Kryetari Begaj mbajti debatin e parë publik për vitin 2017

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka mbajtur takimin e parë publik për vitin 2017, lidhur me realizimin e projekteve dhe buxhetit komunal, në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti. Me këtë rast, kryetari Begaj, i ka informuar qytetarët lidhur me punët dhe aktivitetet në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, dhe më pas është zhvilluar edhe debat me të pranishmit. Fillimisht, është prezantuar botimi i një fletëpalosje, lidhur me buxhetin dhe investimet e Komunës së Malishevës, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, botimi i së cilës është mundësuar nga OSBE dhe më pas, në mënyrë kronologjike, kryetari i ka informuar qytetarët për investimet dhe buxhetin e shpenzuar gjatë periudhës janar-qershor 2017. Bazuar në këtë raport, buxheti komunal është shpenzuar në masën 47.62 për qind, ndërsa në pjesën e investimeve kapitale, nga 4.15 milion, është shpenzuar në masën 42.97 për qind e planifikimit. Sa i përket realizimit të projekteve, kryetari Begaj, tha se prioritet nga lista e investimeve kapitale, i është dhënë infrastrukturës shkollore, ku në gjashtë mujorin e parë është  filluar me ndërtimin e tri objekteve të reja shkollore, pastaj vëmendje e veçantë i është dhënë edhe bujqësisë, infrastrukturës rrugore, ndërtimi i sistemeve të kanalizimeve, mirëmbajtja e tyre dhe projekte tjera. Të gjitha këto investime kapitale, kryetari Begaj, i ka përmendur një nga një. Pas prezantimit të investimeve dhe shpenzimit të buxhetit komunal, është zhvilluar një debat me të pranishmit, të cilët, kryesisht kanë kërkuar më shumë investime, sidomos në rrjetet e kanalizimeve dhe në mirëmbajtjen e tyre. Po ashtu, ata kanë bërë edhe pyetje në të cilat është përgjigjur kryetari Begaj, apo përgjegjësit e drejtorive komunale. Debat publike, apo takimet publike për punën e qeverisë komunale, bazuar në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, Kryetari i Komunës është i obliguar ti mbajë dy takime të këtilla, brenda një viti. 

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …