Komuna e Vitisë vazhdon implementimin e marrëveshjes me komunën e Kllokotit

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes komunës së Vitisë dhe asaj të Kllokotit, më 23 shkurt të vitit të kaluar, e që kishte  për qëllim bashkëpunimin ndëretnik, si dhe atë për bashkëpunim në interes të qytetarëve të të dyja komunave, ku i pranishëm ishte edhe Jorn Rohde, ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, sot u mbajt një takim në vazhdën e kësaj marrëveshje ku u diskutua për menaxhimin e mbeturinave në komunën e Kllokotit. Senad Rama , kryeshef ekzekutiv i Kompanisë ”Eco Higjiena”, si dhe Haxhi Qerimi udhëheqës i njësisë së kësaj kompanie në Viti, u pritën nga kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të komunës së Kllokotit, me që rast u diskutua për modalitetet dhe hartimin e marrëveshjes mes komunës së Kllokotit dhe Kompanisë Eco Higjiena. Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë “Eco Higjiena” Senad Rama, tha se komuna e Kllokotit ka qenë deri më tani jashtë menaxhimit të mbeturinave nga kjo kompani. Ai theksoi se janë të interesuar të kenë një bashkëpunim me komunën e Kllokotit, ndërkohë që vlerësoi lartë bashkëpunimin me komunën e Vitisë të cilën edhe e quajti si liderë sa i përket bashkëpunimit. Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, shprehi gatishmërinë  për të mbështetur në të gjitha format komunën e Kllokotit sa i përket menaxhimit të mbeturinave dhe tha se jemi të gatshëm të ofrojmë çfarëdo përkrahje që u nevojitet në këtë aspekt, duke përmendur se në vazhdimësi kanë ndihmuar këtë komunë  në shumë sfera. Përfaqësuesit e komunës së Kllokotit, u shprehën falënderues institucioneve komunale të Vitisë për përkrahjen e vazhdueshme që po u japin atyre në shumë fusha, ndërkohë që mirëpritën iniciativën për menaxhimin e mbeturinave në këtë komunë.

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt konsultimi publik për Ri-Kategorizimin e monumentit të natyrës “Kanioni i Drinit të bardhë te Ura e Fshejtë”

Në sallën e kuvendit komunal në Rahovec, u mbajt konsultimi publik i propozimit për ri-kategorizimin …