë serioz në detyrën që u është ngarkuar. Duke u nisur nga:


 


Argumenti se jeni bazuar në Dokumentin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Politik të Kosovës, i njohur edhe si Dokumenti i Presidentit Ahtisari që ju i referoheni, nuk është farë argument. Dokumenti i Presidentit Ahtisari është marrë kryesish me çështje të tjera politike e administrative dhe fare nuk është marrë me kufirin e as demarkacionin. Krejt për çka është biseduar në Bisedimet e Vjenës prej nga ka derivuar ai dokument që e apostrofoni, është marrë me territorin e komunave dhe kadastrat e komunave me shumicë serbe brenda përbrenda Kosovës. Kufijtë e Kosovës as që kanë qenë temë e atyre bisedimeve. Për kufirin ndërmjet shteteve as që është biseduar, pasi dihet sesi bëhet demarkacioni mes shteteve të pavarura. Pra nuk ke çka thirresh në atë dokument as ti e as Komisioni Qeveritar.


Argument tjetër ke përdorur Marrëveshjen e Kumanovës, ajo marrëveshje ka pasur për temë krejt diçka tjetër (përfundimin e luftës dhe tërheqjen e forcave serbe nga Kosova). Ato bisedime as e kanë pasur për lëndë Kufirin (përveç asaj që forcat serbe nuk duhet t’i afrohen kufirin në distancën prej pesë km), dhe as duhet marrë si argument atë marrëveshje për demarkacionin e kufirit në asnjë pjesë të tij dhe as me Malin e Zi. Kosova e ka pas të definuar kufirin e saj edhe para vitit 1974 (ndonëse atëherë ishte kufi administrativ), pra shikuar hollë as “argumenti” i Kushtetutës së 74 nuk është ndonjë argument. Dhe


E keni përmendur edhe NATO-n, NATO-ja ka ardhur në Kosovë për t’i ruajtur kufijtë ekzistues te Kosovës, pra për t’i siguruar, por jo për t’i ndryshuar. Pasi Komuniteti Ndërkombëtar ishte përcaktuar për mos ndryshueshmërinë e kufijve te Federatës Jugosllave. Pa ndryshueshmërinë e kufijve ishte përcaktuar edhe në Konferencën e Helsinkit më 1 gusht 1975. Ndryshueshmërinë e kufijve e ndalonte edhe Deklarata e Grupit të Kontaktit para se të fillonin bisedimet e Vjenës. Në atë Deklaratë në mes të tjerave është thënë se “Kosova nuk mund t’i bashkohej as një vendi tjetër”. Pra, nuk mund të bashkohej as me Shqipërinë e as me Serbinë.


Të gjitha këto argumente që i përmende në emisionin e parmbrëmshëm në RTK janë të pa qëndrueshëm dhe nga një Komision serioz Qeveritar as që do të duhej të përmendeshin për faktin se kufiri i Kosovës me të gjitha shtetet fqinje është shumë më i hershëm se Kushtetuta e vitit 1974, është më i hershëm se Dokumenti i Presidentit Ahtisari, më i vjetër se Marrëveshja e Kumanovës e 10 qershorit e vitit 1999.


 


Nëse këto kanë qenë “argumentet” tuaja më të fuqishme që ia afruat publikut tonë, po ta them miqësisht se duhesh ta afrosh dorëheqjen e pa revokueshme nga ai Komision Qeveritar dhe qytetarëve të Kosovës t’ju kërkosh falje publike për punën jo profesionale që ke bërë në krye të ati Komisioni. Duhet të kërkosh falje për dëmin e madh politik që ia ke bërë vendit, duke rrezikuar t’ia humbësh mijëra hektar tokë!


 


I nderuar,


 


Sikur mos të ishte reagimi i opozitës se bashkuar edhe me mjete jo të këndshme (vezë e bombola gazi lotsjellës), kjo çështje do të ishte harruar dhe dëmi do të kishte mbetur i përjetshëm. Ketë nuk duhesh t’ia falesh vetës, as ti dhe as anëtarët e tjerë te Komisionit!!


 


Ne një rast të tillë, unë do të veproja kështu si të këshillova, i nderuari Murat Meha! Ndërsa, Ju veproni si t’ju thotë ndërgjegjja juaj kombëtare, intelektuale e profesionale!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …