KEK
Fillimi / Institucionet / KKSB në Viti vlerëson situatën e sigurisë në komunën e Vitisë të qetë e stabile

KKSB në Viti vlerëson situatën e sigurisë në komunën e Vitisë të qetë e stabile

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në komunën e Vitisë, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, në të cilën është diskutuar për gjendjen e sigurisë në këtë komunë për gjatë dy muajve të fundit, si dhe është raportuar për punën një vjeçare të KKSB-së për periudhën janar-dhjetor 2020. Fillimisht kryesuesi i kësaj mbledhje zëvendëskryetari i komunës Hasan Aliu, ka njoftuar për gjendjen aktuale rreth pandemisë Covid 19, ku në bazë të raportit të fundit, aktualisht janë 57 raste aktive dhe 7 të hospitalizuar nga komuna e Vitisë. Ndërsa duke folur rreth raportit të punës së KKSB-së, zëvendëskryetari Aliu tha se viti 2020 është karakterizuar në tërësi me pandeminë Covid 19, gjë që ka qenë edhe sfidë për të menaxhuar në të gjitha fushat. Anëtarët e KKSB-së, votuan njëzëri raportin e këtij këshilli. Ndërsa duke folur rreth situatës së sigurisë në komunën e Vitisë, komandanti i stacionit policor në Viti, kapiten Afrim Halili, njoftoi se gjendja e sigurisë gjatë dy muajve të fundit ka qenë stabile. Ai përmendi si sfidë zgjedhjet që janë mbajtur dy javë më parë, për të cilat tha se konsiderohen si zgjedhjet më të organizuara dhe pa incidente. Për këtë, kapiteni Halili theksoi se një falënderim i veçantë shkon për qytetarët që kanë treguar kulturë dhe përgjegjësi, që ecuria e tyre të jetë sa më e mirë. Sa i përket rasteve të raportuara në polici, ai njoftoi se ka rënie të ndjeshme të rasteve në përgjithësi, si në rastet e dhunës në familje, rastet e vjedhjeve, aksidenteve etj. Drejtori i Drejtorisë për Arsim, Basri Aliu, bëri të ditur se përkundër disa rasteve të infektimit, procesi mësimor po zhvillohet normalisht në të gjitha shkollat e kësaj komune. Takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, e përshëndeti edhe kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, i cili mes tjerash ka falënderuar gjithë mekanizmat, si policinë, personelin shëndetësor dhe qytetarët për kontributin e dhënë në menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë. Gjithashtu, ai kërkoi që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe më tej, me që ende pandemia është në mesin tonë dhe rastet e reja po paraqiten çdo ditë. Në këtë takim, anëtarët e KKSB-së apeluan te qytetarët që të zbatojnë rekomandimet e IKSHPK-së dhe të respektojnë masat anti covid, në mënyrë që sa më parë të tejkalohet kjo gjendje.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Politikë dhe Financa në Rahovec mbajti mbledhje e katërt të rregullt

Në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, nën udhëheqjen e kryesuesit Afrim Dina, ...