Komiteti për Politikë dhe Financa, organ i Kuvendit të Komunës së Malishevës, nën drejtimin e kryesuesit të Kuvendit, Fatmir Ademaj, e ka mbajtur mbledhjen e tretë të rregullt për këtë vit. Në këtë mbledhje, bazuar në rendin e ditës, janë caktuar edhe disa nga pikat e rendit të ditës, të cilat do të trajtohen në mbledhjen e këtij muaji të Kuvendit të Komunës.
Një ndër pikat më të rëndësishme, e cila lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve, është Projektbuxheti i Komunës për vitet 2027 – 2029, me theks të veçantë për vitin 2027, propozim i cili është miratuar unanimisht nga anëtarët e KPF-së.
Projektbuxhetin, para anëtarëve të KPF-së, e ka prezantuar drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, i cili është përgjigjur edhe në pyetjet e anëtarëve të KPF-së.
Po ashtu, në këtë mbledhje, KPF ka shqyrtuar edhe disa propozime të tjera që vijnë nga Zyra e Kryetarit të Komunës dhe të cilat do të trajtohen në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Komunës së Malishevës.