Ibrahim Kelmendi

Ibrahim Kelmendi: Hetuesit gjermanë dyshuan te Riza Salihu për vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

Veprimtari Ibrahim Kelmendi ka dhënë detaje për takimet mes Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës para atentatit të 17 janarit 1982, si dhe për hetimet gjermane lidhur me vrasjen e tyre. Duke folur në emisionin “Debat Plus”, në kuadër të ciklit “Dosjet”, Kelmendi tha se takimi ishte zhvilluar në banesën e Murat Kryeziut, ku kishin qenë të pranishëm rreth 20 persona. Kelmendi tregoi se nga tetori i vitit 1981 deri më 2 janar 1982 kishte shërbyer si ndërmjetësues mes Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës, me synimin për të tejkaluar përplasjet mes tyre. Sipas tij, marrëdhëniet mes dy veprimtarëve ishin përmirësuar gjatë një manifestimi në Esslingen, pranë Shtutgartit, në nëntor të vitit 1981. Duke folur për hetimet, Kelmendi deklaroi se vazhdon të besojë se Riza Salihu ishte autori kryesor i atentatit, duke iu referuar dyshimeve të hetuesve gjermanë. Ai tha se Salihu ishte arrestuar fillimisht pas vrasjeve dhe më pas ishte arrestuar sërish në vitin 1990, ndërsa LKA-ja e Baden-Württembergut, sipas tij, kishte vlerësuar se ai nuk kishte alibi. Kelmendi tha se ishte thirrur edhe vetë si dëshmitar në procesin gjyqësor në Shtutgart, por nuk ishte në dijeni se si kishte përfunduar procedura. Ai foli edhe për deklaratat e Suzana Gërvallës, të cilat i mohoi, duke këmbëngulur se ajo nuk kishte qenë e pranishme gjatë takimit të tij me Jusuf Gërvallën dhe Kadri Zekën. Pas atentatit, Kelmendi tha se kishte qëndruar rreth tri javë në shtëpinë e familjes Gërvalla dhe kishte marrë pjesë në organizimin e ceremonisë mortore. Duke iu referuar dosjeve, ai deklaroi se ato, sipas tij, dëshmojnë për një strukturë të ndërlikuar të Sigurimit dhe për pretendime mbi bashkëpunime me shërbimet jugosllave.

Kontrolloni gjithashtu

OVL e UÇK-së

OVL e UÇK-së, kërkon që aktakuza ndaj Fatmir Shehollit të trajtohet si çështje e sigurisë kombëtare

OVL UÇK, kërkon që aktakuza ndaj Fatmir Shehollit të mos trajtohet thjesht si çështje e …