Brickos

Kadri Rexha: PËRJETËSIMI I TRE DËSHMORËVE TË UÇK-SË: ZAHIR PAJAZITI, EDMOND HOXHA DHE HAKIF ZEJNULLAHU

Pas vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës në një fshat të Shtutgardit në Gjermani, në janar të vitit 1982, vrasja e Zahirir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut, më 31 janar 1997, në luftë të pabarabartë me milicinë serbe ishte një nga tragjeditë më të rënda të përjetuara nga populli ynë. Jusufi me shokë kishte rënë në kulmin e zhvillimit të demonstratave të stuhishme mbarëpopullore që e kishin dërmuar me themel Jugosllavinë dhe e kishin ndërkombëtarizuar në shkallën më të lartë çështjen e Kosovës, ndërsa Zahiri me shokë u vra në kulmin e zhvillimit të aksioneve të gueriles shqiptare që po e ndërkombëtarizonin çështjen e Kosovës duke luftuar për liri, demokraci dhe pavarësi të plotë. Ishin këto dy hallka të rëndësishme të luftës së gjatë e të mundimshme drejt pavarësisë dhe bashkimit kombëtar. Faza e parë e luftës, rreth njëzet vjet me radhë demonstrata masive, e kishte dhënë rezultatin dhe po tërhiqej ngadalë duke e lënë në skenë guerilen dhe çetat e para ushtarake si fazë e dytë e që premtonte në horizont luftën e armatosur të popullit shqiptar kundër robërisë dhe pushtuesit serb. Populli që di t’i vlerësojë ngjarjet e rëndësishme dhe kthesat e mëdha historike edhe në këtë rast e dha gjykimin e vet të pagabueshëm. Qindra e mijëra shqiptarë, nga të gjitha anët e Kosovës, me një frymë dhe si një trup i vetëm, në shenjë nderimi, do të përkulen me dashuri e respekt para trupave të pajetë të martirëve dhe para namit dhe veprës së tyre të pavdekshme. Qindra e mijëra shqiptarë do të ndajnë dhembjen e madhe me familjet e të rënëve. Qindra e mijëra telefonata e telegrame ngushëllimi do të dërgohen me këtë rast nga meridianët e ndryshme të botës. Me qindra artikuj dhe akuza u shkruan në shtypin shqiptarë dhe në atë botëror. Dhjetëra e dhjetëra tubime përkujtimore kushtuar martirëve të kombit do të mbahen në fshatrat, qytetet dhe në kryeqendrën e Kosovës. Dhjetëra e dhjetëra tubime përkujtimore, demonstrata dhe protesta do të mbahen edhe në diasporën shqiptare kudo në botë. Për të parën herë në Kosovë luftëtarët e lirisë po nderoheshin në mënyrë dinjitoze dhe madhështore. Populli e kishte shkelur me të dy këmbët frikën. Armiku serb dhe bashkëpunëtorët e tij po sfidoheshin njësoj në të gjitha anët e Kosovës. Populli po jepte shenjën e solidaritetit dhe të mobilizimit. Gazetarët shkruanin artikuj dhe intervistonin anëtarët e familjeve dhe bashkëpunëtorëve të dëshmorëve, poetët vjershëronin për ta, këngëtarët thurnin këngë, piktorët portretonin. Secili në mënyrën e vet përpiqej t’i përjetësonte dëshmorët sa më bindshëm, secili përpiqej ta përjetësonte veprën dhe heroizmin e tyre sa më fuqishëm. Donin t’i bënin ata gjedhe për popullin, shembull për rininë dhe kujtim për ardhmërinë. Atë që nuk po e bënin dot politikanët legalë me rroga, e kishin marrë mbi supe veprimtarët, gazetarët dhe artistët…..

Vrasja e tre dëshmorëve në shtypin e kohës

Në shtypin shqiptar të Kosovës, vrasja e tre dëshmorëve u shënua me artikuj, me reportazhe, me intervista, me komente, me analiza dhe me protesta të ndryshme. Emërues i përbashkët i të gjitha këtyre shkrimeve është kritika e rreptë që i bëhej regjimit kriminel serb, vërejtja që i bëhej bashkësisë ndërkombëtare rreth tolerimit të këtyre krimeve, si dhe thirrja popullit për mosprovokim dhe vetëpërmbajtje. Autorëve të këtyre shkrimeve aq sa u mungonte informacioni i vërtetë lidhur me zhvillimin e ngjarjeve në terren, si dhe konkretisht informacioni për protagonistët e epopesë së Pestovës, po aq u mungonte edhe guximi për ta thënë të vërtetën. Por, ajo që nuk u bë në shtypin legal u plotësua në atë ilegal. Në këtë drejtim rëndësi të madhe luajti sidomos “Zëri i Kosovës”, organ i LPK-së, që botohej jashtë atdheut dhe shpërndahej ilegalisht edhe në Kosovë. Në faqet e gazetës “Zëri i Kosovës” edhe në këtë rast u botuan komunikata, artikuj, biografi të shkurtra të dëshmorëve, komente, analiza, reportazhe, intervista, telegrame, skica letrare dhe poezi. Këto shkrime i karakterizon e vërteta mbi dëshmorët, si dhe e vërteta mbi luftën e tyre kundër armikut. Lajtmotivi kryesor i të gjitha shkrimeve të kësaj gazete rrihte në një pikë me mesazh të theksuar se vetëm lufta e armatosur do ta sjellë lirinë e atdheut.

Lulet e lirisë në këngën e popullit

Sipas traditës sonë shekullore përjetësimi i heroit në këngë paraqet ngjarje të veçantë. Sepse populli nuk ia falë këngën gjithkujt, sepse populli nuk ka hatër e as mëshirë. Kënga e popullit kërkon prova të mëdha: vetëmohim, flijim dhe gjak. Po nuk jetove me popullin, po nuk qave hallet me të, po nuk veprove për sendërtimin e idealeve të tij, populli jo vetëm që nuk ta falë këngën, por as që merret me ty, as të qas dot. Ky virtyt është dëshmuar në të kaluarën dhe po vërtetohet edhe sot. Këngët e ngritura mbi qëndresën dhe heroizmin e luftëtarëve të lirisë si dhe ato mbi epopenë masive të UÇK-së dëshmojnë aktin e lartë të muzës që nuk heshtë. Në gurrën e kësaj tradite nga populli u përjetësuan edhe Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Këngët dhe poezitë e para për këta trima lindën menjëherë mbas epopesë së Pestovës. Këngë të lindura në sheshin e luftës. Këngë që kullojnë gjak. Këngë që lahen me lot. Këngë që rilindin krenari dhe shpresë. Këngë besimi në të ardhmen. Në këngët e ngritura flakë për flakë, si dhe në këngët që po lindin sot e gjithë ditën, populli qau me lot dhembjeje dhe krenarie bijtë e vet të shtrenjtë, mbrojtësit e halleve të kombit, dalzotësit e atdheut. Në këngët e këtij cikli tre protagonistët, në shumicën e rasteve, janë të pandashëm. Ashtu siç ishin në krye të detyrës. Ashtu siç ishin në çastet e fundit të jetës. Rëndomë në këto këngë Zahir Pajaziti zë vendin kryesor qoftë si prijës i këtij treshi të famshëm qoftë edhe si përfaqësues i mbarë gjeneratës së tij luftarake. Po ashtu, në këngët kushtuar Edmond Hoxhës është e pamundur të mos përmenden edhe dy bashkëluftëtarët e tij, Zahiri dhe Hakifi. Ndërsa, aty ku dëshmorët nuk emërohen ata i zëvendëson figura poetike, si: “tri lule të lirisë”. “tre trima të shqiptarisë”, “tre trima-flakë janari”, “tre trima të historisë”, “tre djemtë më të mirë”, “tri pushkë të para”, “tre ushtarë të UÇK-së”, “zogjtë më të bukur të vendlindjes”, “lajmëtar të diellit pranveror”, “emblema jonë e re”, e kështu me radhë. Duke qenë krijime artistike popullore që këngëtojnë një realitet konkret historik edhe figurat letrare janë sugjestive dhe tejet njerëzore, ashtu siç janë edhe dëshmorët. Autorët e këtyre krijimeve sikur donë të thonë: Zahiri, Edmondi dhe Hakifi nuk kishin pikur nga qielli, por ishin djem të thjeshtë nënash të përvuajtura shqiptare që merrnin frymë dhe jetonin me popullin dhe për popullin. Ndonëse këto këngë në tërësinë e tyre poetike kanë notë baladike, atmosferë elegjiake, brendi të dhembshme dhe ndjenja mallëngjimi prapëseprapë karakteri i tyre i theksuar mbetet liriko-epik:
Mbi fusha t’Kosovës loti bëhet vesë
Po vijnë çlirimtarët lidhur besa-besë
Zahir Pajaziti një pëllumb nëpër qiell
Gjaku ynë Kosovë t’u bëftë dritë e diell
Gjithnjë, sipas këtij konstatimi, në këngët e këtij cikli, me rastin e vrasjes heroike të tre dëshmorëve, në dhimbje dhe pikëllim marrin pjesë jo vetëm prindërit dhe të afërmit e tyre, por mbarë Kosova, ndërsa në disa raste edhe natyra me objektet dhe fenomenet e saja:
Mbi Gollak shqiponja ndalet
Ka një dhimbje t’rand sa malet
Sot dhe Dielli ma pak shndriti
U vra n’pritë bre Pajaziti
Nisur nga fakti se kënga e popullit ka luajtur dhe luan ende një rol të rëndësishëm në etapa të caktuara të historisë së kombeve, si në forcimin e vetëdijes patriotike ashtu edhe në mobilizimin e masave të gjëra për t’u bërë ballë rreziqeve dhe katastrofave, edhe në këtë rast muza popullore e bëri të sajën. Duke i vënë dëshmorët në qendër të krijimeve të veta, poetët, kompozitorët dhe këngëtarët u kujdesën që theksi kryesor të vihet mbi idenë patriotike si dhe mbi aspiratat shekullore të popullit shqiptar ndaj lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar. Mesazhi i këngëve të këtij cikli edhe një herë prekte në ndërgjegjen e kombit të ndarë me dhunë:
Pa bashkim nuk ka fuqi
Pa Kosovë nuk ka Shqipëri
Pa Shqipëri Kosovë nuk ka
Bashkë të dyja bëjmë kala
Këto këngë të kënduara nga këngëtarët tanë më në zë, si Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Sali Mani, Shaqir Cërvadiku, Violetë Kukaj, Manjolla Nallbani, Arif Vladi, Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli, Dava Gjergji etj., qoftë në koncerte të estradës e qoftë edhe nëpërmjet valëve të radios dhe televizionit, ngritën në këmbë masat milionëshe. Ato i bashkonte ideali i kohës, thirrja e ditës, patriotizmi i epokës së lavdishme të UÇK-së, betimi i armikut për shfarosjen e shqiptarëve dhe gjaku i njomë i shqiptarit i derdhur anë e mbanë Kosovës. Personazhet e këngëve të reja sintetizonin për mrekulli aspiratat shekullore të popullit. Prandaj, rinia, bukuria, mençuria, guximi, vendosmëria dhe flijimi i heronjve të këngëve po bëheshin shembull dhe model për djemtë dhe vashat shqiptare. Kemi të bëjmë këtu me një shpërthim të vetëdijshëm që gufonte si pasojë e një tronditjeje të madhe që po kërkonte mobilizim të gjithanshëm, heroizëm të ri dhe veprim mbinjerëzorë për shpëtimin e Kombit dhe Atdheut.

Dëshmorët e ri në Panteonin e Kombit

Pas më shumë se një shekull përpjekjesh të përgjakshme të shqiptarëve, pas më shumë se një shekull lufte prometheike kundër Serbisë dhe aleatëve të saj të shumtë, më në fund, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Qershor të vitit 1999, u kurorëzua me fitore. I ndjekur nga gryka e pushkës çlirimtare, i rrahur nga kamxhiku i drejtësisë së mijëvjeçarit të ri, okupatori serb, me tërë arsenalin e vet gjakatar, u detyrua ta braktisë përgjithmonë Kosovën, këtë tokë aq shumë të lakmuar prej tij. Më në fund, Dielli i lirisë, i pritur me shekuj, lëshoi rrezet e para mbi Kosovë. Dhe, vetëm nën rrezet e këtij dielli Kosova filloi frymëmarrjen e saj normale, ringjalljen dhe kthimin në elementin e vet natyral. Në shenjë kujtimi dhe përjetësimi të veprës dhe flijimit të tre dëshmorëve, në trevjetorin e rënies së tyre, më 31 janar 2000, në Pestovë të Vushtrrisë, në mënyrë madhështore dhe në një atmosferë pikëllimi dhe krenarie zbulohet përmendorja kushtuar Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut, monument i ngritur nga Zona Operative e Llapit e UÇK-së. Kjo përmendore historike, simbol bese, bashkimi dhe lirie, për vizitorët e shumtë, sidomos për nxënësit e shkollave, flet me fjalë guri dhe jep këtë mesazh: “U vramë të ri, që të jetoni Ju. E gëzofshi Kosovën e lirë. Amanet Atdheun, ruajeni dhe duajeni si sytë e ballit, si jetën tuaj”. Mesazhi i heshtur i dëshmorëve të atdheut që vjen me bukën e ëmbël, me ujin e ftohtë dhe me ajrin e pastër të tokës sonë, herë si dritë dielli e herë si gjëmë dheu, le të bëhet letërnjoftim, fletëtestament dhe flamur i papërkulur në ballë të gjeneratave të reja, në zemër të popullit mbarë. Një jetë është pak t’i dhurohet atdheut, e dy jetë nuk i ka askush. E përjetshme qoftë lavdia e dëshmorëve, i përjetshëm qoftë Populli dhe Atdheu ynë.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …