Vizita e kryetarit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan në Shqipëri, në ditën e përvjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut

Vizita e kryetarit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan në Shqipëri, në ditën e përvjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut

Vizita e kryetarit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan në Shqipëri, në përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, mund të jetë edhe rastësi, por edhe e qëllimshme, gjithsesi me qëllime të mira dhe aspak me urrejtje e dashakeqësi.

Fillimisht duhet kuptuar faktin  historik se Turqia prej kohës së Qemal Pashë Ataturkut, kur ka rënë Perandoria Osmane  e deri sot, asnjëherë nuk ka pasur qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë dhe ka ndihmuar në të gjitha rastet kur ka qenë e mundur.

Është një fakt i njohur historik që Ataturku nuk kishte pasur marrëdhënie të mira me “mbretin” e Shqipërisë, Ahmet Zogun.

Edhe në kohën e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri, Turqia është llogaritur shtet mik i saj dhe ka pasur marrëdhënie të avansuara diplomatike. Intensifikimi i marrëdhënieve të mira miqësore të Turqisë me Shqipërinë ka përparuar me hapa të shpejtë sidomos në 20 vitet e fundit, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë e Maqedoni.

Turqia, në kohën e Erdoganit është bërë fuqi botërore ekonomike e ushtarake, ndërsa roli dhe fuqia e saj në NATO, radhitet përnjëherë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndihma ekonomike e Turqisë për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë është e mirënjohur dhe mund të flitet fare lehtë me shifra e fakte, pavarësisht atyre që mendojnë me dashakeqësi se Turqia në Kosove ka ndërtuar vetëm xhami, kur dihet mjaft mirë, se cilat shtete kanë ndërtuar secilën   xhami, në Kosovë.

Vizita e kryetarit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan në Shqipëri, në përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, nuk ka të bëjë fare me historinë, por sot nuk mund t’ i iket kësaj  koniçidence, për shkak  të vetë asaj, sepse ashtu si data faktike, 17 janari i vitit 1468, që shënon  ditën e vdekjes së Skënderbeut, 554 vjet më parë,  krye-heroit shqiptar të të gjitha kohëve, edhe sot është 17 janar, por i viti 2022 dhe po qëndron në Shqipëri, kryetari i Turqisë moderne, Rexhep Tajip Erdogan, që nuk është Sulltan Mehmed Pushtuesi. Ai takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, që nuk është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, por të dy janë të parë e dy shteteve, jo në fushën e betejave, por në fushën e mirëkuptimit e bashkëpunimit, me rëndësi të veçantë, veçmas për Shqipërinë.

Disa mendjelehtë e shpirtzinj këtë vizitë po e interpretojnë si dashakeqëse se gjoja Turqia po kthehet në Shqipëri si fuqi ekonomike dhe po e pushtuaka atë, edhe pse ajo është  duke ndërtuar  sot edhe suke përuruar kuarte banimi për shqiptarët e dëmtuar nga tërmeti, duke ndërtuar spitale ndër më modernet në Evropë dhe duke thelluar bashkëpunimin ekonomik në mes të dyja vendeve.

Por ata, të cilëve urrejtja ua errëson sytë dhe mendjet tyre të hadakosura, historinë e mendojnë si pronë të veten, pavarësisht se sa kanë dhënë kontribut në të. Dhe duke qenë me “sedër”, pasi nuk kanë mundur, apo nuk kanë dashur  të jenë atdhetar, ata hiqen si rojtarë të historisë dhe paragjykojnë e hedhin baltë mbi Turqinë, pse i kishte pranuar shqiptarët, në shtetin e vet,  të cilëve u rrezikohej ekzistenca nën pushtimet serbe e sllave prej vitit 1912  e deri në kohën e regjimit kriminal dhe antishqiptar të Millosheviqit.

Ja një krahasim i mbështetur në fakte.

Prej mbarimit të luftës në Kosovë e deri tani janë larguar nga vendi, për në shtetet e Evropës e botës, jo se i ka përzënë regjimi i sotëm i Kosovës, rreth  600 mijë shqiptarë, të cilët kanë emigruar,  sepse   duan kushte më të mira jete dhe duan të pasurohen sa më shpejt, ndërsa nga Shqipëria prej vitit 1990 e deri tani janë larguar më shumë se 1 milionë e 700 mijë, një e treta e popullatës  që jeton në kufijtë  administrativë të Shqipërisë së sotme.

17 janari vjen për çdo vit dhe ne përkujtojmë ngjarjet madhore, të cilat në kalendarin tonë kombëtar janë të përditshme, pavarësisht  se kush do ta vizitojë Shqipërinë, Kosovën apo Maqedoninë një vit më vonë.

Pse Edi Rama nuk ka kërkuar  nga Erdogani ta vizitojnë së bashku Muzeun Kombëtar,  në Krujë, apo shtatoren e Skënderbeut, në Tiranë?

Në një shkrim të publikuar në medie nga vetë kryetari i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan jepen hollësi të investimeve të Turqisë në Shqipëri, në një segment edhe investime të  ruajtjes e restaurimit të objekteve me rëndësi historike,  të kohës së sundimit osman në Shqipëri  dhe që nuk janë të pakta. Të tilla ka edhe në Kosovë, Maqedoni, Sanxhak, Bosnje e Hercegovinë, madje edhe në Serbi e më gjerë.

Po të ishte më e sinqertë miqësia e Erdoganit me Edi Ramën, po të mos ishte në radhë të parë  çështja te ndihma dhe bashkëpunimi ekonomik, dikujt do të duhej t’ i kishte shkuar ndërmend të propozonte një vizitë të autoriteteve të larta të Turqisë edhe te monumentet shqiptare të Rezistencës, dhe krejt kjo do të interpretohej si gjest mirëkuptimi,  si miqësi e vërtetë.

Dihet se vizitat në raste të tilla kanë agjendë e protokolle, por  nuk di se cilin vend në Turqi nuk do ta kishte  vizituar Edi Rama, po të kishte propozuar pala turke.

Po kështu nuk mund ta di se a i ka propozuar ndonjëherë Edi Rama, Sali Berisha apo ndokush tjetër, ndonjë ministri apo autoriteti me rëndësi të Turqisë, të vizitojë edhe monumentet tona historike, në radhë të parë në shenj miqësie e sinqeriteti.

Miqësia e vërtetë e popujve mes veti ekziston sipas ligjeve të jetës, në bazë të parimeve njerëzore, por ajo mund të begatohet me mirëkuptim të dyanshëm, pavarësisht numrit të madh apo të vogël të popujve.  Nëse mungon gatishmëria për një gjest të tillë, atëherë nuk mund të flasim për miqësi të vërtetë, por vetëm për miqësi të interesit.

Ahmet Qeriqi

Shtime

17 janar 2022

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …