Jakup Krasniqi

Krasniqi: Në asnjë vend ish-socialist, nuk ka pasur më shumë krime të komunizmit sesa në Kosovë

Një pyetje që shpesh ia bëjë vetës, është: A ia vlen të mendoj me zë për fenomenet e ndryshme shoqërore apo duhet të heshti si shumë kush në ketë shoqëri? I them shpesh vetes, me mendimin tim opozitar që unë e konsideroj goxha të sinqertë mos po bëjë që t’ia kthej vetit gjithë mllefin e (Zotërave të Olimpi), grupeve të ndryshme të interesit, që interesat e tyre i kanë gjetur në krimin e organizuar dhe në korrupsion? Tani janë dy tema problematike në shoqërinë shqiptare. Që në fakt njëra është gjithëkombëtare e tjetra e kufizuar në kufijtë e Kosovës. Por, gjithsesi janë fenomene që duhet evidencuar dhe eliminuar. Heshtja është ushqim i kësaj të keqe nga e cila duhet të shkëputemi sa më parë!

E para: Feja në shkolla? Debati u hapë në Shqipëri nga Kryeministri i saj. Sigurisht që kjo çështje do të duhej që t’ju lihej ekspertëve të arsimit shqip, që të shoshitej mirë e mirë e pasi të përpunohej mirë e mirë, tek pastaj të dilej në opinion me një mendim të pjekur mirë. Por pasi veprimet e qeveritarëve tanë, janë si ato veprimet “çka të bie në lugë”, e në lugë mund mos të bie asnjë kokërr fasule, janë veprime që na kanë sjellë në ketë gjendje e cila ka pak dalje dhe as njëra nuk është dalje e mirë.

Jam i bindur se problemi kryesor në shoqërinë tonë nuk është të mungesat e njohurive fetare, të cilat këtyre 20-25 viteve i kishim më bollëk, por të mungesa e kulturës shqiptare, bile edhe e historisë së formëmësimit të kombit shqiptar, madje edhe të përdorimit të gjuhës shqipe në jetën kulturore, politike e publike. E menjëherë pas kësaj vijnë mungesat e shumta për dijet shkencore pa të cilat nuk ka progres shoqëror. Përqendrimi ynë duhet të jetë, në vlerat e traditës sonë kombëtare, të ajo traditë që e kultivuam ndër shekuj, krejt deri në ditët tona. Pa traditën tonë kombëtare mund të ishim gjithçka tjetër (grekë, latin, sllavë e turq), por jo këta që jemi – shqiptar.

E dyta, është debati për udhëheqësit e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë përfshirë edhe ata nga Kosova. Ne e dimë që BE-ja, me rezolutë ka kërkuar që nga të gjitha vendet e kampit socialist, t’i dënojnë e të distancohen nga krimet e komunizmit. Unë nuk e di se në cilin vend ish socialist, ka pasur më shumë krime të komunizmit sesa në Kosovë. Ajo periudhë në Kosovë, ka lënë më shumë se 80.000 viktima (vetëm lufta e fundit mbi 13.500 viktima), në burgjet e kazamatet e ndryshme jugosllavë, janë mbajtur mbi 600 shekuj burg (vetëm pas vitit 1981 mbi 250 shekuj burg mbajtën shqiptarët), pa i llogaritur të ndjekurit e të shpërngulurit nga trojet shqiptare që janë më qindra e mijëra. Madje krimet e kryera në Kosovë nuk ishin vetëm mbi bazën ideologjike, ishin edhe mbi bazën etnike, pra ishte një krim i dyfishtë dhe i veçantë nga ato të shteteve të tjera ish komuniste.

Ne, për pak vite, i harruam të gjitha krimet e Tito- Rankoviqit e më pas të Millosheviqit dhe të bashkëpunëtorëve të tyre shqiptar. Çka po bëjmë ne, për t’i dënuar krimet e atij regjimi i cili e mbylli historinë e tij, duke ushtruar gjenocid mbi popullin shqiptar të Kosovës. Vetëm dhunimi i mbi 20.000 grave shqiptare, është gjenocid, pa përfshirë këtu planifikimin për dëbim e shfarosje. Siç po diskutohet këtyre ditëve, mbase jo vetëm këtyre ditëve, ne, bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, që u qëndruan besnik Tito-Rankoviqit e Millosheviqit duhet t’i shpallim “legjendarë” e t’ju ngrisim përmendore në qytetet e fshatrat tona?! Se, sikur mos të ishin ata (bashkëpunëtorët) për të thënë : “Udri! Udri!”, njerëzit tanë “nuk do mbeteshin gjallë”?! Na kanë shpëtuar e na i kanë punuar të gjitha të ligat  … Siç po duket, edhe në këto dy rrafshet e sipër përmendura, ne shqiptarët po vazhdojmë të jemi sui generis!

Kontrolloni gjithashtu

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka pranuar kallëzimin penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

Në raportin vjetor të organizatës “Freedom House” janë përmendur rastet e Shemsi Hazitit, Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt

Në raportin vjetor për vitin e kaluar 2023 të organizatës ndërkombëtare “Freedom House” është përmendur …