Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, pret senatoren amerikane Joni Ernst

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim senatoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtetin e Ajovës, Joni K. Ernst. Senatorja Ernst ishte e shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, si dhe nga adjutanti i përgjithshëm i Ajovës, gjeneralmajor Stephen Osborn. Gjatë takimit, gjenerallejtënant Jashari e ka falënderuar senatoren Ernst për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës së Kosovës dhe FSK-së. Sipas njoftimit të FSK-së, në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale dhe perspektivën e ardhshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, prioritetet e saj, si dhe rëndësinë e vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara. Palët kanë shkëmbyer gjithashtu qëndrime për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe sfidat e përbashkëta. Në përfundim të takimit, komandanti i FSK-së shprehu mirënjohjen për senatoren Ernst për vizitën dhe kontributin e saj në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Jashari theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të partneritetit dhe marrëdhënieve bilaterale në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Kontrolloni gjithashtu

BE-ja reagon ndaj deklaratave për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit: Nuk i shërbejnë normalizimit të raporteve

Bashkimi Evropian ka deklaruar se pretendimet dhe paralajmërimet për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së …