Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur në takim përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së

Kryeministri Mustafa, ka pritur në takim përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur në takim përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të kryesuar nga nënkryetari Migjen Shala. Në takim ku të pranishëm ishin edhe ministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi dhe ai i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi, është diskutuar lidhur me vështirësitë ligjore për realizimin e pagesave të pensioneve të veteranëve luftëtarë për muajin gusht dhe muajt në vijim. Mustafa i ka njoftuar përfaqësuesit e OVL të UÇK-së, se pengesat për pagimin e pensioneve ndërlidhen me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për buxhetin, të cilin duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës, ndërkaq janë evidente zvarritjet në konstituimin e Kuvendit. “Sa u përket fondeve, ato do të sigurohen me rishikim të buxhetit, dhe veteranët do të realizojnë plotësisht të drejtat e tyre në pensionet që u takojnë, të cilat do të paguhen në mënyrë retroaktive”, kas theksuar Mustafa. Gjatë takimit është dakorduar që shuma e mbetur prej 1.7 milion euro në buxhetin e kategorisë së veteranëve do të shpërndahet proporcionalisht dhe pagesa sipas kësaj shpërndarje të bëhet menjëherë. Gjithashtu Mustafa, ka njoftuar përfaqësuesit e veteranëve se janë në përfundim procedurat për fillimin e punës së Komisionit për kategorizimin e veteranëve luftëtar dhe se puna e këtij komisioni do të fillojë javën e ardhshme.

Kontrolloni gjithashtu

Instituti Demokratik i Kosovës paraqiti raportin analitik lidhur me zhvillimet gjatë sesionit pranveror të punës së Kuvendit

Opozita është ankuar se nuk po gjejnë përkrahje nga shumica për formimin e Komisioneve Hetimore

Partitë opozitare janë ankuar se nuk po gjejnë përkrahje nga shumica për formimin e Komisioneve …