Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria për Buxhet dhe Financa, ka nisur ciklin e dëgjimeve publike për hartimin e Projektbuxhetit Komunal 2027-2029. Dëgjimet publike po organizohen në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore për hartimin e buxhetit komunal, si dhe në zbatim të vendimit të Kryetarit të Komunës, Ekrem Kastrati, për përfshirjen e qytetarëve në procesin e planifikimit buxhetor dhe përcaktimin e prioriteteve zhvillimore të komunës.
Takimet e para u mbajtën mbrëmjen e së hënës me banorët e fshatrave Bellanicë, Bardh, Ngucat dhe Temeqinë, si dhe me banorët e Banjës, Kërvasarisë dhe Senikut, sipas kalendarit të paraparë të dëgjimeve publike.
Projektbuxhetin e prezantuan drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, dhe Zyrtarja Kryesore Financiare, Valentina Krasniqi. Gjatë prezantimit u bë e ditur se buxheti i planifikuar për vitin 2027 kap vlerën mbi 23 milionë euro, ndërsa për investime kapitale janë paraparë rreth 5.7 milionë euro.
Drejtori Thaçi foli edhe për sfidat në realizimin e investimeve kapitale, duke theksuar se një nga sfidat kryesore mbetet ndikimi i obligimeve që rrjedhin nga kontratat kolektive në buxhetin komunal. Ai prezantoi edhe investimet e planifikuara, të cilat janë kryesisht projekte trevjeçare dhe përfshijnë ndërtimin dhe asfaltimin e afro 50 kilometrave rrugë, zgjerimin e rrjetit të kanalizimit, mirëmbajtjen e rrugëve, ndriçimin publik, subvencionet dhe investime të tjera në interes të qytetarëve.
Pas prezantimit, qytetarët paraqitën kërkesat dhe shqetësimet e tyre, të cilat në pjesën më të madhe lidhen me investimet në infrastrukturë. Gjithashtu u diskutua për furnizimin me ujë të pijshëm dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimit nga “Hidroregjioni Jugor”, si dhe problemet me furnizimin me energji elektrike, që janë përgjegjësi e KEDS-it.
Qytetarët vlerësuan pozitivisht orientimin e deritanishëm të buxhetit drejt projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies dhe në zhvillim. Njëkohësisht, ata kërkuan që Komuna të vazhdojë angazhimin për hapjen e rrugëve fushore përgjatë autostradës, me qëllim të lehtësimit të qasjes në tokat bujqësore.
Dëgjimet publike për hartimin e Projektbuxhetit 2027-2029 do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, sipas kalendarit të publikuar.