Kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të Kosovës kanë vendosur të protestojnë më 1 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke kundërshtuar atë që e konsiderojnë neglizhencë dhe ndërhyrje të vazhdueshme të nivelit qendror ndaj komunave. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ndërsa protesta do të nisë në orën 11:00, pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se komunat i kanë shterur, sipas tij, pothuajse të gjitha rrugët e dialogut me institucionet qendrore. Sipas Ibrahimit, në mesin e kërkesave kryesore janë kompensimi i mjeteve për kontratat kolektive, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kompensimi i dëmeve nga vërshimet dhe rishikimi i grantit për arsim. Ai ka pretenduar se vetëm nga çështja e grantit të arsimit komunat mund të përballen me një barrë financiare prej rreth 24 milionë eurosh, ndërsa moszbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, sipas tij, mund t’u shkaktojë komunave dëme deri në 60 milionë euro. Përfaqësuesit e komunave kundërshtojnë gjithashtu atë që e cilësojnë si centralizim dhe ndërhyrje në kompetencat komunale, duke përmendur Inspektoratin e Tregut, proceset e rekrutimit, çështjen e pronave publike dhe të hyrat vetanake të komunave. Motoja e protestës do të jetë: “Mos u merrni komunave atë që u takon qytetarëve!”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
