Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori i së drejtës kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se afati i arsyeshëm për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është 30 ditë nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve, duke theksuar se ky afat mbështetet edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është detyrues për deputetët dhe se afati për konstituimin e Kuvendit skadon sonte. “Në bazë të Kushtetutës, afati i arsyeshëm është 30 ditë nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve. Kjo është e mbështetur edhe me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025, i cili është urdhërues për deputetët. Sonte është afati i fundit. Nëse nuk respektohet, nuk ka masë ndëshkuese, por deputetët janë të detyruar ta konstituojnë Kuvendin, përndryshe cenohet rendi kushtetues dhe demokratik i Republikës”, ka deklaruar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
