Komiteti për Politikë dhe Financa mban mbledhjen e rregullt

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) i Kuvendit të Komunës së Ferizajt ka mbajtur mbledhjen e rregullt, ku janë shqyrtuar disa pika të rendit të ditës dhe janë zhvilluar diskutime lidhur me çështje të rëndësishme për komunën.

Mbledhjen e ka hapur Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi. Në mbledhje kanë marrë pjesë anëtarët e KPF-së, si dhe drejtorë të drejtorive komunale.

Gjatë mbledhjes, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Dr. Kemajl Emini, ka paraqitur propozim-vendimin për miratimin e Planit Komunal të Ferizajt për Riintegrimin e Qëndrueshëm të Personave të Riatdhesuar dhe Integrimin e të Huajve për periudhën 2026–2028.

Ndërkaq, drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Gazmend Bytyçi, ka paraqitur propozim-vendimin për miratimin e plotësim-ndryshimit të Statutit të Teatrit të Qytetit “Adriana Abdullahu”.

Në këtë mbledhje, drejtoresha e Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Festina Sadiku, ka paraqitur propozim-vendimin për këmbimin e ngastrave kadastrale 2435-1 dhe 2435-2, në Z.K. Ferizaj, prona private, me pjesën e ngastrës kadastrale 180-10, në Z.K. Talinoc i Jerlive, pronë e Komunës së Ferizajt. Për këtë pikë pati diskutime të shumta, ndërsa u bë e ditur se diskutimi më i gjerë për këtë çështje do të zhvillohet në mbledhjen e Kuvendit të Komunës.

Po ashtu, drejtoresha Sadiku ka paraqitur propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pjesëve të ngastrave kadastrale 380-0, Z.K. Talinoc i Muhaxherëve; 651-0, Z.K. Rahovicë; 3485-9 dhe 3485-1, Z.K. Jezerc; si dhe 321-0, Z.K. Nerodime e Poshtme.

Në rend të ditës ishte edhe propozim-vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm të pjesëve të ngastrave kadastrale 551-0, 552-0, 553-0, 554-0 dhe 555-0, në Z.K. Ferizaj, pronë e P.SH. “Plantacioni i Pemëve”, si dhe ngastra 556-0, në Z.K. Ferizaj, pronë e P.SH. “Ekonomia Pyjore”.

Në fund të mbledhjes, drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, ka dhënë një informatë lidhur me përgatitjet dhe fillimin e vitit të ri shkollor 2026–2027.

Mbledhja e Kuvendit të Komunës do të mbahet me datën 31 gusht nga ora 10:00.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Rama: Çështjes së Pastrimit po i japim zgjidhje përfundimisht

Kryetari i komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama bashkë me nënkryetaren e komunës, Besianë Musmurati …