Në Raportin e Monitorimit të Konsultimeve Publike për vitin 2024, të realizuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Komuna e Ferizajt është vlerësuar ndër komunat më të suksesshme në vend sa i përket procesit të konsultimeve publike dhe transparencës me qytetarët.
Sipas raportit, Komuna e Ferizajt ka arritur 100 pikë të plota për planifikimin e hershëm të konsultimeve publike, si dhe për hartimin dhe publikimin e raportit vjetor të konsultimeve publike, duke dëshmuar përkushtim të lartë në respektimin e procedurave dhe standardeve të kërkuara.
Raporti i KLGI-së thekson gjithashtu se Komuna e Ferizajt ka dorëzuar me kohë edhe projekt-propozimet për konsultimet publike për periudhën janar–dhjetor 2023, duke siguruar që proceset e pjesëmarrjes qytetare të jenë të hapura, të planifikuara dhe të monitoruara në mënyrë të rregullt.
Në kuadër të monitorimit të 26 komunave, janë evidentuar disa të dhëna të përgjithshme sa i përket mbledhjes së komenteve, komunikimit dhe adresimit të tyre.
Në këtë raport, dhjetë komuna janë vlerësuar me përmbushje maksimale të indikatorëve: Ferizaj, Gllogoci, Dragashi, Istogu, Lipjani, Podujeva, Prizreni, Malisheva, Mitrovica e Jugut dhe Graçanica.
Vlerësimi i lartë për Komunën e Ferizajt dëshmon angazhimin e institucioneve komunale për të forcuar transparencën, llogaridhënien dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në proceset vendimmarrëse.