Kumtesë e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit

Çështja e përcaktimit të kufijve është kusht i shtetësisë sipas të drejtës ndërkombëtare. Debati i ngritur së fundi rreth kufijve të Kosovës, është një temë me të cilën as nuk duhet të bëhet politikë ditore dhe as nuk mund të dëshmohet patriotizëm, sepse kjo çështje është e mbështetur mbi bazën e dokumentacionit të ofruar nga të dy shtetet. Siç dihet, territori i përkufizuar qartë, është kriter të cilin Kosova e plotëson sipas kriterit të ndarjes nga ish RSFJ, ashtu që kufi pranohet kufiri i Kosovës me 31 Dhjetor 1988, që është i njëjtë me kufirin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) edhe në vitin 1974, sipas së cilës, kufijtë administrativ brenda RSFJ janë shndërruar në kufij ndërkombëtarë.

 

 

Vija përkufizuese në hartën topografike do të jetë valide për kufirin, nëse ajo është matur në terren apo nëse ajo vijë është e shoqëruar me dokumentacionin përkatës dhe nëse është në pajtueshmëri me hartat e shkallës së madhe që e mbulojnë secilin shtet. Republika e Kosovës i ka hartat për territorin e vet në shkallë 1:2500 me përditësime përkatëse nga Komunat. Kadastri bënë regjistrimin e vijave administrative dhe pronave për territorin shtetëror. Në bazë të kufijve të përcaktuar nga shteti, në rastin e Kosovës është vija administrative me bazën ligjore e hartografike të territorit të saj, por edhe të Malit të Zi, nga ish RSF e Jugosllavisë. Institucionet përkatëse kanë bërë matjet gjeodezike, kadastrale të mbështetura në bazën ligjore për të krijuar bazën e të dhënave ligjore, teknike dhe hartografike për territorin e shtetit.

 

Republika e Kosovës në gjithë territorin e vet i ka 38 komuna dhe 1305 zona kadastrale. Shuma e sipërfaqeve të territorit të komunave e formon territorin e shtetit. Prej tyre katër komuna Juniku, Deçani, Peja dhe Istogu e prekin Malin e Zi në vijën kufitare me 18 zona kadastrale. Ndërsa nga Mali i Zi janë tri komuna që me zonat e tyre kadastrale e prekin vijën kufitare me Kosovën. Për të gjitha këto komuna në të dy anët e kufirit, janë në dispozicion matjet kadastrale, baza ligjore, dokumentacioni teknik dhe hartografik. Prandaj aty ku përfundon territori i komunës nga Kosova fillon territori i komunës nga Mali i Zi.

 

Kërkesat e Kosovarëve për pronat e tyre në Mal të Zi qe i kishin dhe i kanë përtej kufiri

 

(Lista të nënshkruara dhe të arkivuara)

 

Kufiri i Republikës se Kosovës është i shënuar nga vija administrative e KSA të Kosovës e bazuar në dokumentacionin relevant nga Kosova dhe Mali i Zi. Kjo vijë atëherë dhe tani është e regjistruar në dokumentacionin ligjor hartografik dhe teknik. Komisioni u është mirënjohës edhe qytetareve të brezit kufitar që tregonin për këtë vijë kufitare që u shënua, duke ofruar përshkrimin e pikave gjeodezike nga të cilat është matur në terren, pika që ata i quanin “qynka”.

 

Prandaj qytetarët duke e ditur për pronat e tyre apo shfrytëzimin e kullosave që i kishin më herët dhe që edhe tani i kanë atje d.m.th. në territorin e Malit të Zi, kanë kryer trashëgimi si për rastin në Bjelluhë-zona kadastrale Velikë, dhe në zonat tjera në Plavë apo në Berane e Rozhaj të Malit të Zi.

 

Gjithsejtë, 147 pronarë dhe mbi 10 fshatra me kërkesa të drejtuara në Rozhajë, Berane dhe Plavë kanë realizuar pronat apo shfrytëzimin e kullosave në Mal të Zi, të cilat janë nën Çakor apo në drejtim të Kullës duke pohuar (pronarët) se gjithnjë këto prona apo kullosa i kishin të regjistruara në Mal të Zi e jo në Kosovë.

 

Për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale, Lista me emra, adresa dhe detajet personale nuk i është bashkëngjitur kësaj shkrese. E njejta është e arkivuar në Sekretarinë e Komisionit, dhe mund të ofrohet për të interesuarit.

 

Prishtinë 24.11.2015

Kontrolloni gjithashtu

Netanyahu: Nuk mund të ketë armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës pa u shfarosur Hamasi

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se nuk mund të ketë armëpushim të përhershëm …