Kurti për mundësinë e rikthimit të Thaçit si president: Besojmë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se çështja e zgjedhjes së presidentit të Kosovës duhet të trajtohet si një proces politik i ndarë nga procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. I pyetur nëse do ta mbështeste mundësinë që Hashim Thaçi të rikthehej në postin e presidentit në rast të lirimit të tij, Kurti foli për besimin e tij në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe dëshirën që ata të kthehen të lirë në Kosovë. Kurti e cilësoi luftën e UÇK-së si luftë të drejtë dhe çlirimtare, duke theksuar se asnjë proces gjyqësor, qoftë në Kosovë apo jashtë saj, nuk mund ta njollosë atë. “Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës dhe organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është luftë e drejtë, çlirimtare, antikolonialiste, kundër okupatorit shekullor serb dhe nuk ka proces gjyqësor, as në vend, as jashtë tij, që mund ta njollosë UÇK-në”, tha ai. Kreu i ekzekutivit në detyrë shtoi se shpreson që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë dhe përsëriti qëndrimin se beson në pafajësinë e tyre. “Ne shpresojmë më të mirën, dëshirojmë që të na kthehen në Kosovë të lirë, besojmë në pafajësinë e tyre dhe kjo është kryesorja”, deklaroi Kurti.

Kontrolloni gjithashtu

OVL e UÇK-së

OVL e UÇK-së, kërkon që aktakuza ndaj Fatmir Shehollit të trajtohet si çështje e sigurisë kombëtare

OVL UÇK, kërkon që aktakuza ndaj Fatmir Shehollit të mos trajtohet thjesht si çështje e …