leoni

Kryetari Nura, ka liruar nga detyra drejtorin e UMA-së, Zymer Delija pas kërkesës së tij  

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka liruar nga detyra e drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Ambientit, Zymer Delija, pas paraqitjes së vullnetshme për dorëheqje nga ana e këtij të fundit, për shkak të angazhimeve të tij rreth biznesit familjar. Kryetari Nura, duke u shprehur mirënjohës ndaj Delijat, ka thënë se ka qenë nder për të që ka bashkëpunuar gjatë kësaj kohe me të, madje edhe gjatë fushatës parazgjedhore, i cili ka kontribuar në hartimin e politikave urbane, përkatësisht me idenë për realizimin e projektit të ndërtimit të subqendrave në bashkësi lokale të Skenderajt. “Zymer Delija i rikthehet biznesit familjar (siç ishim dakorduar në fillim të rrugëtimit tonë të përbashkët) por me mendje dhe shpirt te bashkëpunimi profesional dhe i gatshëm të ofrojë nga jashtë tërë përvojën në shërbim të punëve që na presin”, ka shkruar në llogarinë e tij në facebook, kryetari Nura. Ndërkohë, në pozitën e drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Ambientit, është emëruar Driton Mulaj, i cili ka qenë drejtor i po këtij dikasteri në qeverisjen e ish-kryetarit Sami Lushtaku, nënkryetar i tanishëm. “Kur gjendesh mes këtyre të dyve, si profesionistë të zotë, që kanë vullnet për të transformuar Skenderajn, sukseset janë të garantuara, pa asnjë dyshim”, ka thënë kryetari i Skenderajt, Fadil Nura. Pas spekulimeve në disa media lokale, se Zymer Delija shkarkohet nga pozita e drejtorit, ka qenë vetë ai që ka përgënjeshtruar çdo informatë dashakeqe e spekulative. “Për hirë të informimit të drejtë e korrekt. Javën e kaluar kam bërë kërkesë tek kryetari Fadil Nura që të më lirojë nga detyra e drejtorit të Urbanizmit në komunën e Skenderajt. Arsyeja e kësaj kërkese është për shkak që unë edhe në fillim të emërimit jam dakorduar me kryetarin që emërimi im të jetë për një periudhë afatshkurtër, pasi kam shumë angazhime private që e bëjnë të pamundur ushtrimin e detyrës së drejtorit të Urbanizmit në mënyrë efektive. Dëshiroj ta falënderoj kryetarin Fadil Nura dhe Gjeneralin Sami Lushtaku për besimin e madh e bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që e kanë pasur me mua. Unë do të jem konsulent i tyre për çdo gjë që ata e vlerësojnë të nevojshme kurse kontributin tim do të vazhdoj ta jap edhe më tutje sidomos në projektet e subqendrave nëpër bashkësi lokale, të cilat i kemi prezantuar në fushatën zgjedhore të PDK-së e të cilat do të realizohen gjatë këtij mandati!”, ka shkruar Delija në llogarinë e tij në facebook.

Kontrolloni gjithashtu

Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” shënoi ditën e shkollës

Shkolla e Mesme Profesionale, Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë, e ka shënuar ditën …