KMDLNj: Prokuroria Speciale në Hagë po përpiqet ta pamundësojë mbrojtjen e të akuzuarve

KMDLNj: Prokuroria Speciale në Hagë po përpiqet ta pamundësojë mbrojtjen e të akuzuarve

Prokuroria Speciale në Hagë në vazhdimësi është angazhuar ta bëjë më të vështirë mbrojtjen efektive të të akuzuarve në Hagë, të gjithë shtetas të Kosovës, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë ushtarë dhe eprorë të UÇK-së si dhe bartës të posteve më të larta politike dhe shtetërore. Që nga fillimi, të akuzuarit nuk i kanë marrë materialet ose i kanë marrë vetëm pjesërisht të përkthyera në gjuhën shqipe apo gjuhën që e kuptojnë që është e drejtë elementare e njeriut dhe conditio sine qua non për përgatitje të një mbrojtjeje efektive që i garantohet me të gjitha ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare për persona të privuar nga liria. Po të ishin DHS dhe ZPS pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës detyrimisht do të duhej të përktheheshin të gjitha materialet në gjuhën shqipe që, sipas Kushtetutës së Kosovës është gjuhë zyrtare. Së fundi, prokurori i Zyrës së Specializuar ka deklaruar se nuk kanë asnjë detyrim ligjor t’i përkthejnë materialet në gjuhën shqipe duke iu referuar rastit të Jakup Krasniqit. Ishte skandaloze që edhe vendimi për caktim të paraburgimit dhe konfirmimi i aktakuzës, vetëm pjesërisht ishin të përkthyera në gjuhën shqipe dhe arsyetimi i DHS-së ishte se; “materialet po përkthehen …

 

Kjo është, sipas KMDLNj-së shkelje flgrante e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria që drejtpërsëdrejti ndikon në cilësinë e përgatitjes së një mbrojtjeje efektive aq më parë që shumica e të akuzuarve nuk kanë njohuri të mjaftueshme që mbrojtjen ta përgatisin në gjuhën që e imponon Gjykata Speciale. Për të bërë edhe më shumë presion në pamundësimin e mbrojtjes së të të akuzuarve, Prokuroria Speciale në Hagë po përpiqet të frikësojë mbrojtësit duke kërkuar nga Trupi Gjykues t’i sanksionojë avokatët për opinionet e tyre publike në media të ndryshme në kohën kur pikërisht kjo Prokurori Speciale në mënyrën më brutale e shkelë parimin e prezumimit të pafajësisë duke deklaruar, jo vetëm një herë se të akuzuarit mund të dënohen me burg të përjetshëm, pa një vendim të formës së prerë të Gjykatës përkatëse. Po në të njëjtat valë ishte edhe kryetarja e DHS-së e cila shkeli etikën profesionale dhe betimin e dhënë duke u treguar shumë e anshme, ende pa filluar procesi gjyqësor.

 

Prokuroria Speciale asnjëherë nuk u distancua nga këto kërcënime kurse kryetarja e DHS-së u betua në hirin e nënës së kremuar, betim ky që nuk zë vend as në të drejtën zakonore apo te fiset e lëre më në një Gjykatë që pretendon standardet më të larta të drejtësisë. Prokuroria Speciale në Hagë po i bënë presion avokatit të ekipit mbrojtës të presidentit Hashim Thaçi, Dastid Pallaska duke e akuzuar se me deklaratat e dhënë në RTK se në Hagë po gjykohet UÇK-ja po bie ndesh me nenin 13 (a) të Kodit të Sjelljes Profesionale për avokatë dhe, në këtë mënyrë po e shtonë klimën e frikësimit dhe ambientit kundër Dhomave të Specializuara prandaj kërkon sanksionimin e avokatit Pallaska për këtë deklaratë. Po e njëjta Prokurori Speciale po “harron” se në vazhdimësi ka fshehur provat shfajësuese për të akuzuarit, ka kurdisur dëshmitarë të rremë dhe të trajnuar nga UDB-ja serbe dhe KOS-i (shërbimi kundërinformativ ushtarak serb), ka bërë presion në dëshmitarë, thuaja shumicën e materialeve “inkriminuese“ i ka nga Serbia, se nuk ka bërë asnjë hetim apo nuk ka kërkuar zyrtarisht hetim për rrjedhje, kontrabandim apo shitje të materialeve të ndjeshme nga Zyra e saj e që, pastaj janë keqpërdorur për dënime drakonike të Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit. Se Gjykata Speciale ku pjesë përbërëse është edhe ZPS-ja janë njëetnike dhe nga aspekti i të drejtave të njeriut janë edhe raciste, është fakt i pakundërshtueshëm që e kanë thënë edhe shumë autoritete vendore dhe ndërkombëtare dhe këtë të vërtetë kjo Gjykatë e Inkuizicionit modern nuk po ka mundësi ta përgënjeshtrojë me asgjë. Se Gjykata Speciale po e dënon UÇK-në është opinion për të cilin askush nuk mund të dënohet pavarësisht pozitës që e ka prandaj as avokati Pallaska nuk ka përgjegjësi për këtë. Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk mund të kërkojë zbatimin e Etikës Profesionale në mënyrë selektive apo sipas parimit: “Quod licet Jovi, non licet Bovi” (Çka i lejohet Jupiterit – të fortit, nuk i lejohet buallit apo të dobëtit…). Me një fjalë Zyra e Prokurorit të Specializuar e konsideron veten Jupiter (Zot) kurse të tjerët i trajton si buaj apo të dobët.

 

Gjykata Speciale e mbyllur hermetikisht për shumë zhvillime brenda saj pamundëson monitorimin e pavarur të kushteve për të burgosurit, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë, e pamundëson raportimin objektiv duke redaktuar skajshmërisht materialet dhe duke mbyllur seancat edhe për dëshmitarë që gjykata i trajton si të mbrojtur e të cilët për çdo ditë thuaja dalin para medieve elektronike në Kosovë. Gjykata Speciale e zënë në kurth që vet e ka ndërtuar për shkak të mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, në përpjekje të përmirësimit të imazhit të shtrirë për toke organizon dhe paguan sondazhe të kurdisura në të cilën paraqitet shkalla e lartë e pëlqyeshmërisë së opinionit me punën e kësaj Gjykate, sidomos në Kosovë. Në anën tjetër bënë përpjekje që profesionalisht të korruptojë gazetarët që raportojnë për punën e kësaj Gjykate duke organizuar “punëtori” në Hagë dhe duke ua mbuluar të gjitha shpenzimet. Përpjekje që përmes korruptimit profesional të hapë mundësi për korruptim material përmes ndërtimit të raportit klientelist.

 

DHS-ja dhe ZPS-ja po e keqpërdorin mosgatishmërinë e institucioneve të Kosovës që të interesohen dhe kundërshtojnë shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut të shtetasve të tyre e sidomos të deputetëve të Kuvendit të Kosovës që edhe e kanë votuar themelimin e kësaj Gjykate. Bartësit e posteve më të larta shtetërore, me arsyetim se nuk duan të ndërhyjnë në drejtësi, kanë gjetur një alibi të madh për ta maskuar mungesën e vullnetshme të potencës për t’u interesuar për fatin e shtetasve të tyre. Përfundimisht turpi bie mbi Kuvendin e Kosovës që ka mbetur peng i ndikimeve politike!

 

Kontrolloni gjithashtu

Lideri i AKR-së, Behxhet Pacolli ka paralajmëruar marrëdhënie të shkëlqyera të Kosovës me Ganen

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli ka përshëndetur zgjedhjen e John Mahama Dramani …