KKSB diskuton gjendjen e sigurisë në Komunën e Kaçanikut

Gjendja e sigurisë në Komunën e Kaçanikut, është diskutuar në mbledhjen e tretë me radhë për sivjet të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, të cilin takim e udhëhoqi nënkryetari i Komunës së Kaçanikut Remzi Elezi. Komandanti i Stacionit të Policisë në Kaçanik Afrim Halili, tha se gjendja e sigurisë në komunën e Kaçanikut është në përgjithësi e qetë, por veçoi disa dukuri që po e rrezikojnë këtë gjendje. Komandanti Halili tha se është shtuar numri i vjedhjeve kryesisht tek kompania Bechtel Enka ne vjedhjen e derivateve, ndërsa Policia e Kosovës tashmë është orientuar në luftimin e kësaj dukurie, ku tha se ka edhe të arrestuar. Komandanti dhe anëtarët e KKSB-së shprehën shqetësimin e tyre sepse kjo dukuri po përhapet dhe po mbetet në komunën e Kaçanikut. Ndryshe, komandanti bëri thirrje tek partitë politike në komunë për një fushatë të drejtë, korrekte dhe pa incidente e fyerje. Drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjenca Ramadush Osmani, njoftoi anëtarët e KKSB-së lidhur me pikat e rendit të ditës, masat preventive të sigurisë për sezonin e verës si dhe informatë për gjendjen e ujit të pijes dhe sipërfaqësor. Drejtori Osmani tha se në kuadër të preventivave për sezonin e verës janë planifikuar disa projekte që do të ndihmojnë për tejkalimin e situatave emergjente. Drejtori Osmani tha se uji i pijes është brenda suazave normale, ndërsa shprehu shqetësimin e tij për ndotjen e lumenjve nga hedhja e drejtpërdrejt e kanalizimeve në lumenj. Anëtarët e KKSB-së po ashtu shprehën shqetësimin e tyre për ndërtimin e hidrocentraleve të cilët po degradojnë pasurinë natyrore.

Kontrolloni gjithashtu

1 maj 1990 – Kuvendi i Pajtimit te “Verrat e Llukës”

34 vite më parë, me 1 maj 1990 u mbajt Kuvendi Gjithëkombëtar i Pajtimit të …