Dr. Rexhep Qosja

Jorgo Mandili: Rexhep Qosja për oligarkinë politike dhe sovranin e nëpërkëmbur

Liria mund të shfrytëzohet mund të përdoret në mënyra të ndryshme prej njerëzve të ndryshëm: prej dikujt shfrytëzohet në radhë të parë për shprehje të lirë të mendimit; prej dikujt në radhë të parë për të fituar pasuri; prej dikujt në radhë të parë për të krijuar karrierë politike pavarësisht me çfarë mjetesh; prej dikujt për të penguar ngritjet e të merituarve dhe të diturve; prej dikujt për të urryer; prej dikujt në radhë të parë për të gënjyer e prej dikujt për të sharë e për të fyer të madh e të vogël, burra e gra! Dhe për shumëçka tjetër…”  – Rexhep Qosja

Dhe për shumëçka tjetër… Do të mësoni tek libri i promovuar së fundmi në Panairin e Librit, “Pushteti i korruptuar”, të iluministit të mendjes shqiptare, Rexhep Qosja. Por… kujdes se mos e ngatërroni me librin e Orhan Pamukut “shqiptar”, Pushteti, i “historianit konpilues”, Blendi Fevziu, i cili nëpërmjet bombardimit mediatik, i indoktrinon turmat mesatarisht inteligjente dhe mesatarisht delikuente me imazhin e shkrimtarit nobelist.

Dhe këto turma symbyllurazi vërshojnë drejt këtyre autorëve për të blerë një libër me autograf e për të bërë një “selfie”. Pa e ditur përmbajtjen e librit, por e sigurt që edhe po ta dinin ajo kategori nuk ka për ta lexuar dhe fatkeqësisht pas një viti, dy apo pesë vitesh askush s’ka për t’i kërkuar këto libra panairesh të këtyre “shkrimtarëve të panaireve”.

Kjo ndodh edhe për mungesë të një mendimi profesional që t’i drejtojë lexuesit tek letërsia e mirëfilltë e autorëve të afirmuar, të cilët me veprat e tyre japin mesazhe iluminuese për njerëzit që dinë të lexojnë dhe t’i kuptojnë këto mesazhe. Libri nuk duhet të trajtohet si mall konsumi dhe të tregohet me logjikën e tregut. E hapa këtë parantezë për të treguar se tjetër gjë është Pushteti i R. Qoses, që për mendimin tim duhet lexuar me detyrim nga të gjithë ata njerëz që nuk duan të gënjehen e të mashtrohen nga “demokracia totalitare në Shqipëri dhe Kosovë, e zbatuar në mënyrë skllavopronare”.

Është një libër, që mjafton ta lexosh dhe ke mësuar çfarë, si dhe pse kanë ndodhur të gjitha ato vjedhje, uzurpime, mashtrime, vrasje, fyerje e gënjeshtra gjatë këtyre 25 vjetëve të këtij tranzicioni të pafund që e ka çuar popullin drejt mjerimit dhe varfërisë, kurse një kastë injorantësh e provincialësh drejt pasurive përrallore. Duhet lexuar edhe për shumëçka tjetër… Për sovranin e mashtruar, manipuluar, shfrytëzuar dhe sunduar prej një oligarkie politike, e ardhur në pushtet prej shtresës së varfër më shpesh fshatare se punëtore, ku e kaluara e saj, varfëria e saj, kanë përcaktuar sundimin e saj, sjelljen e saj, pangopësinë e saj materiale dhe pushtetore në politikën e brendshme dhe çirakësinë e saj në politikën e jashtme.

Duke mos qenë të kultivuar, të zbutur as prej edukatës, e as prej kulturës, duke mos qenë të ndalur para të këqijave as prej idealit e as prej fesë – ishte kjo politikë, më parë se prej arsyes, e përcaktuar prej instinkteve otomane, që do të sundojë me megalomani të pa masë e me vrazhdësi dukshëm egër, me arrogancë të shfrenuar, me papërgjegjshmëri të pandalshme e gjithë kjo e stolisur me gënjeshtra, me mashtrime, me pabesi, me shpërfillje, me fyerje të poshtra e nëpërkëmbje të dinjitetit njerëzor.

Dhe për shumëçka tjetër… Për korrupsionin e pështirë në të gjitha institucionet e në të gjitha nivelet, nepotizmin, si dëshmi e primitivizmit të pa tejkaluar, plaçkitjen e pasurisë kombëtare, si dëshmi e babëzisë kriminale të demonstruar me privatizimet misterioze e të kriminalizuara, për sundimin e te vërtetave prej rrenave e mashtrimeve, për pushtimin e të drejtave prej padrejtësive, për rënien e vlerave para sulmeve feudale të prishësve.

Dhe për shumëçka tjetër… Për shtetin, që nuk është bërë ende shtet i së drejtës, por ende shtet i pushtetarëve, që e shohin atë pafytyrshëm si shtëpinë e tyre private, që drejtohet jo si shtet demokratik modern, por si despoti orientale. Për tribunat e mediat të quajtura demokratike, janë pushtuar jo për diskutime të kulturuara, të argumentuara, me të cilat paraqiten dhe mbrohen e drejta dhe e vërteta, por për aktrime të padenja analistësh, opinionistësh, politikanësh e deputetësh deri në Kuvend, ku ushtojnë fyerjet, kërcënimet, gënjeshtrat, mashtrimet e demagogeve, të diletanteve, të frazeologëve, të injorantëve, të privuarve prej vetëdijes më themelore etike, plotësisht të papërgjegjshëm për pasojat e fjalës së vet.

Dhe për shumëçka tjetër… Për lëkurzhveshët apo lëkurndërruesit, që nuk është rastësi. Shpesh, ne si popull e kemi ndërruar dhe vazhdojmë ta ndërrojmë edhe sot lëkurën. Shpejt dhe lehtë. Pse? Për qejf a pse ishim të detyruar? Edhe për qejf edhe pse ishim të detyruar duket, që nga ilirët që u bënë romakë, arbrit ku një numër i madh i tyre u bënë katolikë dhe një numër tjetër u bënë ortodoksë; më vonë gjatë otomanizmit një pjesë e mirë e tyre u bënë myslimanë; në kohën e komunizmit një numër shumë shumë i madh u bënë ateistë; mbas vetëvrasjes së komunizmit një shumicë dërmuese e quajtën të arsyeshme dhe të leverdishme, të propagandojnë krishterimin.

Domethënë: si ideologjitë politike ashtu edhe ideologjitë fetare ne do t’i ndërrojmë gjatë historisë dhe do t’i ndërrojmë lehtë e shpejt. Por nuk ka dyshim se lekurzhveshët më të neveritshëm dhe më të padurueshëm, në historinë tonë kombëtare, janë njerëzit politikë të kohës sonë: ishin marksistë, u bënë antimarksistë, ishin stalinistë e u bënë liberalistë, ishin revolucionare dhe u bënë reaksionarë, ishin bajraktarë e u bënë liderë, ishin nacionalistë e u bënë internacionalistë, ishin enveristë dhe u bënë zogistë, ishin ruajalistë dhe u bënë republikanë, ishin konservatorë dhe u bënë progresistë, ishin ateistë e u bënë fetarë hipokrit, ishin sunitë, u bënë katolikë, ishin ballistë e u bënë legalistë, ishin musolinistë e u bënë berishistë, ishin frikacakë e u bënë trima të mëdhenj, ishin të varfër e u bënë të pasur, ishin mediokër e u bënë doktorë e profesorë, madje disa syresh edhe akademistë pa vepra e studime shkencore.

Ishin çka ishin e u bënë çka nuk do të jenë gjatë! Këta janë SERVILËT E DIKTATURËS, puthadorët e të gjithë pushtetarëve më të shquar të diktaturës, kurse në disa raste edhe të privilegjuarit e saj, të cilët shpejt e shpejt do të ndërrojnë qyrkun dhe do të vetëshpallen viktimat e asaj diktature, kurse disa të tjerë, më të paktë, viktima-heronj! Do ta luajnë këtë rol artistik si në atdhe e sidomos jashtë atdheut.

Konvertimet e këtyre sugarëve të komunizmit në viktima nuk do të jenë të kota: në qafat e tyre, në duart e tyre, në sedrat e tyre, do të varen medalje e dekorata, diploma, certifikata, falënderime e mirënjohje, ku emrave dhe mbiemrave të tyre do t’u shtohen “honoris causa” e prof. dr…

Heronjtë-viktima, heronjtë e servilizmit, heronjtë e rremë do të bëhen kështu heronjtë e Demokracisë Totalitare të zbatuar si skllavopronare. Me ta do të mburret qeveria duke dhe u rritur rrogat deri në 30%, kurse pensionistëve e varfanjakëve të tjerë, që kanë krijuar të mirat materiale gjatë gjithë jetës së tyre, të mira të cilat i vodhën këta heronj-viktima, vetëm me 3%. A ka tallje e ironi, nëpërkëmbje e fyerje më të madhe se kjo për këto shtresa të ndershme e te pambrojtura?

Dhunues, demagogë, mashtrues, plaçkitës e të korruptuar: kjo është specia e re humane e krijuar në demokracinë totalitare të zbatuar skllavopronarisht.

Dhe për shumëçka tjetër… Do të njiheni me prijësit partiakë, që në të shumtën e rasteve e dëshmojnë rangun e kryefeudalit partiak, jo vetëm pse rrethohen me besnikë të fshatit a qytetit prej nga janë vetë, por edhe pse sillen, veprojnë, mendojnë, bëjnë çmos që të çmohen e të jenë prijës të përjetshëm, feudalë të vërtetë të partisë së tyre!

Uzurpimi i të gjitha partive në Shqipëri dhe në Kosovë për një kohë të gjatë fare qartë dëshmon se mentaliteti feudal në jetën shqiptare nuk shfaqet më si feudalizëm hapësinor, por si feudalizëm partiak, i rrethuar nga spahinjtë dhe vetë efendilerët e spahillëqeve më të vogla, që sundojnë. Për ta mbajtur këtë demokraci totalitare të zbatuar në mënyrë skllavopronare duhen çaushë, njerëz besnikë, të dëgjueshëm, të nënshtrueshëm, ndonjë i dijshëm dhe shumë të padijshëm.

Njerëz të tillë kryefeudalët partiakë do të gjejnë sa të duan: të rinj dhe të vjetër, femra dhe meshkuj, me shkolla fillore, të mesme dhe me fakultete, me magjistratura e doktorata, çerek intelektualë, çerek shkencëtarë, anëtarë akademish, çerek profesorë, rektorë universitetesh. Kjo e fundit me çerek është ajo që quhet elita provinciale, që nuk ka asgjë të përbashkët me pasionin njerëzor për të prodhuar të mira publike, por vetëm pasionin për të krijuar privilegje dhe pasuri nga firmat e tyre që quhen parti politike shqiptare.

Provincializmi sjell prapambetje në rrugë historike: sa mosdije, ai është papërgjegjshmëri, sa rrudhje e trurit, është dhe rrudhje e shpirtit. Më keq se kudo, provincializmi shfaqet te çoroditje gjuhësore politike e oligarkisë së sotme politike shqiptare, që e fyen rëndë kulturën politike të shoqërisë shqiptare. Prodhuese e parë, kryesore, e përhershme e kësaj gjuhe publike të çoroditur, që shpesh herë bëhet gjuha e urrejtjes është Sal-Ui-ja si kryetar i parë, mjeshtri i madh i hiperbolave dhe cilësoreve që shprehin fyerje, përbuzje, nënçmime, shantazhe, shpifje..

Nxënësi më i përkushtuar i Sal-Ui është autsajderi me emrin kuptimplotë Lulzim, i pa lulëzuar deri më sot, i nënçmuar, i parëndësishëm. Siç shihet prej ulërimave të tij shpesh të ngjirura, ai është i privuar prej çdo prirjeje për shprehje letrare artistike, përpos hiperbolizimeve që as vetë nuk i beson, të tilla si “shpirti i protestës do derdhet sot me përmasa gjigante”, ose “do bëjmë ndryshime epokale” etj. etj. Ndoshta këto ulërima e gënjeshtra janë nevojë për t’u lehtësuar prej ngarkesave psikike me të cilat e rëndon pamatshëm arrivizmi pushtetar!

Dhe për shumëçka tjetër… Dhe për shumëçka tjetër… Do ta gjeni në këtë libër. Do të kuptoni se shumë çka nuk është si e dëshirojmë, se në politikën tonë, në ekonominë tonë, se në arsimin tonë, se në shëndetësinë tonë, se në kulturën tonë, se në mediat tona, se në gjuhën tonë politike, ka shumë të këqija, që nuk durohen më.

Dhe, si të durohen më!? A mund të durohet ende pushteti politik i një njeriu që e ka marrë peng Shqipërinë dhe shqiptarët, a mund të durohet despotizmi demokratik i skllavopronarëve modernë i përfaqësuar nga një oligarki politike totalitare? Të varfrit punëtorë, fshatarë, veteranë, pensionistë, invalidë, jo vetëm janë pa punë, pa shëndetësi e pa arsim dinjitoz, por edhe fyhen, nëpërkëmben, sorollaten, shtyhen, pështyhen nga ana e zonjushkave apo kullarohollëve të administratës duke i përçmuar deri në neveritje. Harrojnë këta dhe ata se ato vende i mbajnë me taksat tona dhe jo me kuotat e partisë apo pasurisë së kryetarëve feudale apo deputetëve çaushllarë.

A do t’i durojmë më? Çfarë duhet bërë? Përgjigjen e këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave që ju shqetësojnë në jetën reale do t’i gjeni në këtë libër manifest për të nëpërkëmburit, të ndershmit, të urtët, të arsyeshmit që këta oligarkë të shtetit pushtetit, drejtësisë e medias i abuzojnë dhe spekulojnë, vetëm e vetëm që të sundojnë si feudalë!

Këto të vërteta do t’i gjeni në këtë libër. Do gjeni vendin tuaj se ku ndodheni, pse ndodheni dhe rrugët për të dalë nga gjendja ku ndodheni. Do gjeni VETVETEN! Këtë të vërtetë mund ta thotë vetëm një intelektual si R. Qosja, me identitet origjinal mendor e moral, që e di mirë çdo të thotë “E Mira Publike e Përgjithshme”. Ky përkushtim për të iluminuar ndërgjegjen e popullit të vet, gjë që e tregon edhe me këtë vepër të tij, e vendos atë në piedestalin e Rilindësve Kombëtarë. Sa liliputë duken të gjithë ata çerekë-intelektualë, analistë, akademikë, profesorë, doktorë, shkencëtarë që përpiqen në daljet publike apo mediat e tyre, të relativizojnë të vërtetën, për t’i vijuar shpëlarjen e trurit këtij populli të vuajtur!

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …