Nën kryesimin e kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, sot është mbajtur mbledhja e tretë e rregullt e Këshillit të Drejtorëve. Gjatë mbledhjes u diskutua për një sërë çështjesh me interes për funksionimin e komunës, ndërsa vëmendje e veçantë iu kushtua mobilizimit dhe ngritjes së kapaciteteve komunale, pas paralajmërimeve për përkeqësim të kushteve atmosferike.
Me këtë rast, kryetari Haliti bëri të ditur se, sipas paralajmërimeve të institucioneve kredibile, si Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) dhe European Storm Forecast Experiment (ESTOFEX), për territorin e Kosovës është paralajmëruar një valë e motit ekstrem, e cila pritet të zgjasë deri në orët e para të së mërkurës.
Ai kërkoi nga të gjitha drejtoritë komunale, shërbimet publike dhe mekanizmat përgjegjës që të jenë në gatishmëri të plotë, të forcojnë koordinimin ndërinstitucional dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve, infrastrukturës dhe pronës në rast të reshjeve intensive, erërave të fuqishme, breshrit apo situatave të tjera emergjente.
Po ashtu, kryetari Haliti u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të qëndrojnë të informuar përmes njoftimeve zyrtare dhe të respektojnë rekomandimet e institucioneve kompetente, sipas zhvillimit të situatës.
Sipas paralajmërimeve të ESTOFEX, për një pjesë të rajonit ku përfshihet edhe Kosova është shpallur niveli 3 i alarmit, për shkak të rrezikut nga breshëri i madh, erërat e fuqishme dhe fenomene të tjera të motit ekstrem.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe për Informatën gjashtëmujore të punës së Kryetarit të Komunës, si dhe për pasqyrat financiare të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ku u vlerësua ecuria e realizimit të aktiviteteve dhe e performancës financiare të komunës.