KK në Rahovec miratoi propozimin e kryetarit Latifi për themelimin e çmimit “Ukshin Hoti”

Kuvendi i Komunës së Rahovecit miratoi propozimin e kryetarit Smajl Latifi për themelimin e çmimit “Ukshin Hoti”. Ky çmim do të ndahet për personalitete të shquara, familje emblematike dhe për ata që kanë kontribuuar për liri, dinjitet njerëzor e kombëtar. Çmimi mund t’iu jepet edhe të huajve që i kanë kontribuuar çështjes shqiptare dhe mbrojtjes së vlerave botërore civilizuese, por mund t’u ndahet edhe personave pas vdekjes (Post mortem). Do të jetë nder për secilin që do ta pranojë këtë çmim, i cili ngërthen në vete vlera të larta morale e kombëtare, të përfaqësuara në figurën e veprimtarit dhe të intelektualit të shquar shqiptar Ukshin Hoti. Jeta dhe veprimtaria e këtij veprimtari e intelektuali përmasash të mëdha është një simbiozë ndërmjet tij dhe popullit shqiptar. Ai merrte motiv nga qëndresa shqiptare për liri e bashkim, ndërsa populli ynë dimensionin e ri të stoicizmit dhe vendosmërisë për arritjen e qëllimeve të larta kombëtare. Kauza e kombit shqiptar u bë kauzë edhe e Ukshin Hotit, për të cilën dha gjithçka që pati. Ai përfaqëson dinjitetin njerëzor e kombëtar, guximin e vendosmërinë për të qëndruar stoik përballë dhunës e kërcënimeve serbe. Kryetari Latifi i ka përgëzuar anëtarët e Kuvendit Komunal, të cilët e votuan njëzëri këtë propozim, duke e bërë vendim. Jam shumë i lumtur që komuna e Rahovecit mund të nderojë njerëzit meritorë me këtë çmim që mban emrin e kolosit të kombit shqiptar, profesorit Ukshin Hoti, ka thënë kryetari Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt akademi përkujtimore në nderim të heroit Abaz Thaçi dhe 10 dëshmorëve tjerë nga Drenica

Në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në qytetin e Skenderajt është mbajtur akademi përkujtimore në …