leoni

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Një fushatë zgjedhore e tipit titist

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup  Krasniqi ka reaguar kundër keqpërdorimit të nxënësve dhe arsimtarëve në fushatën zgjedhore që po e zhvillon në komunën e Drenasit kandidati për kryetar i PDK-së, Ramiz Llavdovci. Në ketë rast ai i ka pyetur  iniciatorët e ndryshimit të Kodit Penal e të Procedurave Penale: A e dinë ata se me cilin ligj a kod, sot është ndërprerë mësimi në shkollën e Komoranit, të Nekocit e të Kizharekës për t’i dëgjuar përrallisjet e kandidatit për Kryetar të Drenasit nga PDK-ja?

Dikush në Kosovë  këto ditë po na tregon përralla për fëmijë për netët e gjata të dimrit që po vije. Kështu mund të cilësohen përpjekjet për ndryshimin në Kodin Penal dhe Procedurat Penale. Jam më shumë se i bindur se problemi nuk është te Kodi Penal e as Procedurat Penale, por në mos gatishmërinë për të zbatuar ligjshmërinë në Republikën e Kosovës nga iniciatorët e ndryshimit. Problemi është se ata që e bënë iniciativën e ndryshimit të këtyre kodeve janë penguesit kryesor për zbatueshmërinë e ligjeve në fuqi.

Në ketë rast do t’i kisha pyetur iniciatorët e ndryshimit të Kodit Penal e të Procedurave Penale: A e dinë ata se me cilin ligj a kod, sot është ndërprerë mësimi në shkollën e Komoranit, të Nekocit e të Kizharekës për t’i dëgjuar përrallisjet e kandidatit për Kryetar të Drenasit nga PDK-ja? A duhet të ndërpritet mësimi në shkollat tona, për t’i dëgjuar të gjithë kandidatet, pasi secili mund të jetë kandidat potencial për t’u bërë Kryetar i Drenasit. Pastaj, mësuesit nuk janë punëtor të një subjekti politik e as paguhen nga buxhetet e partive politike, por nga buxheti ynë. Kush garanton se do të kompensohen orët e humbura? Kur dhe si do të kompensohen ato? Mbi cilin ligj, drejtoret e shkollave e kanë ndërprerë mësimin në ato shkolla? Kush ishin urdhërdhënësit për ndërprerjen e mësimit? Në rastet e tilla, cili duhet të jetë reagimi i Ministrit te Ministrisë së Arsimit? A guxon ai të reagon ndaj këtij keqpërdorimi të arsimtarëve tanë?

Urdhërdhënësit e këtij krimi a e dinë se në asnjë vend demokratik të Evropës e të Amerikës, arsimtaret nuk janë të obliguar që të jenë detyrimisht anëtarë të një partie politike?  Në cilin vend të botës ndodhë kjo, veç Korës Veriore? Në sistemin socialist të Titos e Rankoviqit, mësuesit detyroheshin për aktivitete të ngjashme. Por, a nuk e luftuam dhe a nuk e lemë prapa atë sistem kriminal? Çfarë është kjo demokraci që po na servojnë krerët e lartë të PDK-së? Kjo mund të jetë gjithçka tjetër vetëm kurrë jo Demokraci euroatlantike, për të cilën “demokraci” na përrallisin përditë këta njerëz të pa parime.

Natyrisht, këtu nuk janë të pa përgjegjësi as punëtorët e arsimit, të cilët pa asnjë rezistencë i janë nënshtruar veprimeve te dhunshme te zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilët dhunën dhe presionin e kanë bërë zanat të përditshmërisë se tyre. Dhe jo vetëm kaq, por këta njerëz që kanë pushtet e kërkojnë pushtet, pushtetin e tyre janë duke e përdorur për të shkelur pa mëshirë mbi integritetin e dinjitetin e njerëzve edhe më barbarisht se Tito e Millosheviqi para dekadash?! Kjo, çfarë janë duke bërë këta njerëz është më shumë se krim!

Vetëm këto veprime janë të mjaftueshme që qytetarët e Drenasit e në mënyrë të veçantë, mësuesit, arsimtarët, intelektualet dhe të rinjtë e të rejat e Drenasit të mbështesin pa rezervë kandidatin e Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlajn, i cili do t’i jepte fund njëherë e mirë këtij diktati të dhunshëm, diktat që i zhvesh njerëzit nga integriteti e dinjiteti njerëzor. Qytetarët e Drenasit, mësuesit e mësueset, të rejat e të rinjtë, këta njerëz duhet t’i zhveshin nga çdo formë e pushtetit që e grabisin me vota të vjedhura, të blera e të grabitura me mashtrime të ndryshme. Në Kosovë, askush më shumë se qytetarët  e Drenasit e të Drenicës, nuk kanë nevojë më shumë për liri mendimi, shprehje e demokraci veprimi, për qeverisje të mirë.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …