Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Në 19-vjetorin e flijimit biblik për liri

 Jo vetëm në çdo Mars, por në çdo ngjarje të rëndësishme për kombin, për lirinë e Pavarësinë, përfaqësues të institucioneve e qytetarë më parti e pa parti e  përkujtojnë më pietet Komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin dhe Epopenë e UÇK-së të 5,6 e 7 Marsit 98.

Ato ditë në Prekazin e Poshtëm, në Lagjen e Jasharëve është zhvilluar një luftë e madhe mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë pushtuese serbe, mes dy forcave ushtarake të pa krahasueshme e të pabarabarta. Ato ditë në Prekazin e Adem Legjendarit, në Lagjen e Jasharëve, ka ndodhur Flijimi më i Madh Biblik për jetën dhe lirinë.  Epopeja e UÇK-së ishte akti më mobilizues e më motivues në nivel KOMBI në ndërrimin e mijëvjeçarëve. Flijimi i Jasharëve ishte apeli i pashkruar dhe më i rëndësishmi për rreshtimin dhe zgjerimin e radhëve të UÇK-së në luftën për liri, pavarësi e demokraci.  Realiteti që po e jetojmë na jep arsye të reja për frymëzim, udhërrëfim dhe  vendosmëri që buron nga Epopeja e lavdishme e UÇK-së. Sot, më shumë se kurrë na duhet amaneti i Komandantit legjendar, na duhet amaneti i fëmijëve, i burrave dhe grave që luftuan e ranë pa u kursyer për lirinë tonë. Amaneti i tyre është që ta ndërtojmë shtetin e se drejtës – garancinë e lirisë e të pavarësisë sonë!

Edhe nëntëmbëdhjetë vjet pas Epopesë së UÇK-së, të flijimit më të madh biblik për lirinë, paqen e demokracinë, populli i Kosovës, institucionet e Kosovës nuk ia arritën qëllimit që t’i institucionalizojë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë, ashtu siç kemi menduar e dëshiruar si komb.

Nëntëmbëdhjetë vjet pas Epopesë, tetëmbëdhjetë vjet pas lirisë e nëntë vjet pas formalizmit të pavarësisë, nuk ia arritëm ta sistemojmë asnjë vlerë kombëtare e cila do të na shërbente si flamur dhe strumbullar i bashkimit kombëtar. Duke iu falënderuar qyqarllëkut të rrahagjoksëve të meritave të bëra e më shumë të pa bëra, nuk u institucionalizuan vlerat kombëtare të lirisë e drejtësisë, por ndodhi e kundërta u institucionalizuan  ndjekjet e shpifura ndaj atyre që krijuan vlera duke rrezikuar gjithçka, të atyre që janë më meritoret në krijimin e realitetit të ri për veprime e procese të reja e pozitive. Para syve tanë e në ditët më diell po institucionalizohen anti vlera prej më të ndryshmeve. Institucionet kryesore të Kosovës së pavarur janë uzurpuar nga njerëz të padijshëm, miopë, servilë, nga njerëz përçarës e shpirtshitur. Me të tillë njerëz, nuk jetësohen frytet e lirisë e të pavarësisë Ademiane!

Nëntëmbëdhjetë vjet pas Epopesë së UÇK-së, kur e vërteta është më shumë se e ndriçuar, na duhet të bëjmë të bërën nga trupa informale. Në shtetin e se drejtës, është sistemi i Drejtësisë e posaçërisht pushteti i Gjyqësorit, ai që përcakton e ndan drejtësinë mbi bazën e ligjeve në fuqi. Gjithçka tjetër është farsë dhe përpjekje që dikush të bëhet “Sheh me zile në këmbë” për t’i trembur buburrecat gjatë të ecurit rrugëve!

Ngjarjet që po zhvillohen edhe nëntëmbëdhjetë vjet pas Epopesë së Jasharëve në hapësirën tonë kombëtare shqiptare (në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni Perëndimore etj.), e shtrojnë domosdoshmërinë për të vendosur një formë e cilësi të re komunikimi, veprimi e integrimi ndërshqiptar. Ky komunikim, në 105 vjetshin e fundit, asnjëherë nuk ka pasur ambient  më të përshtatshëm komunikimi e zhvillimi TË NJË CILËSIE TË RE dhe njëkohësisht, kurrë nuk ka qenë në ketë nivel të çakordimit e të pa përgjegjshmërisë politike, kombëtare dhe intelektuale sa është sot në hapësirat e ndara shqiptare.

Shumëkush nga ne e dinë që ka dhe shumëkush në Kosovë i jetojnë ngushticat sociale, mangësitë e mirëqenies, pasigurinë e punës e të jetës, nevojat e arsimit cilësor e të dijeve shkencore, nevojën e intelektualit veprues e jo heshtak. Në hapësirën shqiptare ka ndeshje të ashpra politike deri në absurd; ka mungesë drejtësie, ligji e ligjësie sa të duash; ka pak solidaritet e më pak përkujdesje sociale, por dua të besoj fuqishëm se këto Ditë të Kthesës së Madhe, të Festës e të Dhimbjes së Madhe Kombëtare, të Marsit Legjendar të Jasharëve, duhet të na frymëzojnë me kurajë Ademiane, infuzion e impulse besimi, zhvillimi, progresi e demokratizimi!

Besimi në të ardhmen, por me ecje ndryshe nga ajo që kemi bërë që nëntëmbëdhjetë vjet, na bënë që nga thellësia e shpirtit ta ripërsërisim në stilin Çajupian: Kosovë të duam edhe kështu si je/ por kur të shohim të lirë/ të dua dhe më mirë. Gjatë viteve të Lirisë e të Pavarësisë, politika në përgjithësi e veçanërisht drejtuesit e saj, kanë abuzuar me krijesën e brezave atdhetarësh! Rrethanat e reja politike, na ftojnë e obligojnë për një rrugëtim ndryshe politik! Pa një ndryshim substancial e kemi vështirë që ta arrijmë ndërtimin e shtetit të se drejtës.

Nëntëmbëdhjetë vjetori i flijimit Biblik të Jasharëve, nëntëmbëdhjetë vjetori i rënies se Komandantit legjendar – Adem Jashari, të gjithë të rënit për liri, nga amshimi na çojnë porosi, që t’i bëjmë sytë katër për t’i mbrojtur frytet e lirisë e të pavarësisë dhe për te shtuar e konsoliduar forcat e sigurisë kombëtare! Kërcënime e rreziqe të reja mund të na presin! Koha kërkon një frymë të re politike ndërshqiptare! Një frymë që burim frymëzimi i ka idealët e Adem Legjendarit e të gjithë Dëshmorëve të Kombit ndër vite!

Lavdi Komandantit Legjendar – Adem Jasharit!

Lavdi Jasharëve Legjendar!

Lavdi të gjithë Dëshmorëve dhe Heronjve të Kombit që ndër vite ranë për Lirinë, Drejtësinë e Solidaritetin e Kombit Shqiptar!

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …