Kolonel, Sali Onuzi: Ali Shefqeti (Shkupi) Shefi i Parë i Shtabit Madhor të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare

Në fund të prillit 1913 zbriste nga deti për  në Vlorë një shqiptar 30 vjecar, simpatik, me nje ballë të lartë, me mustaqe spic. Tamam sikur të ish pritur vetëm ardhja e tij Qeveria e Përkohëshme e Vlorës do ta caktonte në detyrën e lartë të Kryetarit të Shtabit Madhor të Ushtrisë Kombëtare. Të një Shtabi që duhej edhe të drejtonte në luftë edhe te ngrinte forcat e armatosura, e sidomos ushtrinë e rregullt nga e para.

Ky 30 vjecar ishte majori Ali Shefqeti ( Shkupi), një personalitet i formuar , një patriot i njohur dhe një ushtarak i talentuar.Bir i një patrioti nga Peja ,Hysen Shefqetit, dhe një shqiptareje nga një familje e pasur e Shkupit, Aliu u lind po në këtë qytet në shtator 1883.Kish mbaruar shkëlqyer shkollën qytetëse të Selanikut dhe gjimnazin ushtarak të Manastirit,ishte dalluar në  shkollën e lartë ushtarake ( Harp Okulu) e pastaj në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Stamboll , të cilën e kishte  përfunduar më 1905 së bashku me Mustafa Qemalin ( Ataturkun). Në mbarim të Akademisë kish fituar gradën kapiten i Shtatmadhorisë. Më pas kishte shërbyer në detyra të ndryshme në Armatën III në Maqedoni.I lidhur me lëvizjen xhoturke, kishte qenë në grupin e oficerëve që  sulmuan më 1908 kundër  regjimit të vjetër absolutist sulltanor.

Shpejt Ali Shefqeti do të zhgënjehej nga xhonturqit dhe duke përfituar edhe nga detyra e tij në Selanik do të lidhej  edhe më fort  me rrethet atdhetare shqiptare. Ne detyrën e komandantit të garnizonit të Stambollit, pas kryengritjes së përgjithëshme shqiptare të vitit 1912 , major Ali Shefqeti  u informua se qeveria osmane  po përgatitej për ta arrestuar. Me përkrahjen e shqiptarëve të Stambollit u arratis në Rumani,prej nga shkoi në Trieste ,ku  në mars 1913 mori pjesë në Kongresin  e Triestes me shumë atdhetarë të shquar të diasporës sonë.

Kishte dashur të vinte në Vlorë ku vepronte Qeveria e Ismail Qemalit Vlorës , por kishte qenë e pamundur ngaqë flota greke e mbante Vlorën të bllokuar. Në fund të prillit përfitoi nga një rast dhe zbriti nga një anije austro-hungareze në grykën e Semanit e prej aty  në Vlorën e Pavarësisë dhe të entuziazmit të madh atdhetar.

Sic thamë më lart , më tu paraqitur , për shkak të njohjes dhe kredibilitetit që gëzonte, Ali Shefqeti do të  ngarkohej me organizimin e Ministrisë së Luftës, gjë që ,sic duket ,e bëri shumë shpejt  : më 5 maj 1913 Qeveria e Përkohëshme e Vlorës do të diskutonte e miratonte  Rregulloren për organizimin e përkohshëm të Ministrisë së Luftës , në përbërje të të cilit do të ishte Shtati ( Shtabi) Madhnor. Major Ali Shefqeti do të emërohej menjëherë në detyrën e lartë e të  nderuar të Kryetarit të  këtij Shtabi.Ministria e Luftës do të kishte gjithashtu edhe zyrën Qertare ( të prapavijës), zyren hertare ( të organizimit e  personelit) dhe zyrën Shëndetare.

 Në nyjen  e dytë të kësaj Rregulloreje përcaktohej edhe ndërtimi i brendshëm i vetë Shtabit Madhor i cili , nga ana e tij, përbehej nga qarqet ( të themi drejtori, a departamente) ,shkresina e tij,nga komisioni i rregulloreve, nga komisioni i trajtimit te policisë dhe te xhandarmërisë dhe nga komisioni i ndërtimit ( a xhenjos, si të thuash).Rregullorja  në mënyrë sintetike kish fiksuar edhe detyrat e te drejtat e tij. Në maj 1913 Shtabi Madhor kishte filluar nga detyrat e tij konkrete, te hartonte rregullore e të lëshonte urdhëra.Emri i Ali Shefqetit ( Shkupit) të del gjithkund përpara në këto dokumente që ruhen në arkivin e shtetit.

Fakti që Ministria e Luftës e shtetit të ri shqiptar u konceptua dhe u ndërtua me Shtab Madhor, që më 1913,tregon se ndërtimi i Ushtrisë së rregulltë filloi nga lart poshtë, karakteristikë për një shtet ligjor, modern.Vetë ideja dhe ndërtimi i një Ushtrie me Shtab Madhor , ishin ideja dhe praktika europiane më e përparuar.

Më 31 maj  1913, Kryetari i Shtabit Madhor informonte ministrinë  e  Luftës, mbi punën që po bëhej për  krijimin e kompanisë model te Ushtrise, sipas të cilës do të ndertohej Ushtria Kombëtare. Aty shtrohej   edhe nevoja e fillimit  së afërmi te shërbimit të detyrueshem ushtarak.Më 3 qershor 1913 Major Aliu i përcjell  nga ana e Shtabit  për studim ministrit të punëve te brendshem, Myfit Libohovës, variantin e parë  të “ Rregullores se Milicisë shqiptare”, para se të bisedohej në Këshillin e Ministrave.

Me detyrën e kryetarit te Shtabit Madhor, major Ali Shevqeti komunikonte me telegraf dhe transmetonte vendime te Qeverisë apo urdhëra e udhëzime të Ministrisë së Luftës e të vetë Shtabit  për veprime luftarake në territore të ndryshme të vendit, në jug kundër forcave pushtuese greke dhe në Dibër ku po zhvillohej kryengritja e shtatorit të vitit 1913. Shtabi i drejtuar prej tij i kish sygjeruar Qeverisë  dhe ajo kishte porositur jashte shtetit ,sidomos në Austro- Hungari, topa, mitraloza, uniforma, dhe ajo që të befason më shume, edhe “ nje numër librash shërbimi dhe veprash të ndryshme që do t’i shërbenin administratës ushtarake të Qeverise.”Në këtë punë Ali Shefqeti do të bashkëpunonte me sukses edhe me grupin e oficerëve hollandezë që do të vinin në vendin tonë sipas vendimit të Konferences se Ambasadorëve të 29 korrikut 1913, për organizimin e xhandarmerisë. Të kujtojmë se  xhandari i vitit 1913 ishte edhe ruajtës i rendit edhe ushtar i luftës, një forcë ende e padiferencuar.

Që më 1913, nën udhëheqjen e Ali Shefqetit, Shtabi Madhor i pat hyrë një pune të vecantë  për terminologjinë ushtarake. Për këtë ceshtje ai pat angazhuar një komision të posacëm në të cilin bënin pjesë  oficerë të kulturuar si Mustafa Maksuti dhe Kamber Sejdini (dëshmor i atdheut) nga Elbasani, ish profesor i frëngjishtes  ne gjimanzin ushtarak të Manastirit.Veprimtarisë se këtij kpomisioni i takojnë shumë terma   që përdorim sot në fushën ushtarake.Kjo veprimtari është një tregues tjeter  i kulturës së  Shtabit Madhor, dhe kryetarit te tij, Ali Shefqetit, që në kushte aq të rënda,te një shteti të ri, që luftonte për ekzistencë me armë e diplomaci, ditën  të cmojnë vlerën e kulturës ushtarake si pjesë të luftës për liri dhe pavarësi.

Major Ali Shefqeti, edhe pas dorëheqjes së Qeverisë së Ismail bej Vlorës më 22 janar 1914, ka mbajtur  e ushtruar poste të larta drejtuese ne Ushtrinë tonë Kombetare.Me fillimin e Luftes se Parë Botërore,Ali Shefqeti u arrestua  nga forcat malzeze ne qytetin e Shkodrës  dhe u burgos deri në vitin 1916 kur trupat austro-hungareze hynë në Malin e Zi. Përkrahës aktiv i Kongresit të Lushnjes, Qeveria e dalë prej tij ( janar 1920) do ta caktonte  nënkolonel Ali Shefqetin  së pari komandant të Komandës së Përgjithëshme, e më pas,   me krijimin e Ministrisë së  Luftës                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                         përsëri në detyrën e Shefit të Shtabit Madhor. Patriot e demokrat, i lidhur ngushtë me Hasan Prishtinën, Aliu do të ishte nga më aktivët në Lëvizjen e Qershorit 1924 dhe do të ngarkohej përsëri me detyra të larta në krye të Ushtrisë Kombëtare.

Pas dy  internimesh dhe largimit  nga ushtria  regjimi monarkist e dënoi Ali Shefqetin me vdekje si nisiatori dhe kryetari i Organizatës së fshehtë për rrëzimin e Zogut me kryengritje te armatosur më 1935.Pas protestave te fuqishme nga brenda dhe jashtë ,regjimi  nuk guxoi ta ekzekutonte dhe doli nga burgu me 1938.

Ali Shefqeti dënoi dhe kundërshtoi pushtimin fashist të atdheut.Nazistët gjerman  i dogjën shtëpinë në Tiranë. Më pas  familjarisht  u vendos me banim në Shkodër, ku jetoi me një pension prej tremijë lekësh. Vdiq   më 3 dhjetor 1953 dhe u varros aty.Në vitet tetëdhjetë u rivarros në Tiranë.

 Në vitin 1992 ,Ali Shefqeti ( Shkupi) u dekorua me urdhërin “ Për veprimtari patriotike te klasit të Parë”.

 Ky shkrim modest është një homazh  për atdhetarin  e flaktë, për  udhëheqësin ushtarak të talentuar në këtë 101 vjetor të shpalljes së Pavarësisë  dhe krijimit të Forcave të Armatosura  të Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien …