Në kuadër të realizimit të projektit “Për Malishevën e pastër”, aksioni për pastrimin dhe mirëmbajtjen e ambientit ka vazhduar sot në Këshillin Lokal për fshatrat Dragobil dhe Maxharrë. Në këtë aktivitet morën pjesë qytetarë, nxënës dhe mësimdhënës të shkollës, të cilët u angazhuan në pastrimin dhe rregullimin e hapësirave publike.
Aksionit i ka prirë bartësi i këtij projekti, nënkryetari i Komunës së Malishevës dhe udhëheqësi i taskforcës komunale për ambient, Vesel Krasniqi, i shoqëruar nga drejtorë të drejtorive përkatëse dhe zyrtarë të tjerë komunalë.
Në ligjëratën e tij para pjesëmarrësve, nënkryetari Krasniqi theksoi se Dragobili është një shembull i mirë për kujdesin ndaj mjedisit.
“Dragobili është njëri nga shembujt më të mirë të mirëmbajtjes së ambientit. Përveç angazhimit vullnetar të banorëve për mirëmbajtjen e hapësirave publike, edhe bashkëpunimi me komunën në këtë drejtim është shumë i mirë dhe shërben si shembull për vendbanimet e tjera”, u shpreh ai.
Sipas tij, aksioni “Për Malishevën e pastër”, i cili ka për qëllim përmirësimin e pastërtisë dhe rritjen e vetëdijes qytetare për mbrojtjen e ambientit, tashmë ka dhënë rezultate konkrete. Përveç pjesëmarrjes së madhe të qytetarëve në aktivitete të pastrimit, banorët po kontribuojnë edhe në identifikimin e personave që hedhin mbeturina në vende të palejuara, duke i raportuar rastet në inspektoratin komunal ose tek organet e rendit.
Ky aksion po vazhdon në vendbanime të ndryshme të komunës, me synimin që përmes bashkëpunimit të institucioneve dhe qytetarëve të krijohet një ambient më i pastër dhe më i shëndetshëm për të gjithë.