Mehmed Ali Pasha i Misirit, rivali i sulltanëve turq, që mbijetoi zemërimin dhe sulmet e Perandorisë Osmane (1769 – 1849)

Pas shuarjes me gjak të kryengritjes së Stambollit në nëntor të vitit 1730, Sulltan Mahmudi kishte urdhëruar që të gjithë jeniçerët shqiptarë të ndiqeshin dhe të ndëshkoheshin për pjesëmarrje në kryengritjen, e cila u mori kokat katër shtetarëve më të lartë të Sulltanit, Kapudan Pashait, kryevezirit, Damad Ibrahim, Kryeqehajasë së Stambollit dhe kryemyftiut, ndërsa ndërroi nga froni Sulltan Ahmedin dhe shkundi nga themelet Perandorinë, e cila qysh nga ajo kohë kishte filluar të rrudhej e të shpërbëhej.

Në dhjetor të vitit 1730, Formacionet e jeniçerëve shqiptarë ishin shpërndarë, ndërsa kryengritësit dhe bashkëluftëtarët e  Halil Patronës që kishin mbetur gjallë kishin ikur nga Stambolli dhe  ishin degdisur nëpër trevat malore të “Arnautistanit”, deri në viset e thella malore, atje ku konsideronin se nuk do t’i arrinte shpata e Sulltanit. Urdhrin për likuidimin e tyre nga Sulltani  kishte marrë  Osman Topall Pasha i Moresë, edhe ky pasha me origjinë shqiptare.  Pasi kishte ndëshkuar jeniçerët shqiptarë, Osman Topall Pasha  u vra më 19 korrik 1733, afër lumit Tigër, te Bagdadi gjatë një beteje nga Allahajr Beg Gerajli.) Historiani austriak, Jozef Von Hammer, Osman Topall Pashën e kishte emërtuar si Inkuizitori i madh.

Disa vjet pas  shpartallimit të kryengritjes së Stambollit kishin lindur dy shqiptarë, të cilët do t’ i jepnin goditje Perandorisë në Ballkan dhe në Egjipt e më gjerë, në botën arabe. Në fund të shekullit 18-të dhe në fillim të shekullit 19-të, Ali Pashë Tepelena dhe Mehmed Ali Pashë Misiri do të dridhnin themelet e Perandorisë.

Mehmet Ali Pasha lindi në vitin 1769, në qytetin Kavalla të Perandorisë osmane. Ishte me origjinë nga krahina shqiptare e Çamrisë, vendlindja e Ibrahim Pashë Pargaliut, krye-vezirit të Perandorisë në kohën e Sulltan Sylejmanit të mbiquajtur, “I madhërishmi”. Të dhënat historiografike për Mehmet Aliun na bëjnë me dije se ai kishte  lindur në një familje të thjeshtë shqiptare. Qysh i ri ishte marrë me tregti në viset e Çamërisë. Ishte mobilizuar në radhët e ushtrisë perandorake në kohën kur perandori i Francës, Napoleon Bonaparta kishte pushtuar  Egjiptin dhe shumë vende arabe të Azisë dhe të Afrikës.

Ishte fillimi i shekullit 19-të, kur Mehmed Aliu shquhet në mesin e luftëtarëve dhe komanda turke e kohës e emëron në krye të një batalioni të shqiptarëve në luftë për rikthimin e sundimit në Egjipt, të cilin e kishin pushtuar forcat franceze. Sapo ishin dëbuar forcat franceze, Mehmed Ali Pashai në vitin 1805  më  këshillën e sheikut të Az-harit, mori fermanin nga Sulltani për tu bërë guvernator i Egjiptit. Vendosja në një post të tillë atij i siguroi titullin, Pasha.

Me qëllim për ta konsoliduar pushtetin, ai veproi njëjtë sikur të gjithë pashallarët e Perandorisë. Fillimisht identifikoi armiqtë nga radhët e çifligarëve egjiptianë, pastaj i thirri në një takim “paqësor” dhe sapo u bind në qëllimet e tyre, të cilat kishin të bënin me ruajtjen e pasurive dhe favoreve, që merrnin nga turmat, Mehmed Ali dha urdhër dhe i likuidoi të gjithë.

Pasi kishte konsoliduar pushtetin në Kajro  dhe në Aleksandri, Mehmed Aliu nuk u ndal me kaq. Ai, në krye të një ekspedite kundër Vahabitëve dërgoi djalin e tij Tusim Pashanë, i cili me mbështetjen e luftëtarëve shqiptarë  i theu ata në shumë vende arabe.

Mehmed Ali Pashai, mbështetjen e besnikërinë e luftëtarëve shqiptarë, toskë e gegë, ua kishte besuar ruajtjen e kështjellës ku jetonte së bashku me familje  e tij, por edhe kështjellat e tjera strategjike. Ngritja dhe suksesi i tij, sipas kronikave  të kohës dhe historianëve të njohur, kishte të bënte me ofrimin rreth vetes të luftëtarëve shqiptarë, “skitëve” të Perandorisë, “spartanëve” të kohës, të cilët tashmë kishin krijuar vetëdijen e tyre kombëtare, në përpjekje për të shkëputur nga Porta territore të caktuara ashtu sikur bënin të gjithë popujt e Evropës, Azisë dhe Afrikës, nën sundimin e Stambollit.

Në vitin 1811, Mehmed Ali Pashë Misiri kishte konsoliduar pushtetin dhe filloi zhvillimin e infrastrukturës së Egjiptit të prapambetur nga sundimi shekullor. Synimet e tij për ta përparuar vendin sipas modelit evropian hasen në kundërshtim të memlukëve të Egjiptit por edhe të Portës së Lartë. Stambolli, në fillim nuk e shprehu zemërimin kundër tij, por atë do ta ruante për më vonë. Simpatia që kishin zyrtarët e lartë të Sulltanit për të, sidomos me fitoren që kishte korrur kundër francezëve, nuk do të zbehej lehtë.  Mehmed Aliu ishte i aftë dhe i edukuar n frymën e filozofisë së kohës, sipas devizës, “Për të mos qenë i nënshkruar, nënshtro të tjerët”.

Si strateg i lindur dhe shqiptar i edukuar në frymën e kohës, ai ndërtoi një pushtet centralist të cilin e mbështetën bijtë e tij, të afërmit dhe përgjithësisht shqiptarët, që nuk e tradhtuan, as atëherë kur ai nuk i përfilli sa duhet, madje as ndonjëherë,  kur i bëri mish për top.

Mehmet Ali Pashë Misiri ndërmori disa fushata me radhë që kreu në Arabi me urdhër të Sulltanit kundër “Vehabive”, ku djemtë e tij, Tusum Pasha dhe Ibrahim Pasha arritën ta shuajnë kryengritjen e vehabijëve në Arabinë Saudite dhe rikthyen sundimin në  qytetet e shenjta islame  të Mekës dhe Medinës. Kreu perandorak ia kishte lënë duart e lira përderisa ai luftonte nën flamurin e Portës dhe përderisa nuk shfaqte hapur synime separatiste.

Nga vitet 1820- 1822 Mehmet Ali Pashë Misit filloi ekspeditat kundër Sudanit. Një vit më vonë themeloi shtetin e Sudanit dhe Kartumin e zgjodhi si kryeqytet të tij.

Pas shkatërrimit të Pashallëkut të Janinës dhe prerjes së kokës së Ali Pashë Tepelenës, më 24 janar të vitit 1822,  Mehmed Ali Pasha, nuk hezitoi të dërgojë forca për shuarjen e kryengritjeve të arvanitasve, grekëve, arnautëve e vllehëve në Greqi. Ai, kishte pasur jo vetëm raporte zyrtare me Ali Pashanë, por nuk kishte arritur ta ndihmonte, meqë si strateg me përvojë, me kohë e kishte kuptuar se Perandoria ende ishte e fortë dhe goditjet më të forta mund t i jepeshin nga brenda, pikërisht ashtu sikur kishte bërë Halil Arnauti nga Hurpishti i Manastirit.  Me urdhër të sulltanit, Ibrahim Pasha, djali i Mehmed Aliut në vitin 1824, mori pjesë në shuarjen me gjak të kryengritjes arvanite greke. Për fitoren e tij, Sulltan Mahmudi  e emëroi guvernator të Kretës.  Duke parë shtrirjen e dinastisë së Mehmed Ali Misirit nga Sudani në Kretë, Britania e Madhe, Franca, Rusia, më 1827 dërguan armatat e tyre për të luftuar Ibrahim Pashanë, të birin e Mehmet Aliut, i cili pas përplasjes me fuqitë e mëdha u thye dhe u kthye në Siri.

Në vitin 1831, forcat ushtarake të Mehmed Ali Pashait ndoqën  memlukët dhe vehabinjtë nga Siria, ku qeveriste Ibrahim Pashai, djali i Mehmed Ali Misirit. Zgjerimi i ndikimit të tij prej Sudanit në Libi, në Egjipt e në shumë vise të Afrikës e zemëroi Sulltan Mahmudin e dytë, i cili disa vjet më parë ia kishte marrë kokën Ali Pashë Tepelenës. Sulltani dërgoi forca të shumta për ta larguar nga froni Mehmed Ali Pashanë dhe dinastinë e tij. Në vitin 1839, Ibrahim Pashai së bashku me forcat e bashkërenditura të vendeve që i mbante nën pushtim Mehmed Ali Pashai  i theu forcat turke  dhe nuk u ndal në territoret e pushtuara, por bëri tutje drejt Anadollit. Kronistët e asaj kohe kanë konstatuar se Ibrahim Pashai donte ta merrte fronin e Sulltanit në Stamboll, me qëllim për të formuar një bashkim të shteteve, një Kalifat të ri.  Thuhet se pas konsultimeve me përfaqësuesit e fuqive të mëdha, Mehmed Ali Pashë Misiri hoqi dorë nga lufta kundër Sulltanit ndërkohë që fitoi favore për të ardhmen e dinastisë së tij. Mehmed Ali Pashë Misiri ka vdekur më 2 gusht të vitit 1849, në Kajro.

Trashëgimtarët e Mehmet Ali Pashait kanë sunduar Egjiptin, për një shekull e gjysmë, deri në vitin 1952 kur forcat revolucionare të Gamal Abdel Nasarit rrëzuan dinastinë e Mbretit Faruk dhe krijuan Republikën e Egjiptit. Egjipti në kohën e sundimit të Mehmet Ali Pashait kishte arritur një zhvillim të jashtëzakonshëm. Qytetet ishin  ndërtuar me  një infrastruktura të modernizuar, duke shfrytëzuar përvojën e inxhinierëve anglezë e francezë.

Ahmet Qeriqi

20 11. 2013

Faruku i Egjiptit ose Faruku I (1936 – 1952) ishte Mbret i Egjiptit. Mbreti Faruk ishte sundimtari i dhjetë nga Dinastia e Mehmet Aliut dhe mbret i parafundit në Mbretërimin e Egjiptit dhe Sudanit, duke pasuar babanë e tij, Fuadin I që vdiq në 1936 dhe që ishte konsideruar mbreti i parë egjiptian. Titulli i plotë i tij ishte “Madhëria e Tij Faruk I, nga hiri i Perëndisë, mbreti i Egjiptit dhe Sudanit, Sunduesi i Nubias, Kordofanit dhe e Darfurit.” Faruku u përmbys nga një revolucion egjiptian, tip ala socialist që u mbështet nga BS dhe Tito në vitin 1952. Faruku u detyrua të abdikojë në favor të tij djalin e mitur, Ahmed Fuad, i cili e pasoi atë si Mbret duke u quajtur Mbreti Fuad II. Faruku vdiq në mërgim në Itali në rrethana shumë të dyshimta, për të cilën vdekje, kurrë nuk u bënë hetime. Motra e tij është Fevzia Shirin, si gruaja e parë dhe njëkohësisht ish Mbretëreshë e Iranit duke qënë bashkëshorte e Shahut të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi.  Zonja Fevzia Shirin akoma në Zvicër. ( Pjesa për Mbretin Faruk është interpretuar nga Wikipedia )

Kontrolloni gjithashtu

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Pavarësisht Kanunit, fesë dhe traditës patriarkale, në shumë raste gjatë historisë, femra  shqiptare i ka …