Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Kodi i telefonisë, a është kod i Shtetit të Kosovës?

Ne një rast të tillë, opinioni ynë, gjithë komunitetet e organizuara, duhet të kërkojnë: botimin e këtyre letrave. Letrën e Serbisë drejtuar ITU-së si dhe atë te Austrisë!

Ditë më parë, eksperti i Telekomunikacionit, zotëri Ismet Hamiti, i bëri Prokurorit te Shtetit ftesë publike, për ta hetuar procesin e bisedimeve për telekomunikacionin. Për ketë proces eksperti Hamiti, eksperti më i mirë që kemi për ketë fushë, thotë zëshëm e argumentueshëm se është krim ekonomik e financiar, mbase edhe politik, për të cilin ai kërkon hetim nga Prokuroria e Shtetit. Por e gjithë çështja është: A kemi Prokurori e Prokuror kredibil, profesional e të pavarur që do të merrte një vendim shumë të vlefshëm për ta mbrojtur interesin e kombit e të shtetit?!

Kur një ekspert ndër më profesionalet që kemi për ketë fushë, një njeri që për vite punoi në institucione përkatëse ndërkombëtare, me përvojë të gjatë pune dhe moshe, e ngritë para opinionit një shqetësim të argumentuar shumë mirë, shtron domosdoshmërinë për një reagim te shpejtë e profesional te Prokurorit të Shtetit. Hamiti thotë se: “Me marrëveshjen për Telekomin, Kosova ia ka falur Serbisë 1.202.929.500 euro”. Humbja është gati e barabartë përafërsisht sa është Buxheti vjetor i shtetit tonë. Kryeprokuror, në raste të tilla, kush e ka për obligim t’i filloi hetimet?

Kjo që e thoshte ditë më parë z. Ismet Hamiti, sot më 12 dhjetor 2016, nga Brukseli po e thotë edhe Agustin Paloka. Ai sot në Koha Ditore po shkruan: “Nuk ka ende përgjigje të qartë në pyetjen se a është kodi për Kosovën, kod shtetëror sikur për të gjitha shtetet, siç pretendon Kosova, apo “kod gjeografik” që ka kërkuar Serbia “për krahinën e saj të Kosovës dhe Metohisë”. BE-ja insiston që pa marrë parasysh se çfarë mund të ketë shkruar Serbia në letrën drejtuar ITU-së, “Serbia jep vetëm pajtimin”, ndërsa kërkesën e ka dërguar Austria. Por edhe letra e Austrisë, teksti i së cilës ishte dakorduar në Bruksel, kërkesën e ka bërë “në emër të Serbisë dhe Kosovës.”

Ajo që është e qartë në ketë rast, janë dy letra, një letër e dërguar nga Serbia dhe tjetra nga Austria. Këto letra për opinionin nuk janë publike dhe këto letra duhet të bëhen transparente për publikun. Ne një rast të tillë, opinioni ynë, gjithë komunitetet e organizuara, duhet të kërkojnë: botimin e këtyre letrave. Letrën e Serbisë drejtuar ITU-së si dhe atë te Austrisë! Këto letra dhe gjithë atë që po shkruhen e thuhen për marrëveshjen për Telekomunikacionin me Serbinë, duhet që ta vejë në Lëvizje Prokurorinë e Shtetit!

Jakup Krasniqi: Paaftësia e qeveritarëve tanë për të bërë politikë kombëtare

Çka na kanë treguar bisedimet dypalëshe në mes të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel, natyrisht me ndërmjetësimin e të fundit? Që në fillim duhet thënë se kanë treguar dhe dëshmuar hapur që përfaqësuesit tani ishin më shumë se të papërgatitur për të zhvilluar bisedime. A thua, çka i bëri këta njerëz, eksponentë të politikës sonë, kaq të paaftë për të biseduar me palën serbe, kur të njëjtit në Kosovë janë aq shumë të zhdërvjelltë, derisa të gjitha mossukseset t’ua hedhin oponentëve politikë dhe shumicës së qytetarëve te Kosovës? Për mua mbetet një enigmë vërtetë e madhe! Përse e ngarkuara për bisedime, e sidomos kryeministrat (Thaçi-Mustafa), edhe përkundër lëshimeve të mëdha që ua bënë Serbisë në Bruksel (lëshime këto që vetëm ata mund t’ua dinë arsyen), nuk e arritën liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës? Dhe jo vetëm kaq, por Brukseli, si kusht për liberalizimin e vizave, e futen edhe demarkacionin! Këto çështje hapin shumë pyetje. A thua, përse, si ndodhi dhe përse po ndodhin këto gjëra tepër të dëmshme për Kosovën?

 Dhe pyetjet zinxhirore, nuk kanë të ndalur, po më kryesorja do të qe: këta njerëz të veshur me pushtet e “përgjegjësi”, a thua, çfarë mbrojtën atje? Në Bruksel, pra! Kosovën? Nuk ma ha mendja! Veten e tyre? Kjo, mbase, po! Sepse, me kushtetutë e ligjet në fuqi, ata ishin e janë të obliguar që t’i mbrojnë qytetarët dhe shtetin e Kosovës, tërësinë territoriale dhe sovranitetin e shtetit për çka e kanë mandatin nga qytetarët e Kosovës. Pra, gjatë gjithë këtyre viteve në Bruksel ata nuk i mbrojtën asnjë nga këto kolona e postulate të panëpërkëmbshme! Atëherë, le ta përsërisim pandalshëm: kë mbrojtën këta njerëz në Bruksel? Përgjigjja më e shkurtër do të ishte: Mbrojtën veten e tyre dhe pozitat e marra me makinacione nga më të ndryshmet!

 Fundja, nuk jam kundër që të tillët të mbrojnë veten e tyre, se mbrojtja është e drejtë e gjithsecilit, por jo që mbrojtja e tyre të jetë në dëm të interesave të kombit e të shtetit. Prandaj ata duhet t’i dorëzojnë te bashkë-partiakët e tyre pozitat shtetërore që mbajnë, pasi ata janë të shantazhuar nga drejtësia vendore e ndërkombëtare! Druaj se mbase janë të shantazhuar edhe nga Beogradi! Ndryshe s’kanë si arsyetohen të gjitha këto lëshime të njëpasnjëshme, evidentimi i të cilave nuk është objekt i këtij shkrimi, por dukuria, fenomeni, papërgjegjësia! Gjithsesi, kjo zbulon jo pak “faje” të bëra në dëm të qytetarëve të Kosovës në periudha të ndryshme kohore! Këta “përfaqësues” të padenjë duhet ta dinë, ta kuptojnë dhe të reflektojnë esëll se dorëheqja e tyre është shpëtimi i Republikës nga degradimet e mëtejme të politikës sonë në raport me BE-në, veçanërisht por edhe me Perëndimin përgjithësisht. Sepse, mbi të gjitha, do të shpëtojë shteti ynë dhe proceset politike që po zhvillohen në Kosovë dhe për Kosovën.

Barrikadimi i tyre në krye të institucioneve më të larta të shtetit, për interesa krejt personale dhe assesi për interesat të vendit, pa dyshim që do të ketë pasoja afatgjate për Kosovën. Kjo gjendje, me pasojat e deritashme dhe ato që pritet të ndodhin si rrjedhojë, nuk i duhen askujt në Republikën e Kosovës! Ne nuk mund të paragjykojmë nëse kanë apo nuk kanë të drejtë, por me akuzat që janë ngritur ndaj tyre dhe kushdo që të ishte në vendin e tyre, do të duhej që t’ia lëshonin frymën zhvillimeve pozitive në Kosovë. Largimi i tyre domosdoshmërisht duhet të ndodhë ose me dorëheqje ose me zgjedhje të jashtëzakonshme. Këta njerëz duhet ta dinë se, kushdo i huaj, që i mbron ata edhe duke bërë me gisht nga opozita “jodemokratike”, po i mbron që sa më parë të përfundojnë disa procese të dëmshme, që janë zhvilluar e pritet të zhvillohen për dhe rreth Kosovës.

 Si përfundim do thosha se gjithë procesi i bisedimeve të Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë, rezulton i papërgatitur, jotransparent, i korruptuar, i komprometuar! Si i tillë, s’ka sesi të mos emërtohet me emrin e vërtetë, thënë pa ekuivok se ka rezultuar të jetë shumë i dëmshëm për Kosovën dhe të ardhmen tonë përgjithësisht. Kulmi i dëmeve që kanë prodhuar këto bisedime janë sot e gjithë ditën: Bashkësia e Komunave serbe (jashtë çdo standardi të BE-së!), marrëveshja për gjyqësorin, “integrimi” i strukturave paralele (rojet e urës), marrëveshja për telefoninë dhe lejimi i murit ndarës (amfiteatrit!)… Këto, së bashku me një mori marrëveshjesh që nuk i cekem, jo vetëm që i bëjnë jofunksionale institucionet e shtetit, por i nënshtrohen diktatit të Beogradit, mbase edhe më shumë se kaq!

Prandaj, ndërprerja e këtyre bisedimeve, kështu siç kanë precipituar, është një hap më se i domosdoshëm. Kësaj domosdoshmërie duhet t’i ndihmojnë edhe deputetët e partive të koalicionit, nëse vërtet duan që të jenë përfaqësues të denjë të kombit e të atdheut. Sepse, ndryshimi nga rrjedhat negative në rrjedha pozitive varet shumë nga këta te fundit! Muri ndarës, duhet thënë këtë, është alarmi i fundit, kambanë e fundit se Kosova po shkon drejtë ndarjes! Të veprojmë tani, se nesër mund të jetë vonë!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …