leoni

KUJTIM BORIÇI – NURI ÇUNI: MIRJAN HOXHA USHTARI-POLIC DËSHMORI PËR MBROJTJEN E RENDIT E QETËSISË

KUJTIM BORIÇI – NURI ÇUNI: MIRJAN HOXHA USHTARI-POLIC DËSHMORI PËR MBROJTJEN E RENDIT E QETËSISË

(Kushtuar  Dëshmorit të Ushtrisë dhe Policisë së Shtetit, Mirjan Dino Hoxha në 30 vjetorin e tij të rënies)

Mirjan Hoxha ishte lindur më 21.1.1971 dhe ka rënë në mbrojtje të rendit dhe qetësisë publike më 20. 4. 1991, përpara ambasadës polake, në Tiranë. Ushtari polic Mirjan Hoxha ishte nga Levani i Tepelenës dhe që kishte shërbyer në Korçë e më tej në Tiranë. Familja e tij i përket njësisë administrative “Krahës”, të bashkisë Memaliaj në qarkun e Gjirokastrës. Fakt është se edhe pse plotëson tërësisht të gjitha kushtet e kriteret ligjore ish-polici Mirjan Hoxha ende nuk është shpallur dëshmor ashtu sikurse e kërkon ligji i shtetit shqiptar. Bazuar në ligjin nr. 109/2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në nenin 5, “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i atdheut”, pika “j” thotë që: shpallen Dëshmorë të Atdheut “shtetasit shqiptarë, të cilët vriten nga elementë kriminalë për shkak të detyrës shtetërore që kanë kryer, në luftë kundër krimit dhe përpjekjeve për vendosjen e rendit dhe të qetësisë publike”. Nisur nga të dhënat e vrasjes në krye të detyrës në përpjekjeve për vendosjen e rendit dhe të qetësisë publike ish-ushtari polic Mirjan Hoxha rënë në krye të detyrës, me dokumente plotësisht të vërtetueshme meriton dhënia e statusit “Dëshmor i atdheut” nga Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit të Atdheut).

*

Nderimi për të rënët është një detyrim brezash, sepse dëshmorët i bën të pavdeshëm dhe të shenjtëruar kujtimi dhe nderimi. Ata jetojnë dhe lartësohen në valët e flamurit dhe në kujtesën gjithëshqiptare. Dëshmorët nuk vdesin, kur gjakun e derdhin për Atdheun dhe për flamurin kombëtar. Mirjan Hoxha ishte 20 vjeç, kur tranzicioni shqiptar dhe ndërrimi i sistemeve e gjeti ushtar dhe më tej polic në shërbim të shtetit në detyrën fisnike të ruajtjes së kufijve, por edhe të rendit, sigurisë e qetësisë në kryeqytetin e trazuar shqiptar të asaj kohe. Kërcënimi i situatës së brendshme vinte nga vetë shqiptarët dhe ishte sa i ashpër e brutal aq edhe i paarsyeshëm dhe i palogjikshëm. Detyra e policisë nuk ka ndryshuar.  Mirjan Hoxha ishte në kohën dhe vendin e duhur, por forcat e errëta në Shqipëri hakmerreshin me cilindo, edhe me ushtarin-polic që i ruante. Mirjani kishte shkuar më parë si ushtar polic në repartin nr. 425 në Korçë  dhe më tek në repartin nr. 712 Tiranë, ku shërbimin e kryente pranë ambasadave të huaja. Ka qenë data 20. 04. 1991, kur tre vetë ndërkohë që ishte në krye të detyrës, përpara ambasadës polake në Tiranë është vrarë pabesisht nga një grup i armatosur. Ka kaluar tre dekada që kur ka rënë për rendin e qetësinë në Shqipëri. Jeta e tij u këput në mes nga forca të errëta duke ngelur memorial kujtimi dhe dëshmor i pashpallur, por familjarët janë në pritje që e drejta e gjakut të derdhur të policit, që ishte gjak i shtetit të vihet në vend. Ishte koha kur ndërronte sistemi, por bijtë e bijat e tij të ndara në kampe pluraliste kishin humbur busullën e orientimit të shqiptarizmës. Opozitarizmi ishte keqkuptuar e keqinterpretuar. Gjaku i derdhur i policisë, gjaku i 267 bijëve e bijave më të mirë të policisë vetëm në 30 vjet është i pajustifikuar për vend që kërkon zhvillim dhe të ketë prosperitet me synime të qarta për një shtet të së drejtës, ku të ketë rend e qetësi, siguri për komunitetin.

Rendi, siguria dhe jeta qytetare një betim i përhershëm i efektivit të Policisë së Shtetit

E kishte pritur me kënaqësi ditën e betimit, sepse Ai vinte nga një trevë mençurie, që kishte përkundur në djepe burra të pushkës dhe të penës, të mençurisë dhe të trimërisë. Mirjani ishte burrëruar para kohe, ishte serioz, punëtor dhe i përkushtuar para vështirësive. Kur e përcollën në detyrë e llogaritën në “radhën e burrave” siç e donte zakoni dhe përcjellja ishte një moment i veçantë jo vetëm në familje por edhe për fshatin e tij Levanin dhe krahinën. Pas mobilizimit dhe kryerjes së karantinës i vinte radha betimit. Ai e dinte se, shqiptarët ishin betuar që herët nëpër breza, për pushkë, për këtë tokë, për flamur, për nënën dhe babën, për truallin e të parëve, për atdheun që e kishin pasur amanet brezash edhe në kohët e pushtimeve më të egra. Edhe Mirjani dhe shokët e tij e pritën betimin si zakon brezash, si një traditë të të parëve që betoheshin shekujve dhe krijonin një atmosferë solemne, që finalizohej me puthjen e flamurit dhe nënshkrimin e tekstit të betimit. Edhe në betimin ushtarak të Mirjan Hoxhës atmosfera në betimin ushtarak ishte solemne sepse atje kishin ardhur autoritete të larta, dhe vendi i betimit ishte një vend i shenjtë si monument i lavdisë së brezave. Pas betimit ushtari, polici, ushtaraku, djemtë nën uniformë në të gjithë nevelet nuk i përkisnin më familjes por në radhë të parë shtetit, Atdheut, kombit. Teksti i betimit, uniformat, armët, marrshet orkestrale ushtarake, himni, besimi në mbajtjen e armëve, flamuri i njësisë, parada ishin elementë që Mirjani rregjistroi në kujtesë sikurse përsëriti fjalë pas fjale  formulën e betimit ushtarak. Kishte kaluar me bindje testet dhe udhëzimet e pjekurisë për detyrimet ndaj Atdheut. Mirjani dhe shokët e tij çdo ushtar-polic morën përgjegjësi të rëndësishme që nga momenti i betimit. Ishte momenti kur zyrtarisht bëhej mbrojtësi i vendit të tij, mbrojtës i kufirit dhe më tej mbrojtës i rendit dhe qetësisë publike. Respektimi i përpiktë i fjalëve të thëna në këtë ditë ishte dhe mbeti lidh për Mirjanin. Ai e njihte mirë ligjin dhe ishte ndërgjegjësuar për shkeljet sado të vogëla të detyrimeve që çonin në dëmtimin e gatishmërisë, interesave të vendit dhe popullit, prandaj betimi i tij ishte betim me zemër: “Betohem se do t’i shërbej me besnikëri Republikës se Shqipërisë; do te jem ushtar besnik i popullit tim, luftëtar i denjë, trim e i disiplinuar, do të jem i gatshëm në çdo kohë e vend dhe nuk do të kursej as jetën time për mbrojtjen e interesave te Atdheut. Betohem”! Dhe në fakt nuk e kurseu jetën dhe gjakun e tij kur u bë barikadë e drejtësisë dhe mbrojtjes së jetës qytetare më 20.4.1991, duke ngelur në kujtesën e familjes, Levanit, Krahësit të Tepelenës dhe të të gjithë brezave të Policisë së Shtetit shqiptar.

Dëshmori që gjakun e fali për sigurinë e shtetit

Mirjan Dino Hoxha ishte lindur në fshatin Levan të Tepelenës, më 21 janar të vitit 1971. Ai lindi në një familje të thjeshtë dhe me traditë atdhetare e patriotike. Fëmijëria e tij ishte sikurse edhe e bashkëfshatarëve të tjerë. Arsimimin fillor e tetë vjeçar nga viti 1977 deri më 1985 e mori në fshatin e tij të lindjes, në Levan të Tepelenës në shkollën “Musa Rrapi”. Shkollën e Mesme e kreu në qendrën e lokalitetit të tij në Krahës të Tepelenës, në shkollën Mesme të Bashkuar “Adem Alushi” në vitin 1985 deri në vitin 1989, të rregjistruar me nr. Amze 409 dhe numër të rregjistrit të vaçantë nr. 264. Pas përfundimit të Shkollës së Mesme, Mirjani punoi si specialist bujqësie në fshatin e lindjes në Levan për periudhën gushti 1989 deri më qershor 1990. Dëshirat dhe ambicjet ishin të shumta por detyra ndaj shtetit ishte detyrim për të gjithë djemtë shqiptarë. Me fletëthirrje nga autoritetet ushtarake të kohës, Qëndrës së Rekrutim – Mobilizimit Tepelenë, Mirjani u thirr ushtar më 4 qershor 1990. Ai shkoi ushtar pranë Repartit Ushtarak Nr. 425 në Korçë, që është edhe e konfirmuar nga Qendra e Rekrutim Mobilizimit të Qarkut Gjirokastrës. Pasi kishte bërë karantinën ndërkohë që situata në Tiranë ishte e trazuar dhe nuk po gjente qetësi si rezultat i ndërrimit të sistemit socialist në sistemin demokratik një pjesë e kontigjentit të Korçës transferohen në Tiranë, për të përforcuar sektorin e ruajtes, qetësisë dhe rendit publik. Kështu duke qenë repart në varësi të Ministrisë së Brendshme pati edhe rishikim të shpejtë të shpërndarjes së forcave të rendit e sigurisë në vend dhe për nevoja emergjente shumica e policëve të repartit të Korçës ku shërbente Mirjani u transferuan pranë repartit nr. 712 Tiranë. Fakt është se për prezencën e policit Mirjan Hoxha në Repartin nr. 712 të Tiranës  konfirmohet edhe nga një shkresë e lëshuar nga ky repart datë 30 mars të vitit 1991, vetëm pak ditë se të vritej polici Mirjan Hoxha. Shkresa ishte lëshuar si vërtetim për të marrë pjesë në zgjedhjet e para pluraliste shqiptare të datës 30 mars 1991. Gjatë kryerjes së shërbimit policor pranë Ambasadës Polake, më 19 prill 1991 është plagosur rëndë dhe menjëherë ishte dërguar në Spitalin Ushtarak, Tiranë, ku nga të dhënat dokumentare plagëve u ka mbijetuar vetëm një ditë sepse ka ndërruar jetë nga plagët e rënda që kishte marrë më datën 20 prill 1991. Kjo konfirmohet nga dokumentacioni sepse “…polici Mirjan Dino Hoxha ishte shtrua datë 19.04.1991 dhe ndërroi jetë, datë 20.04.1991”. Mirjani u vra qëllimisht nga një grup prej tre vetash që ishin inisiatorë dhe në krye të një turme protestuesish të dhunshëm, të cilët synoni destabilizimin e vendit. Në kohë të ndryshme në këtë situatë po në të njejtën periudhë janë tre policë të vrarë dy prej të cilëve janë shpallur dëshmorë vetëm me arsyen se kanë vdekur menjëherë nga plagët e plumbave ndërsa Mirjani ka ndërruar jetë në spitalë po nga plumbat por 24 orë më vonë. Në një dokument vërtetues të lëshur nga QRM Gjirokastër, që mban datën 16. 02. 2005 thuhet në mënyrë tekstuale se: “ Mirjan Hoxha….është vrarë nga një grup prej tre vetash”. Ishte pikërisht kjo ngjarje që është etiketuar si “ngjarja e ambasadave” prill 1991, që bëri që Mirjan Dino Hoxha të humbas jetën në krye të detyrës duke lënë në pikëllim familjarët si dhe kolegët e tij të Policisë së Shtetit.

Në kujtesën e brezit të tij ka ngelur momenti kur Ministria e Rendit, me urdhër të Ministrit të Rendit dhe qetësisë publike, organizoi ceremoninë e varrimit të ushtarit polic Mirjan Dino Hoxha. Në një kohë tejet të trazuar prindrit e dëshmorit polic (babai i tij Dino Hoxha) nuk pranon, që i biri Mirjani të varrosej në varrezat e dëshmorëve, por në gjaknxehtësi e sipër, duke gjykuar se “djalin ja kisha besuar shtetit dhe për detyrën e detyrimin ndaj  shtetit”, por jo t’ja kthenin të vdekur. Kohët ndryshojnë, por një gjë është fakt dhe e vërtetë se familja e Mirjan Hoxhës parapëlqeu që ceremonia e përcjelljes të bëhej më datë 21.4.1991 në ora 18.30 në fshatin Levan të Tepelenës atje ku ishin gjithë familjarët dhe të dashurit. Për kohën komplekse që kalonte vendi familjarët e deshën birin e tyre pranë në varrezat e fshatit, por nderi i titullit “Dëshmor”, kërkon respektim të ligjit të shtetit. Shteti i kohës ishte dorëzuar dhe në ceremoninë e varrimit të policit Mirjan Dino Hoxha mori pjesë, Kompania IV e Repartit Nr. 712 nën drejtimin e ushtarakut Sefer Pasha të Repartit nr.712. Ushtarakët dhe policët që morën pjesë në këtë ceremoni kanë lënë edhe një shkresë të firmosur prej tyre për një shumë monetare të përcaktuar për familjen e të ndjerit, e policit të Levanit, e dëshmorit të Shqipërisë, të rendit dhe të qetësisë publike. Nëse shikojmë listën e pjesëmarrësve që me lot në sy përcollën një ndër djemtë dhe shokët e tyre më të mirë. Ata nuk përcollën Mirjanin por një copëz të zemrës së tyre prandaj edhe familjarët e Mirjan Hoxhës nuk i harrojnë të 44 pjesëmarrësit që ju gjendën familjes në ditë gjëme për familjen e tyre. Gjaku i shokut të tij polic, pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit nuk harrohet, meriton të jetë në nderimin e lartë të kombit.

Nderim dhe vlerësim në përjetësi për dëshmorët e rënë për Atdhe

Biri i Levanit ishte punonjës shembullor i Policisë së Shtetit. Për djalin e policisë, për dëshmorin e orëve të para të nbjë shteti me fizionomi të re është folur dhe do të flitet, është nderuar dhe janë bërë homazhe duke nderuar përjetësisht yjet pranë Ministrisë së Brendshme, ku çdo yll përfaqëson një dëshmor. Po pilici dëshmor Mirjan Hoxha ku e ka vallë yllin dhe a i janë bërë nderimet e plota sikurse gjithë dëshmorët e tjerë. Nderimi i dëshmorëve është një amanet brezash. Ndërkohë që përjekjet familjare dhe jo vetëm, nuk kanë rreshtur duke ju drejtuar institucioneve të shtetit, gjykatave dhe prokurorisë për të mësuar të vërtetat dhe misteret e kësaj vrasjeje të hapur të një punonjësi rendi shembullor, që ka rënë në krye të detyrës, sikurse është kërkesa është firmosur prej vëllait të Mirjanit, Baro Dino Hoxha e datës 8.9.2021 drejtuar drejtuesve të Prokurorisë së Shkallës së Parë në Tiranë, ku kërkohet vendimi i Prokurorisë së Tiranës për vrasjen e polic Mirjan Dino Hoxhës më datën 20 prill 1991. Faktikisht nga Këshilli i Qarkut Gjirokastër, kjo vërtetohet nga një shkresë Nr. 57, datë 07. 09. 2005 drejtuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda nënshkruar nga ish-Kryetri Resul Logo, ku kjo prokurori ka kthyer përgjigje me shkres nr. 271, datë 14.9.2005. Ky institucion i është drejtuar edhe Prokurorisë Ushtarake me shkresë nr. 217, datë 27.4.2005 dhe konfirmimi është i qartë se: “Mirjan Hoxha….është vrarë nga një grup prej tre vetash”. Përpjekjet janë të shumta për ta zbardhur plotësisht ngjarjen edhe nga Shoqata e Historianëve Ushtarakë shqiptarë në Tiranë, nga Shoqata Atdhetare Kulturore e Trevës së Krahësit, nga Shoqata e Veteranëve të Tepelenës, Dega e Tepelenës e Organizatës për Dëshmorët e LANÇ-it dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut, ish-efektiv drejtues i repartit nr 712 Sefer Pasha, që po shkruan një libër për dëshmorin e Levanit etj. Nga ana tjetër jo vetëm në fshatin e lindjes në Levan por në mbarë krahinën e Krahësit këndohen vargjet e këngës së virtuozit Shyqyri Hysi: “Më 19 prill, ç’e preu këngën bilbili. E pushova se mbaj zi,/O Mirjan Hoxha për Ti,/Lajm i rëndë në Levan shkoi,/Derë më derë minxira shkoj,/Nënë Shahinaj me derte,/Një mal gjëme mban mbi vete!,/Xha Dinua soj Petrit,/Me gjithë shoqërinë e priti,/Bir në parajsë tek shkove,/Ditën e hasmit kërkoje,/Se s’ishte hasëm për ne,/Por për komb dhe për Atdhe,/U këput e re si yll,/Ushtaraku (polici) në detyrë,/Refreni: “Ç pate dorë e keqe ç pate, tek ambasada polake,/I more jetën Mirjanit, për t’i vënë zjarrin vatanit!”. Një krijim që godet emocionalisht dhe kërkon ndërgjegjësim mbarë shoqëror nga shumë struktura dhe organizata. Ligjërisht bazuar në kriteret ligjore në zbatim të ligjit nr. 109/2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në nenin 5, “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i atdheut”, pika “j” thotë: shpallen Dëshmorë të Atdheut, “shtetasit shqiptarë, të cilët vriten nga elementë kriminalë për shkak të detyrës shtetërore që kanë kryer, në luftë kundër krimit dhe përpjekjeve për vendosjen e rendit dhe të qetësisë publike”. Kështu që nisur nga të dhënat e vrasjes në krye të detyrës në përpjekjeve për vendosjen e rendit dhe të qetësisë publike ish-policit Mirjan Hoxha meriton plotësisht që t’i jepet statusi “Dëshmor i atdheut” nga strukturat përgjegjëse të shtetit, nga Komisioni Qendror i statusit “Dëshmor i Atdheut”, që funksionon pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Pas dhënies së këtij statusi gjithashtu bazuar në ligj eshtrat e dëshmorit Mirjan Hoxha nuk mund të prehen më në varrezat publike të fshatit të tij të lindjes në Levan por në varrezat e dëshmorëve të Tepelenës, ku do të qëndrojë përjetësisht krahas dëshmorëve të tjerë të atdheut, me mbishkrimin Mirjan Hoxha dëshmor i Atdheut, rënë për rend, qetësi e shtet të sigurt e demokratik.

Kontrolloni gjithashtu

Dy vëllezër martirë të lirisë: Adem Avdyl Gashi dhe Xhafer Avdyl Gashi

Dy vëllezër martirë të lirisë: Adem Avdyl Gashi dhe Xhafer Avdyl Gashi

Adem Avdyl Gashi ( 12. 2. 1946 – 30. 4. 1999) Adem Avdyl Gashi u …