Kur shajnë dhe fyejnë “botasotistët”

 


Zija 15 ditë për kryetarin Ibrahim Rugova ka nxjerrë në sipërfaqe jo vetëm mospajtimet dhe divergjencat, por edhe armiqësitë e vjetra e të reja mes grupeve dhe ithtarëve të botëkuptimeve të ndryshme politike dhe ideologjike.
Tashmë dihet se fillimisht ishin shpallur vetëm 5 ditë zi për kryetarin e vdekur nga kanceri, Ibrahim Rugova. Më vonë, “rugovistët”, “botasotistët”, “qikistët”, “pavarësistët” dhe “istët” e tjerë të pacifizmit antihistorik, për të përfituar favore me kryetarin e tyre të vdekur, shpallën 15 ditë zi, duke bllokuar aktivitetin kulturor, tematik e përkujtimor të mediave poltrone, gjithnjë të lakueshme e të dëgjueshme. Mirëpo, drejtuesit e mediumeve të luftës, ata të cilët mendojnë dhe veprojnë me kokat e tyre, e jo me urdhrat e cacave e të cucave, nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e manipulimeve partiake, me qëllim të mitizimit dhe krijimit të kultit të Ibrahim Rugovës, ashtu sikurse u bënë pjesë e pandershme në këtë rrugë të përkuljes shumica e mediave poltrone të vendit tonë.
Radio-“Kosova e Lirë”, Radio “Drenica” dhe Radio “Drenasi”, por edhe disa mediume të tjera të pavarura nga LDK-ja dhe nga poltronët neopacifistë të rugovizmit (tashmë të hallakatuar nga frika për shkizmën dhe katandisjen), kanë menduar kurdoherë, do të mendojnë dhe do të veprojnë për interesin e përgjithshëm të kombit, duke ruajtur dhe duke restauruar vlerat pozitive kombëtare, duke mbrojtur gjakun e derdhur për liri dhe jo duke rënë pre e makinacioneve makiaveliste të koniukturave të ndryshme të politikave ditore.
Stafi i Radios-Kosova e lirë i ka sqaruar dëgjuesve dhe opinionit përmes valëve dhe “web faqes” në internet, mënyrën e reduktimit të disa emisioneve, në rastet kur shpallet zija. Mirëpo, deri tani asnjëherë nuk është shpallur, por as është përfillur zija 15 ditëshe, sepse ky vendim ishte marrë mbi baza partiake, ka qenë një vendim politik dhe është imponuar për përfitime të caktuara politike. Me politikat e tilla Radio-Kosova e lirë as ka pasur, as do të ketë diçka të përbashkët, as i ka përfillur as do t’ i përfillë ndonjëherë vendimet e urdhrat e tyre. Ndërsa, ata që mendojnë se mund t’ i detyrojnë mediat e pavarura t’ i nënshtrohen koniukturave të caktuara politike, ata kot flasin e dërdëllisin për lirinë e shtypit, pa ditur ecencën, qëllimet dhe përmbajtjen e kësaj lirie.
Askund në botë, asnjë qytetërim utilitar botëror, nuk i detyron njerëzit të mbajnë zi dy javë, sepse paska vdekur një njeri, që ka qenë kryetar i një partie dhe ka qenë kryetar i një vendi të protektuar, pa status dhe pa institucione të vërteta ekzekutive. Janë mësuar ish komisarët titistë e rankoviqistë (tash nën rroba të pacifizmit) të denoncojnë, të bëjnë me gisht se kush e si e paska prishur zinë, se kush paska shkuar e kush nuk paska shkuar për t’ i ra në gju një njeriu, që vdiq nga kanceri, madje vdiq rehat në shtëpinë e tij, pranë familjes së tij, nën përkujdesje mjekësore dhe në moshë të pleqërisë.
Recidiv i kohës së titizmit ende është aktual në Kosovë. Ende ka komisarë të diferencimit, ende ka ndërsyerës e pizevengë të neveritshëm, që pretendojnë t’ ua imponojnë vullnetin e tyre të retarduar, vullnetin e tyre profan e pagan, atyre që mendojnë esëll, dhe gjithë atyre që nuk bëhen pre e poshtërsive dhe hipokrizisë. Të tillët, dikur në kohën e Titos, të Rankoviqit, të Milosheviqit edhe kafshonin, por tani vetëm mund të dërdëllijnë, mbase edhe të plasin nga mllefi e marazi, mund të shajnë e të çirren, por nuk mund të kafshojnë. Të tillët do të ankohen, nëpër ato që i quajnë institucione, duke denoncuar mediat, që nuk paskan mbajtur zi për presidentin, edhe pse e dinë mirëfilli, që presidenti i tyre ishte president i një partie, i postuar në postin e improvizuar të presidentit, si rezultat i pokerit politik partiak. Ai nuk ishte president i konsensusit, sikur është në Shqipëri, Alfred Mojsiu, nuk ishte kryetar i shumicës së shqiptarëve të Kosovës, shumicë kjo e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet parlamentare. Dhe për një president të tillë, të improvizuar, mbajnë zi kukullat, poltronët, haxhibabët, që futen në safin e parë të xhamisë, ndërsa i bien në gju një njeriu, kundër moralit dhe traditës së fesë, së cilës i përkasin.
Botasotistët dhe sojsorollopi i tyre, e dinë mjaft mirë se cilët janë ata individë, ato familje emblematike, ata komandantë e ushtarë të UÇK-së, ata invalidë e veteranë, që nuk kanë mbajtur kurrfarë zie për Ibrahim Ukë Rugovën. Ata e dinë mirë se edhe disa të përkulur e të përulur të tjerë, zinë e kanë mbajtur sa për sy e faqe, sepse i tillë është “morali” i tyre.
Nuk ia ka frikën Radio-Kosova e lirë partiakëve të asnjë ngjyre, as iu ka kurrfarë borxhi, atyre që quhen institucione të Kosovës, as ka marrë qoftë edhe një euro donacion nga ato institucione, përveç se ka realizuar ndonjë kontratë me leverdi të ndërsjellë, mbi principe të punës dhe interesit, kontrata të cilat edhe mund të zhvlerësohen njëanshëm, për shkak se Radio-Kosova e lirë nuk ka mbajtur zi. Dhe duke qenë të tillë, tërësisht të pavarur, të kalitur në frontet e luftës sonë heroike çlirimtare dhe fitimtare, ne as jemi përkulur as do t’iu përkulemi idhujve pa krena, sepse valët e kësaj radioje gjatë luftës janë mbrojtur me gjakun e derdhur rrëke për liri të dëshmorëve dhe sot i mbrojnë bashkëluftëtarët e tyre besnikë, në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo në trojet e atdheut. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Dëshmorët e Gradinës

Beteja e fituar te Shkëmbi i Gradinës, më 18 prill 1999 shënoi fitoren vendimtare të ruajtjes së pozicioneve të UÇK-së, në Rrafshnaltën e Drenicës

Më 18 prill të vitit 1999 në Gradinë të Rrafshnaltës së Drenicës ranë duke luftuar …