Jusuf Zenunaj

Jusuf Zenunaj: Mbahu nëno mos kij frikë…

Mbahu, Nëno, mos kij frikë.

Se t’shkuan djemtë n’Amerikë,

bashkë me ta edhe disa bija,

kështu deshi qeveria.

Dyzet veta, s’u bë nami;,

të gjithë i zuri avioni.

Kush kryetar, kush kryeministër,

truprojë e çantabartës,

rroftë buxheti i Kosovës,

askënd borxhi s’e ndjek pas.

 

1 tetor 2018

 

 

SIKUR TARZAN

 

Vajti në Ujman

sikur t’ish Tarzan,

askush s’guxoi,

Hashes cik t’i bën.

Nê barkën me motor,

shëtiti në liqe

edhe dielli u gëzua,

nuk u fsheh nën re !

Mbas ikjes në shtëpi,

zhurma s’ka rëndësi !

 

30 shtator 2018

 

 

O NJERËZ TË VENDIT TIM

 

O njerëz të vendit tim,

mos merrni mërzi,

seç bëj unë, presidenti

veç Zoti e di !

Tokën nuk e fali

gjithkush këtë ta dijë

edhe Rugova pati thënë

duhet korrigjim në kufij.

Luginën t’ia bashkojmë

Kosovës si dikur,

ndryshe në Evropë

për ne nuk ka udhë .

A n’nuk më patë me Trumpin

bashkë në fotografi ? !

Për mikun ma besnik

Amerika na di.

 

29 shtator 2018

 

 

EDHE SA KOHË…

 

Mjegulla e shekujve edhe sot na ndjek,

me tymin midis nesh , po e zgjasim vetë !

Kush i përgjumur nga tradhtia,

kush nga feja,

kush nga partia .

Serivilët e ditur e të paditur

nuk i lëshon lakmia.

Sikur me ngjyrat e përziera,

kur pikturon piktori në letër,

koha po ua zhveshë maskat të maskuarëve,

si këpurdhat e kalbura dalin me fytyrë tjetër.

Edhe sa kohë duhet të kalojnë,

dielli që ëndrruam të na rrezatojë ?!

 

22 shtator 2018

 

 

RAMA YNË

 

Rama ynë, kryeministri

ngado shkon fjalë t’mëdha lëshon,

çka thotë sot, nesër ” harron ” !?

Si n’ Preshevë si n’ Kuvend

gra e fëmijë i lë pa mend.

Kohët ikën ai vazhdon;

zhurma e fjalëve nuk pushon.

Gjuha e Ramës si tehu i shpatës,

në Samitin e Mërgatës,

si Qemali prej ballkoni,

flet e flet si Ciceroni,

Pse s’i themi puna e mbarë?!

Arën mos e lë pa farë,

atë që mbolle,

kur do të dalë….?

 

 

I PARI

 

Ndër fjalët e para

thotë se është i pari,

atdheun e përdor

sikur t’ishte dushk mali !?

Edhe kur nuk ndryshon moti,

ndryshon fjalën e tij

Fjala i shprushet vetëm në Bruksel,

nyjes me Vuçiqin kush fije s’i nxjerr !

 

15 shtator 2018

 

 

GOJËN PLOT ATDHE E KENI

 

(Simbas Hakërrimit të Ali Asllanit )

Që nga e hëna deri të dielen mbretëron një errësirë

si në fshat ashtu në qytet, vërshëllen një egërsirë !

Pra , të pangopur mbushni xhepat orë e çast,

derisa barku si daullja t’ju pëlcasë !

Hani,pini, rrëmbeni çka mundeni e dini,

duar e këmbë si mbledhësbari, keni horra !

Sot me kulla e me villa, dje në kasolla !

Në gjunj populli i përkulur nga varfëria,

nëna fshehtas fshin lot , kur bukë i kërkon fëmija.

Si me dro pyesin pleqtë, vallë, kështu qenka liria ?!

Nga më i vogli te më i madhi

thërrasin : “.. rroftë djersa e ballit” !

Është kafshatë e rrëmbyesit- matrapazit ?!

Me kamata nëpër banka brenda e jashtë,

emra të rrejshëm pesë a gjashtë.

Hani,pini, çka të mundeni rrëmbeni,

gojën plot atdhe e keni !

 

14 shtator 2018

 

 

PSE O POPULL ..

 

Dje i vure gjoksin stuhisë,

u përplase nëpër gurë,

të keqes nuk i hape udhë.

Në vetëtima djegë e përcëlluar,

rrugës pa rrugë ke shtegtuar

Në natën korb

e herë-herë me hënë,

plagët lidhe pa bërë gjëmë.

Sot, në ditën me diell,

pse o popull sytë ke mbyll ?!

 

6 shtator 2018

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …