Brickos

Krimet Serbe ne Kosove

Jakup Krasniqi: Po, Kosova është djep i krimeve serbe kundër shqiptarëve

Mediet tona, siç ndodhi më 26 prill 2018, si zakonisht, nuk hezitojnë të na shpërfaqin dërdëllitjet e zyrtarëve të lartë serbë,  për Kosovën e shqiptarët. Të atyre zyrtarëve të sotshëm, që dje ishin zyrtarë të zellshëm të politikave të krimit e të gjenocidit serb pikërisht në Kosovë! Në fakt, të gjitha politikat serbe ndaj shqiptarëve, që nga Garashanini (1844) e deri më sot kanë qenë e kanë mbetur: Politika të krimit e të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, duke kulmuar me pranverën e vitit 1999!

Se çfarë ka ndodhur nga pranvera e vitit 1981 deri te pranvera e 1999-tës nuk ka ndonjë politikan, diplomat, intelektual apo gazetar e publicist në botën demokratike që nuk e di sesi janë zhvilluar ngjarjet në Kosovë nën diktatin e udhëheqjes serbe.

Për t’i kujtuar e rikujtuar këto ngjarje të dhimbshme e tragjike të kombit tim me shtynë deklarimet e Kryetarit të Serbisë,Vuçiqit, dhe Kryediplomatit serb, Daçiqit. Vuçiqi në intervistën dhënë Guardian-it paska thënë: “Ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo çështje të vetme, jemi gati të marrim parasysh çdo propozim të vetëm që do të nënkuptonte një zgjidhje kompromisi.” Te gjithë në BE, në SHBA, madje edhe Rusia (si anëtare e GK) dhe Serbia e dinë mirë se politika zyrtare e Kosovës kompromisin e madh e kanë bërë në Bisedimet e Vjenës dhe të specifikuara në Dokumentin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës, në dokumentin zyrtar të miratuar nga vendet e përmendura. Ndërsa tjetri, Daçiqi paska thënë: “Askush nuk mund të na frikësojë duke na bërë shantazh. Ne do të vazhdojmë që t’ju tregojmë të gjithëve që në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me shkëputje dhe separatizëm, të cilat janë kundër ligjeve ndërkombëtare. Serbia nuk do ta njohë këtë shtet falso.” Gjithashtu të gjithë e dimë se me kërkesën e Serbisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila e ka të drejtën e interpretimit të së Drejtës Ndërkombëtare, ka konstatuar se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Nuk ka asnjë dyshim se këta zyrtarë të lartë serbë, në deklarimet formale janë shumë të rezervuar me të gjithë ideologët e politikës së mitit serb që Kosovën e quajnë: “Djep serb”. Por kjo që e thonë ata nuk është e saktë. E sakta është se: “Kosova është djep i krimeve dhe i gjenocidit serb”.Të dhënat që e konfirmojnë këtë që e nënvizova janë të vitit 1913 dhe të thëna nga autorë të huaj, si hebreut Leo Freundlich dhe gjermanit Hans Peter Rrullman  si dhe letrave të ushtarëve serbë të botuara në gazetën serbe “Radniçka Novine” të vitit 1913. Hebreu Leo Freundlich shkrimin e tij të titulluar “Golgota shqiptare”, në fillim në pasusin e dytë nënvizon: “Historia e këtij populli është një vargan i pandërprerë betejash shumë të përgjakshme kundër armiqsh nga më mizorët”. Kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër e njohu Shqipërinë londineze, ushtria serbe, që gjendej në Shqipëri, do të deklaronte: “Përderisa nuk po na e lënë Shqipërinë, ne duhet t’i shfarosim shqiptarët, kjo është zgjedhja e tjetër nuk ka”.Pra, sipas politikës serbe, politikë e përsëritur vetëm brenda shekullit XX, jo më pak se tri herë, “Shqiptarët duhet shfarosur”! Politika serbe, si ajo e mbretit (1913), si ajo e Jugosllavisë së Versajës dhe ajo e AVNOJ-it, e deri te Serbia e Millosheviqit (1989-1999), janë mbështetur në gjuhën e çizmes së ushtarit e xhandarit serb, për të cilën gjuhë autori Freundlich shkruan: “Gjuha e çizmes me gozhdë, e çizmes brutale e çnjerëzore të ushtarit të shfaqur në mënyrën më të llahtarshme. Fshatra të panumërta janë rrafshuar për tokë, dhe, po kështu, një sasi e panumërt njerëzish janë therur si bagëtia në kasaphanë, vetëm shtazërisht”. Dhe autori vazhdon:“Një popull i tërë rrjedhë gjak atje ku e kanë kryqëzuar – por Evropa nuk pëshpërit çoftë edhe një fjalë”. Nuk ka asnjë dyshim që gjendja ishte e rëndë, në çdo fshat e qytet të Kosovës, të Maqedonisë e të Shqipërisë së kohës, kudo ku sundonte çizmja e ushtarit serb.

Kjo gjendje e kishte shtyrë edhe Pierre Loti-n të thoshte: “Një popull trim, një popull të shquar, po e torturojnë të mbërthyer në kryq përpara syve të gjithë botës. Por Evropa, Evropa Kristiane, Evropa e civilizuar, nuk po flet qoftë edhe një fjalë për këtë. Me dhjetëra-mijëra numërohen njerëzit e pambrojtur të cilëve u ka kaluar qafa nëpër tehun e thikës e të bajonetës, gratë e përdhunuara, pleqtë dhe fëmijët e mbytur, me qindra fshatra të djegur e të rrafshuar për tokë; priftërinj të lënë pa frymë. Por Evropa vazhdon të heshtë.”

Nëse e shohim atë që e thotë, z. Bue  për Ballkanin, për pasuritë e popujt e tij, më se miri e shohim se nëpër çfarë Golgote ka kaluar populli shqiptar që nga dekada e parë e shekullit XX. Sipas Hans Peter Rrullman, i cili citon Buen për numrin e popujve të Ballkanit, thotë: “Serbia ka pasur më pak se nëntëqind mijë banorë, kurse Shqipëria ka pasur një milion e gjashtëqind mijë. Sipas rreptësisë se tij shkencore, në mesin e shekullit të kaluar (XIX) ka pasur më shumë shqiptarë sesa grekë dhe dy herë më shumë shqiptarë sesa serbë. Pas holokaustit të kriminuar mbi popullin shqiptar, në fillim të këtij shekulli, vargani i krimeve serbe vazhdon, me qëllim që të përfundojë krejtësisht gjenocidi mbi shqiptarët.” Dhe më pas autori me të drejtë konstaton: “Politika e denigrimit të të drejtave të nacionalitetit shqiptar është realizuar përmes mbytjes fizike të sa më tepër shqiptarëve që të ishte e mundur.”

Këtë që e thamë më lart më së miri e ilustron letra e ushtarit serb nga Luma dhe i cili shkruan: “Mund të them se Luma nuk ekziston më. Gjithçka është shndërruar në kufoma, hi e pluhur. Kishte fshatra me nga 100, 150 e 200 shtëpi në të cilat nuk ngeli absolutisht askush gjallë, askush gjallë….I mblidhnin tubë, 40 deri 50 njerëz, dhe, ashtu si ishin, grumbull, i thernin të gjithë me thika. Plaçkitje ordinere u bë kudo. Oficerët plaçkitën kope të tëra bagëtish dhe i shitën përmes ushtarëve në Prizren.”

Krimet serbe ndaj shqiptarëve

Ja edhe një përshkrim rrëqethës i Leon Trockit, parë me sytë e tij, botuar në “Kievskaja Misl”, në dhjetor 1912

 

“Trishtimi im filloi porsa e kaluam kufirin. Në orën 5 pasdite iu afruam Kumanovës. Dielli po perëndonte dhe errësira tashmë kishte fituar terren. Sa më shumë errësohej, aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtëllunga zjarri, deri te hekurudha. Ishte ky shembulli i veçantë i një lufte të tmerrshme shkatërruese që pashë në zonat e luftimeve. Në një çast, pasuria e atyre njerëzve, e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund, po kthehej në flakë. Kjo monotoni zjarri na përcolli gjatë gjithë rrugës deri në Shkup.” Shkrimi i plotë i Leo Trockit të lë pa mend!!!

Pikërisht këto politika të krimit e të gjenocidit serb, janë përsëritur edhe para e pas Luftës së Dytë Botërore dhe kulmi i saj është arritur në Luftën e fundit 1998-1999. Pa dyshim që më e dhimbshmja është se këto politika të gjenocidit me gjakftohtësi hardhuce kanë mbetur të pandëshkueshme.

Si rezultat i kësaj, politika e sotme serbe jo vetëm që nuk është penduar, por vazhdon me kërcënime të reja ndaj Kosovës si djep te gjenocidit serb!

Adil Fetahu: Kryqëzatat serbe kundër shqiptarëve

Kontrolloni gjithashtu

Protestat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – III

-20- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                  Ambasada britanike Departamenti Sovjetik …