Jakup Krasniqi: Qeveritarët me etiketime e hipokrizi nga arsenali i viteve ’80 e ‘90

Të nderuar deputetë  të koalicionit qeverisës dhe ish kolegë partiakë (PDK – LDK), nëse Ju nuk distancoheni nga etiketimet  që po i bëjnë qeveritarët e zgjedhur nga Ju për opozitën, në fakt për vendin e popullin tonë, do t’ju dënojë historia?

Ata po e akuzojnë popullin dhe vendin që e përfaqësojnë, duke thënë: “Opozita po luan me sentimentin kombëtar ashtu siç vepruan Hitleri dhe Millosheviqi”. Po i krahasojnë edhe me ISIS-in, me ideologjinë dhe flamurin e tyre?!

Qeveritarët e Kosovës, shumica e të cilëve, kurrë dhe në asnjë kohë nuk kanë qenë dhe nuk janë të gatshëm, vendit dhe popullit të vet t’ia bëjnë një argat si duhet. Nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të janë të gatshëm që ta rrezikojnë as edhe një gisht të vogël për Republikën e Kosovës, përveç se me grabit çdo gjë për veti e sejmenët e tyre. Të njëjtit nuk hezitojnë ta akuzojnë opozitën me etiketime më të urryera të Kohës?! Po me ketë gjuhë flisnin edhe shqipfolësit e jugosllavizmit.

Kujt i duhet kjo?

Nëse dikush në Kosovë mund të krahasohet me Millosheviqin dhe regjimin e tij kriminel e gjenocidistë, bile edhe më keq se kaq, janë qeveritarët e sotëm,  të cilët jo vetëm që se kanë luftuar atë regjim monstrum, por kanë qenë pjesë e atij regjimi ose sehergji të tij. Përndryshe si t’i kuptojmë përçmime  që këta qeveritarë ua drejtojnë opozitarëve në tërësi apo një pjese të saj: nacionalistë, hitlerianë e millosheviqianë, isis-të e të ngjashme, derisa edhe paskan përdorur simbolit e një grupi të cilësuar nga e tërë bota – terroristë. Këto gënjeshtra nuk ka asnjë dyshim po ju drejtohen njerëzve që e duan ketë vend dhe janë vërë në mbrojtje te interesit kombëtar, interes që është rrezikuar shumë nga këta qeveritar! Madje, po këto etiketime i ka përdor edhe regjimi i Serbisë, para se Kosova të refuzohej nga UNESCO. Këta njerëz që janë në krye të qeverisë së Kosovës, epitetet i kane huazuar nga Daqiqi e regjimi i Beogradit, i djeshmi dhe i sotshmi?!

Këtu natyrshëm shtrohet pyetja: Këta qeveritarët tanë, a janë në koalicion me Vuciqin e Daciqin për ta ndarë pushtetin në Kosovë, në një anë, e në anën tjetër para botës për ta linçuar opozitën, pse kjo po kërkon ta mbrojë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës! Këta njerëz që po i shqiptojnë këto banalitet kanë humbur çdo të drejtë për të qenë në institucionet e Republikës së Kosovës. Në fakt, këta nuk kanë probleme me mjetet që përdor opozita e bashkuar, problemin e kanë me kërkesat e tyre të drejta për Republikën sovrane.

Qeveritarët e Kosovës, në vend që të ishin mbrojtës të shtetit, janë kthyer në akuzues të tij, se në ketë vend paska: hitlerianë, millosheviqianë, isistë etj. Me formulimet  më të përfolura e më të urryera të kohës sonë?! Madje, kjo jo vetëm që është gënjeshtër, por është edhe çmenduri ose budallallëk i rëndë.

Nga këta njerëz nuk duhet pritur asgjë e mirë e njerëzore?! Mania për pushtet i ka bërë këta njerëz psiqikisht të pa përgjegjshëm. Prandaj, po kërkoj nga deputetët e pozitës, nga ata të PDK-së e të LDK-së, që disa nga ata kanë pasur një angazhim politik serioz e kombëtar në të kaluarën, që këtyre njerëzve të cilat nga pozitat e larta të shteti e akuzojnë shtetin e tyre, t’ua marrin mandatin, duke ua bërë të qartë se kështu nuk qeveriset vendi. Nëse veprojnë kështu, do t’ia bënin një shërbim të mirë popullit e vendit të tyre. Shumëçka është në duart e tyre. Unë ju them, ish-kolegëve të mi partiakë e parlamentarë, se situata politike dhe e sigurisë nuk është e mirë! Ata e kanë mundësinë që ta gjejnë zgjidhjen e duhur për shtetin. Prandaj e kanë për obligim që t’i ndërgjegjësojnë qeveritarët e pa ndërgjegjësohem, duke ua hequr mundësinë për të keq qeverisur.

Këta njerëz që fatkeqësisht gjenden në krye të qeverisë së vendit tonë, janë të gatshëm që për interesat e tyre krejt personale ta rrënojnë shtetin e krijuar pas sakrificave të gjeneratave të tëra. Ndryshe nuk mund të kuptohet kjo marrëzi e pa fund e këtyre pushtetarëve?!

 

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në takim me kryeministrin Kurti pajtohet për shpërndarjen e Kuvendit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vlerësuar  takimin e tij me kryeministrin Albin Kurti, duke …