Kryetari Begaj, i kënaqur me punimet në ndërtimin e shkollës në Dragobil

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, i kanë parë nga afër punimet në ndërtimin e objektit të shkollës në Dragobil. Begaj e Thaçi, janë ndarë të kënaqur me ecurinë e punimeve në këtë objekt shkollor, pasi është duke u punuar me ritëm të shtuar, si dhe cilësia e punimeve është shumë e mirë. Gjatë vizitës në Dragobil, përkatësisht në shkollën e fshatit, kryetari Begaj dhe drejtori Thaçi, janë njoftuar nga drejtori i shkollës, Arianit Paçarizi dhe punëkryesi, me ecurinë e punimeve të deritashme. Me këtë rast, kryetari Begaj, është shprehur i kënaqur si me ecurinë e punimeve ashtu edhe me cilësinë e punimeve. “Është duke u bërë një punë e mirë, me standarde, e po ashtu edhe ritmi i punës është shumë i lartë dhe besoj se punimet do të përfundojnë para afatit të paraparë”, tha Begaj. “Jam i kënaqur që kemi arritur të ndërtojmë shumë objektet shkollore dhe si komunë prijmë në këtë drejtim, sepse qëllim i ynë është krijimi i kushteve më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie, si dhe jemi afër përmbushjes së synimit tonë, që të gjitha shkollat të punojnë në një ndërrim”, ka thënë kryetari Begaj, gjatë vizitës në Dragobil. Shkolla në Dragobil, është duke u ndërtuar nga Ministria e Arsimit, ndërsa objekti i shkollës përcillet me klasa, kabinete, sallën e sporteve, si dhe një fushë sporti të hapur. Sipas drejtorit të arsimit, Blerim Thaçi dhe drejtorit të kësaj shkolle, Arianit Paçarizi, ndërtimi i objektit të ri, ka qenë i domosdoshëm, pasi objekti aktual nuk i plotëson kushtet apo standardet e parapara për mësim.

Kontrolloni gjithashtu

272 studentë vitias përfitues të bursave komunale

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti bashkë me drejtoreshën e arsimit Arta Ajeti, kanë …