Kadri Dauti: LETËR E HAPUR trupit gjykues të katër luftëtarëve të lirisë së Kosovës, Hagë

Zotërinj gjyqtarë,

Me besimin se përfaqësoj zërin e vërtetë të çdo shqiptari të ndershëm dhe fisnik, me betimin në nderin e dinjitetin tim si shqiptar, si ish-ushtarak dhe ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ju drejtohem publikisht për tu shprehur shqetësimet dhe indinjatën e thellë për ndodhjen para trupit gjykues të katër burrave fisnikë, shqiptarë të vërtetë, atdhetarë të flaktë të vendit të tyre, luftëtarë të lirisë dhe të paqes, qytetarë të nderuar: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, tashmë që procesi gjykues ka hyrë në fazën vendimmarrëse. Nuk ju shkruaj si politikan, as si zyrtar. Si intelektual shqiptar me integritet moral, me një shpirt të pastër, si një qytetar i lirë të botës, me besim se drejtësia ndërkombëtarë ka moral, do tu parashtrojë zërin dhe arsyet për pafajësinë e katër luftëtarëve të lirisë!
Me qëllimin e vetëm për drejtësi dhe vendimmarrje të paanshme, meqenëse gjyqi që ju zhvilloni kundër katër burrave të shquar të Kosovës është i përmasave kombëtare për ne, do zgjatem në këtë letër për tu ofruar një informacion të përgjithshëm rreth sfondit dhe rrethanave historike, politike dhe humane në të cilët ata janë detyruar të merrnin pjesë në luftën çlirimtare të Kosovës. Sepse e konsideroj të nevojshme, dhe të dobishme, ta keni këtë informacion të përmbledhur përpara se të merrni një vendim me peshë të madhe.
Jo vetëm personalisht, por të jeni të bindur që një komb i tërë shqiptar është shumë i indinjuar, dhe habitet, si mundet sot, kur sundon sistemi demokratik, të jenë para trupit gjykues katër luftëtarë të lirisë së Kosovës?! Katër drejtues të UÇK-së që i solli lirinë Kosovës martire nga pushtimi dy shekullor i Serbisë agresore, barbare. UÇK-së, që mbështetur nga NATO-ja, në një operacion ajror 78-ditor, çliroi një popull autokton nga bajonetat, pushkët, helmet, torturat, djegiet, masakrat e ushtrisë barbare serbe. Një ushtrie dhe policie shtetërore, që nën strategjinë nacionaliste të egër të shtetit barbar serb, kanë kryer gjenocide të pashembullta në shtetet fqinje Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë. Një ushtri e polici që ka kryer qindra masakra të tmerrshme mbi popullsitë e pafajshme fqinje si ajo e Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovinë, në 11 korrik 1995, me qëllimin e vetëm të zhdukjes si kombe fqinje të tyre, veçanërisht kombin Shqiptar.

Gjyqi është tërësisht politik.

Gjyqi kundër Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit është gjyq i pastër politik, kurrsesi për ata si individë. Ata janë thjeshtë viktima në këtë rast. Sepse dihet tashmë se Gjykata juaj është ngritur me investimin e Serbisë. Prokuroria ka ngritur akuzat mbi dokumentet e sajuara, të rreme të Shërbimit Shtetëror Serb, mbi dëshmitarë sajuar  të paguar, për një qëllim fashist: injorimi i luftës së UÇK-së dhe diskriminimit historik i Kosovës, përkatësisht Dardanisë. Se kjo është teza serbe: “Nëse dënohet H. Thaçi dhe të tjerët, dënohet edhe UÇK-ja”. Me këtë synohet lavdi për agresorin, Serbinë, dhe ndëshkim për çlirimtarët, UÇK-n, Kosovën. Për këtë synim të lig të jeni plotësisht të bindur. Sepse ne e njohim mirë karakterin barbar dhe intrigant të shtetit serb.
Katër burrat shqiptarë, që ndodhen para jush tashmë pesë vjet, padrejtësisht, kanë dalë vullnetarisht në luftë për liri, për mbrojtjen e familjeve dhe të popullit të tyre nga barbarët serbë. Ata kanë sakrifikuar çdo gjë për lirinë e vendit dhe popullit të tyre. Janë ata që kanë nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë në 1999, që kanë hartuar ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, që kanë votuar gjykatën tuaj, që kanë synuar marrëveshje reciproke me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve etj., pra janë katër ish-drejtuesit e UÇK-së. A nuk duket si drita e diellit se qëllimi i gjyqit ndaj tyre është tërësisht politik?
Si është e mundur të gjykohen fituesit, ata që ideal kishin vetëm lirinë e Kosovës, jo pushtetin. Ata që u mbështetën fuqishëm dhe u përkrahën nga BE, SHBA, Gjermania, Anglia, Franca, Italia, Turqia, nga NATO-ja, nga OKB-ja, nga gjithë bota e qytetëruar, se bënin një luftë të drejtë çlirimtare?! A duhen dënuar ata që ndaluan asgjësimin e një populli të tërë, të Kosovës, nga bisha serbe, në fundin e shekullit 20-të?
Ky gjyq është vazhdim i gjyqeve ndaj luftëtarëve dhe drejtuesve të tjerë të UÇK-së: Ramush Hajredinaj, Haradin Balaj, Isak Musliu, Fatmir Limaj etj., të cilët tashmë janë deklaruar të pafajshëm nga gjykata juaj në Hagë. Është vazhdim i hipokrizisë dhe sajesave të regjimit serb ndaj UÇK-së e Hashim Thaçit për ekzistencën e shtëpisë së verdhë në Shqipëri, nëpërmjet të paguarve nga Serbia Dick Marty dhe Carla Del Ponte, për të cilën u vërtetua se ishin akuza të sajuara qëllimisht nga Serbia, e cila e ka në karakterin e saj kombëtar gënjeshtrën dhe shpifjen, siç e pranon vetë akademiku serb, D. Qosiç.
Duhet ta dini se jo vetëm unë jam i befasuar dhe shokuar thellë me prokurorinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës, punën dhe kërkesën e saj për tu dënuar me 45 vjet burgim secilin prej luftëtarëve të lirisë së Kosovës, por çdo shqiptar, një komb i tërë është i indinjuar pa masë. Kurrë kombi shqiptar nuk do pranojë një ndëshkim ndaj bijve të vetë më të mirë. Sepse është një komb fisnik, trim, i besës dhe burrërisë, një vlerë themeli e qytetërimit evropian e perëndimor, i cili meriton të jetojë i lirë në trojet e veta, sepse “Liria e tyre është e lirisë së botës.” (George Washington).
Ju duhet ta kini parasysh se nuk po gjykoni katër drejtues të UÇK-së, por një komb të tërë të martirizuar nga Serbia barbare, që ka shekuj që zbaton një strategji (Naçertania) për të zhdukur kombin shqiptar. Një shtet që ka në karakterin e tij dhunën, agresivitetin, shpifjen dhe mashtrimin si kulturë. Dhe lufta e UÇK-së, mbështetur fuqimisht nga NATO-ja, SHBA-ja, Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Turqia etj., ishte grushti i fundit që iu dha një regjimi barbar, Serbisë, që ka qenë për dy shekuj jo vetëm agresori i fqinjëve të tij, por edhe preteksti i nisjes së dy luftërave botërore. Dhe vazhdon të jetë akoma faktori destabilizues e kërcënues i paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Betohem në nderin e shqiptarit, se jo vetëm asnjëri prej këtyre burrave të nderuar, por asnjë luftëtar i UÇK-së nuk ka kryer krim që parashikohet nga konventat e Hagës. Se ne kishim objektiv vetëm largimin e trupave pushtuese serbe dhe lirinë e Kosovës, jo hakmarrje ndaj ushtarakëve apo civilëve serbë, jo qëllim pushtetin politik. Për këtë mund të lexoni dhe shikoni betimin e luftëtarëve të UÇK-së, se ideali i tyre ishte vetëm liria e Kosovës. Sepse ne si komb nuk e kemi në gjak e karakter barbarinë, por nderin, besën, bujarinë dhe burrërinë.
Nëse duhet dënuar dikush, hajde na dënoni ne, 20.000 luftëtarëve vullnetarë të UÇK-së, gjithë komandantët e saj, që luftuam me armë në dorë kundër ushtrisë pushtuese serbe, dhe natyrisht kemi vrarë ata që duheshin vrarë në frontin e luftës! Dënoni edhe pilotët e avionëve bombardues amerikanë, gjermanë, anglezë e francezë si dhe komandën e operacionit ajror të NATO-s mbi Serbi, që gjatë bombardimeve “e kanë pësuar 80 e disa fëmijë serbë”, siç pretendojnë autoritetet serbe. Para gjykatës duhet të dalin edhe presidentët Clinton, Chirac, Demirel, kryeministrat Bler e Schröder, që kanë mbështetur e përkrahur këta katër ish-drejtues të UÇK-së. Përse kërkohet koka vetëm e drejtuesve tanë, që jam i bindur se nuk kanë qëlluar asnjëherë? Apo se nëpërmjet tyre synohet diçka tjetër: njollosja e luftës së UÇK-së dhe njollosja historike e Kosovës.
Me shpirtin e lirë dhe fisnik të një shqiptari, të një qytetari me shpirt human, me besim se morali, logjika dhe e drejta triumfon gjithmonë, dëshiroj të besoj në integritetin tuaj profesional dhe qytetar. Por sa shoh dhe dëgjoj, se kjo gjykatë është ngritur, orkestrohet dhe mbështetet nga një shtet fashist si Serbia dhe nëntoka e saj, druhem fortë se vendimi juaj do të jetë sikurse ai i filozofit Giordano Bruno mbi turrën e druve në 1600! Kjo nuk duhet të ndodh kurrë nga një gjykatë e prestigjit ndërkombëtar! Sepse sot sundojnë morali, logjika dhe e drejta. Dhe këto të tria janë me popullin shqiptar, me luftëtarët e lirisë së Kosovës!
Druhem fortë për një vendim të drejtë e të paanshëm. Sepse kam parasysh interesat e mëdha gjeopolitike ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve që kanë Rusia dhe Serbia, që me gjeopolitikën e tyre gjatë dy shekujve të fundit kanë synuar dhe synojnë daljen në Mesdhe. Dhe prandaj u intereson shkatërrimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Prandaj Rusia nxit e mbështet Serbinë motër kundër shqiptarëve. Kësisoj, edhe gjyqi ka prapaskenë të fortë gjeopolitike nga Serbia dhe Rusia, veçanërisht tani në gjeopolitikën e trazuar. Ata bashkë synojnë akoma një perandori të madhe sllave të shtrirë edhe në Ballkan, për dalje në Mesdhe. Kjo bie ndesh me gjeopolitikën e Evropës dhe kërcënon seriozisht paqen e stabilitetin e Ballkanit dhe të vetë Evropës.

Prokurori e njëanshme dhe e varur.

Mbi të dhëna të besueshme, sikurse edhe opinioni publik shqiptar, prokurorët e Dhomës Speciale për Kosovën, që përfaqësojnë akuzën, njihen si njerëz të Beogradit. Dhe pritej, sikurse ndodhi, prokuroria foli në favor të agresorit, jo në mbrojtje të viktimës. Ky është turp!
Edhe vetë aktakuza e prokurorisë është tejet absurde: “grup i strukturuar kriminal”?!, “Krime kundër njerëzimit!” Kurrë, kurrë! 45 vjet heqje lirie për secilin?! Që këtej duket qëllimi i zi dhe njëanshmëria e saj.  Si është e mundur të dalin para gjykatës ata që luftojnë për lirinë e vendit të vetë, që sakrifikojnë gjithçka për mbrojtjen e familjes së vetë, vëllezërve dhe motrave të tyre?! Ata që luftuan kundër mizorive dhe gjenocidit të pashembullt në historinë njerëzore siç bëri Serbia, ushtria e policia e saj në Kosovë?!
A mund të konsiderohet e moralshme, e paanshme, një prokurori, e cila i konsideron pa vlerë dëshmitë e dëshmitarëve e personalitete të larta të shteteve demokratike perëndimore dhe institucioneve të sigurisë dhe diplomacisë Evropiane?
A nuk ngjajnë këto prokurorë me ish-prokuroren e Përgjithshme të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, Carla Del Pontes apo me Clint Williamsonit, që zhvilluan takime me funksionarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “me qëllim të përgatitjes dhe sigurimit të dëshmive materiale kundër UÇK-së” dhe kanë marrë “një libër dhe dosjet me mbi 27 mijë faqe”. A nuk ngjanë aktakuzat sikurse ajo e Del Ponte-s se gjoja “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në vitin 1998, kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u ishin hequr organet vitale, që u dërguan nga Aeroporti i Rinasit në klinikat jashtë shtetit, për t’u transplantuar pacientëve që paguanin.”?!, që përfundimisht rezultuan mashtrime dhe propagandë serbe? Një akuzë absurde!
Si intelektual mendje hapur, guxoj tu shpreh mendimin personal se sjellja e prokurorisë buron drejtpërdrejtë si pjellë e politikës antishqiptare të Evropës ndaj shqiptarëve në tërësi dhe Kosovës në veçanti. Vendet e fuqive të mëdha kanë thurur plane të fshehta për ta shkelur e shtypur me këmbë një popull heroik. Shqipëria dhe Kosova janë torturuar për shekuj me radhë në dhomat e errëta të diplomacisë evropiane. Mos vallë është kjo antipati ndaj shqiptarëve në diplomacinë evropiane që përfaqëson prokuroria e Dhomës Speciale për Kosovën? Dhe për ne, që e njohim mirë të kaluarën dhe të sotmen Evropiane, ky nuk është thjesht një aludim.

Politika shtetërore serbe për zhdukjen e shqiptarëve

Ju duhet ta dini se regjimet fashiste serbe, në vazhdimësi, në mënyrë sistematike kanë bërë terror mbi shqiptarët në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti, duke zbatuar në praktikë 24 elaboratet për shfarosjen kolektive të shqiptarëve, nga viti 1844, kur u hartua strategjia nacionaliste “Naçertanie” (1844), e deri më 1998 – 1999, kur u hartua Operacioni “Patkoi” i satrapit të Ballkanit, S. Milloshevic, të zhdukte këtë pjesë të popullit shqiptar, e bashkë me të edhe dëshmitë dhe çdo gjurmë të etnitetit shqiptar. Ju sjellë në vëmendjen tuaj elaboratin e 1937, një platformë e detajuar shtetërore e zbatuar nga Shtabi i Përgjithshëm dhe ushtria serbe për zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë, që pati pasoja katastrofike. Serbët e kanë në shpirt urrejtjen patologjike ndaj popullit tonë, sepse ua ka ngulitur politika dhe feja e tyre për të na zhduk si popull nga faqja e dheut. Sepse ideologët e tyre i kanë mësuar se nga mos ekzistenca e shqiptarëve varet vetë ekzistenca e serbëve.
Ju nuk dini vërtetë se çfarë vrasjesh e zhdukje masive, çfarë torturash çnjerëzore, kafshërore ka bërë ushtria dhe policia serbe mbi popullin e Kosovës, vetëm se janë shqiptarë. Terrori dhe barbaria e serbëve mbi shqiptarët nuk është ndalur asnjëherë, që nga ardhja e tyre në këto troje të Ilirisë. Në zbatim të strategjisë nacionaliste të Serbisë, shteti serb ka synuar zhdukjen e shqiptarëve për tu grabitur trojet e veta autoktone. Ka dy shekuj, që Serbia e frymëzuar dhe nxitur nga Rusia, ka përdorur çdo formë e mjet dhune për shfarosjen e shqiptarëve.
Kisha serbe u ushqen fëmijëve serb që në djep urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve. Shkalla e çmendurisë serbe ka shkuar deri në atë nivel, sa që edhe qindra foshnja janë nxjerr nga barku i nënës shqiptare, siç ka ndodhur edhe në luftën e fundit në Kosovë, më 1998 – 1999! Dhe këtë e ka bërë historikisht Serbia. Për të tilla masakra çnjerëzore të serbëve mbi shqiptarët, Leon Trotsky, dëshmitar, ka shkruar: “Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilët përdhunoheshin, lidheshin, dhe pasi bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë, dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzëna, u çahej barku me bajonetë, dhe pasi u nxirrej fëmija, vendosen në maj të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit, serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që ata gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të.” A mund të ketë krime dhe çmenduri më të madhe?!
Vetëm në vitet 1998-1999, nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe janë kryer mbi 400 masakra mbi popullsinë autoktone të pafajshme në Kosovë, si: masakra e Prekazit (5 – 7.03.1998, ku vranë 59 shqiptarë; e Kleçkës (27.08.1998) ku u dogj i tërë fshati, u vranë 8 shqiptarë dhe u plagosën mbi 30 fëmijë, gra e pleq; e Reçakut (15.01.1999) ku u vranë e u masakruan 43 shqiptarë; e Skenderaj (20.03.1999) ku u vranë 29 shqiptarë të moshës nga 15 – 70-vjeç; e Kotlinë të Kaçanikut (24.03.1999) ku janë ekzekutuar dhe masakruar 26 shqiptarë; e Podujevës (24-25.03.1999) ku janë vrarë 36 shqiptarë; e Celinës së Rahovecit (25.03.1999) ku u vranë e u masakruan 82 shqiptarë; e Krushës së Vogël të Rahovecit (25-26.03.1999 ku u vranë e masakruan 113 shqiptarë; e Krushës së Madhe të Rahovecit (25 – 27.03.1999) ku u vranë dhe masakruan 241 shqiptarë; e Izbicës të Skenderajt (28.03.1999) ditën e festës së Bajramit, ku forcat serbe ekzekutojnë 114 shqiptarë; e Qikatovës së Vjetër të Drenasit (17.04.1999) ku u vranë e masakruan 128 shqiptarë; e Mejës së Gjakovës (27.04.1999) ku forcat serbe ndaluan kolonën prej 500 civilësh shqiptarë, që largoheshin nga shtëpitë e tyre për t´i shpëtuar plumbave të ushtrisë serbe, dhe shumicën prej tyre i vranë e i masakruan dhe pastaj kufomat e tyre i dërguan në vende të panjohura etj., etj.
A i dini pasojat e politikës shtetërore dhe ushtrisë serbe në Kosovë vetëm për tre muaj në 1999: 14 mijë viktima të pafajshëm, prej të cilëve 1.400 fëmijë; 20.000 femra të përdhunuara; 1.600 shqiptarë të zhdukur; një milion shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre; 80.000 objekte të djegura e të shkatërruara etj. A ka më moral e logjikë këtu?! Çfarë lloj krimesh janë këto? A kanë dhënë llogari para drejtësisë ata që i kanë kryer ato?
A e dini që në Pejë, më 12 qershor 1999, në ditën e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, forcat serbe vrasin 5 fëmijë të mitur të familjes Balaj? Të gjitha këto masakra makabre janë të pandëshkuara. Nuk u dënua asnjë kriminel serb, sepse edhe qeveria e Kosovës, fatkeqësisht, nuk ka ngritur asnjë padi në Hagë për këto masakra, mbase me qëllimin e uljes së urrejtjes ndërmjet dy popujve shqiptar e serb. A ka burrë që mund të hesht e të ri duarkryq para këtyre masakrave monstruoze? Ku është drejtësia këtu? Kështu, në vend që atyre katër burrave fisnikë shqiptarë tu njihet veprimtaria humane dhe atdhetare, po ndodhen para gjykatës, sikurse Xhordano Bruno në turrën e druve në 1600! E papranueshme. Absurde!
Serbët janë vërtetë të paskrupullt. Mos shikoni propagandën dhe “Bela knjiga-t” e Sigurimit Shtetëror të Serbisë në funksion të strategjisë së prezantimit të shtrembëruar të aspiratave çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës. Ata janë vërtetë gënjeshtarë dhe hipokrit, me strategjinë, sulmi është mjeti më i mirë mbrojtës. A e dini sa intelektualë shqiptarë të Kosovës janë vrarë e zhdukur nga Sigurimi Shtetëror i Serbisë vetëm se kërkonin liri e të drejta qytetare e etnike? Qindra: Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Ukshin Hoti, Fehmi Agani, etj., etj. Mijëra intelektualë të tjerë kanë vuajtur e torturuar për vdekje në burgjet e Serbisë, përfshi Adem Demaçin – liderin e UÇK-së, Albin Kurtin – kryeministrin e sotëm të Kosovës. Fashistët serb arrijnë deri atje sa që i vrasin edhe fëmijët e vet, për t’ua lënë fajin të tjerëve, siç ishte rasti “Panda” në Pejë, në 1999, ku në një restorant të këtij qyteti, policia serbe vrau gjashtë fëmijë serbë, prej të cilëve pesë ishin adoleshentë. Pas 16 vitesh serbët detyrohen ta pranojnë zyrtarisht se këtë krim, si shumë të tjerë, e kanë bërë vet. Vetëm e vetëm për t’ua lënë fajin shqiptarëve dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e për t’i hasmuar shqiptarët me popujt e tjerë të Evropës dhe botës. Prandaj vendimi juaj ka peshë dhe rëndësi të madhe për të ardhmen e marrëdhënieve mes popullit shqiptar dhe popullit serb.

Zotërinj gjyqtarë,

Me vendimin tuaj, Ju keni një peshë të madhe për moralin dhe drejtësinë ndërkombëtare në të ardhmen. Një vendim i paanshëm, logjik, parimor, i drejtë i jep jetë progresit të qytetërimit dhe rendit botëror. Se u thoni qytetarëve të botës se këtu sundon morali dhe e drejta, liria dhe paqja, jo amoraliteti dhe barbarizmi. U thoni qytetarëve të botës se barbaria dhe fashizmi kanë vdekur një herë e përgjithmonë.
Populli shqiptar, i copëtuar dhe martirizuar përgjatë historisë, sa nga fuqitë e mëdha, nga diplomacia e huaj, aq edhe nga fqinjët e tij grabitqar, pret nga Ju dhe Evropa drejtësi dhe liri për çlirimtarët e Kosovës dhe vlerësim për luftën e drejtë të UÇK-së.
Dëshiroj të besoj se ju jeni plotësisht të pavarur nga koniunktura politike dhe diplomatike midis shteteve, por nga disa fakte nuk jam i bindur për këtë. Vetë fakti se aktakuzat, dokumentet e dëshmitë, dhe pjesa dërmuese e dëshmitarëve ofrohen nga shërbimi i fshehtë serb, siç deklaron edhe serbi Sheshel, fakti që ekziston një albanofobi e paligjshme në opinionin e jashtëm për shqiptarët që i kanë dhënë aq shumë Evropës dhe botës së qytetëruar, fakti se diplomacia evropiane nuk është e ndershme në raport me shqiptarët, morali dhe logjika në arenën e interesave gjeopolitike janë relevante, veçanërisht ndaj shteteve të vegjël etj. më bëjnë dyshues për një vendim tuaj të paanshëm. Nga ana tjetër, kam parasysh aktakuzat e këtilla të stisura e të paguara nga Serbia sikurse ajo e Dick Marty apo Carla del Ponte për shtëpinë e organeve të UÇK-së, tashmë të vërtetuara nga gjykata e juaj si të pavërteta, dhe të hedhura poshtë edhe nga Parlamenti Evropian.
E deklaroj burrërisht, si bashkëluftëtar i atyre katër burrave, se ata as kanë vrarë e as kanë menduar ndonjëherë të kryejnë vetë apo urdhërojnë qoftë edhe një krim të vetëm. Prandaj janë të pafajshëm. Fundja, nëse nuk do ishte ngritur gjykata juaj nga Parlamenti i Kosovës, nëse nuk do ishte ngritur një aktakuzë, a do gjykoheshin ndonjëherë këta katër burra? Jo, kurrë. Siç nuk del para drejtësisë A. Vuçiç, i cili dihet se ka qenë jo vetëm vrasës me snajper anëtar i grupit terrorist serb kundër shqiptarëve, por edhe funksionar i lartë i Miloshevicit!
Nuk mund të luhet më me ndjenjat e shqiptarëve në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti, e duke prodhuar kështu destabilitet politik, jo vetëm në rajon, por edhe në Ballkan dhe Evropë, vetëm për skenarët e zinj të politikës serbe. Shpifjet e akuzat e sajuara të regjimit fashist serb nuk mund të bëhen mjet kundër historisë sonë të ndritur. Shqipëria dhe Kosova janë ndërtuar mbi gjak, mbi dhimbje dhe mbi sakrifica. Ne kemi nevojë për dinjitet, jo për urrejtje. Edhe durimi jonë ka një kufi.
Nëse nuk do shpallen të pafajshëm këta katër burra fisnikë, luftëtarë të lirisë, do ishte dështim total i drejtësisë ndërkombëtare përballë Kosovës së vrarë e të masakruar me shekuj nga barbaria serbe. Do ishte një fitore e forcave barbare përballë popullit fisnik, paqësor, trim, liridashës dhe të qytetëruar shqiptar.
Me besimin se drejtësia ekziston, unë fola me zemër të hapur, si një zë i popullit tim, i kombit tim të nderuar mes kombeve!
Pafajësi për çlirimtarët! Duke dhënë drejtësi dhe pafajësi për katër heronjtë e UÇK-së, ju rreshtoheni krahë legjitimitetit të luftës çlirimtare të Kosovës, krahë paqes dhe lirisë, krahë humanizmit, në anën e drejtë të historisë!

Tiranë, Shqipëri
Më 25.02.2026

Autori ka qenë oficer i Forcave të Armatosura Shqiptare (1980–2011), pjesëmarrës në UÇK si instruktor, komandant i TF-së dhe drejtues i një qendre stërvitore të UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: EPIZMI, KOMIKJA DHE TRAGJIKJA E REVOLUCIONIT “FLAMINGO”

Po bëhet një muaj nga shpërthimi “FLAMINGO” në qiellin e hapur shqiptar. Si për çudi …