KEK
Fillimi / Lajmet / Kryetari aktual i PDK-së, Enver Hoxhaj ka prezantuar aderimin e Faton Abdullahut në parti
Kryetari aktual i PDK-së, Enver Hoxhaj ka prezantuar aderimin e Faton Abdullahut në parti

Kryetari aktual i PDK-së, Enver Hoxhaj ka prezantuar aderimin e Faton Abdullahut në parti

Kryetari aktual i PDK-së, Enver Hoxhaj, duke i uruar mirëseardhje, në parti analistit Faton  Abdullah ka theksuar se Partia Demokratike është një shtëpi e madhe që së bashku me procesin e reformimit të brendshëm, po hapet edhe për intelektualët jashtë partisë, të cilët do ta kenë vendin dhe hapësirën e merituar në PDK. “Tani Kosova po kalon në faza të vështira politike. Shteti ynë, i ndërtuar mbi shumë sakrifica, sot gjendet në udhëkryq. E kërcënuar së brendshmi nga populizmi dhe së jashtmi nga goditja ndaj UÇK-së dhe shtetësisë, Kosova ka nevojë të udhëhiqet nga një parti e dëshmuar shtetformuese si PDK-ja.”, tha ai. Hoxhaj tha se për ta parandaluar zhbërjen e shtetit, PDK-ja do të garojë në këto zgjedhje në aleancë të gjerë me qytetarët dhe ekspertët e fushave të ndryshme që mund ta ndihmojnë vendin në këto momente vendimtare.

“PDK-ja po kthehet edhe një herë te baza, po dëgjon pulsin e qytetarit, po i ndjen kërkesat e tij dhe së bashku me të po e krijon një bllok të gjerë për ta parandaluar zhbërjen e shtetit dhe kthimin e shtetit në binarët e zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit me aleatët perëndimorë, në krye me ShBA-në. Blloku i madh opozitar i koalicionit mes PDK-së dhe qytetarit është garanca e vetme për ta ruajtur shtetin dhe për ta rimëkëmbur Kosovën ekonomikisht dhe kombëtarisht.”, shtoi Hoxhaj.

Ndërkaq, Faton Abdullahu duke e falënderuar kryetarin Hoxhaj për pritjen tha se ka vendosur t’i bashkangjitet PDK-së, sepse kjo parti ka hapur dyert për ide të reja, për njerëz të ri, për ndryshime të mëdha.

“Unë nuk kam trokitur në dyertë e PDK-së, ato i kam gjetur të hapura. Ato janë të hapura më shumë se kurrë për të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen këtij projekti për ndryshimin e vendit.”, ka thënë Abdullahu.

Si biri i ish të burgosurit politik Rexhep Abdullahu, Abdullahu theksoi se ADN-ja e tij politike dhe ADN-ja atdhetare e familjes së tij natyrshëm e lidhin me PDK-në.

Sipas Abdullahut, PDK-së i është bërë një hile e madhe pasi partia po hyn në garë zgjedhore dhe pa kryetarin e saj Kadri Veselin, por që punët e filluara mbarë nga ai, idetë për reforma e ndryshime, strategjinë për ta luftuar krimin e korrupsionin dhe riparimi i raporteve më aleatët e vendit do t’i shtyjë përpara më fortë se kurrë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Kosovës i duhet një Kryeministër si z. Hoxhaj që e kupton drejtë e mirë gjuhën evro-atlantike e jo një Kryeministër i cili nuk e gjen rrugën për në Uashington. Sot, z. Hoxhaj është këtu sepse tek ai PDK ka pa njeriun që krijon balance me korrektësi dhe guxim dhe bashkon njerëz me urti e largpamësi. Kurrë më shumë nuk na është dashur një Kryeministër i tillë i cili në përballjen me të gjitha të këqijat e Kosovës dhe sidomos me rrezikun nga Serbia, na bashkon dhe na balancon drejtë e dobishëm me aleatët tanë.  Edhe një herë faleminderit Kryeministër i ardhshëm i Kosovës, juve dhe bashkëpunëtorëve të juaj për besimin dhe mundësinë – dalshim faqebardhë – bashkë me Kosovën dhe gjithë qytetarët e saj – shnet e suksese.”, përfundoi ai.

Faton Abdullahu ka lindur në Prishtinë, ku e ka kryer shkollën fillore dhe të mesme. Ai ka përfunduar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa ka magjistruar shkencat politike në njërin nga Universitetet më të mira në Britani “UCL”.

Faton Abdullahu është autor i disa librave dhe analist politik në mediat vendore, për të cilat edhe shkruan rregullisht kolumne. Ai ka qenë kryeredaktor dhe gazetar në disa media si në vend ashtu edhe jashtë vendit. Ai ka qenë zëdhënës i Qeverisë së Kosovës në vitin 2016/17.

Kontrolloni gjithashtu

Partitë opozitare vazhdojnë të kërkojnë zgjedhje të parakohshme në Kosovë

Demokracia në Veprim kërkon të hetohen dyshimet për falsifikim me vota të kandidatëve për deputetë

Organizata “Demokracia në Veprim” ( DnV) ka kërkuar që të hetohen dyshimet për falsifikim me ...