Kush kundërshton krijimin e dy shteteve shqiptare në Ballkan?

Bisedimet e para zyrtare në mes grupit negociator të Prishtinës dhe Beogradit tashmë kanë ndodhur, ndërsa divergjencat dhe mospajtimet e të dyja palëve, lidhur me përkufizimin e statusit të Kosovës dita ditës po thellohen. Derisa ekipi negociator i Kosovës vërtitet drejt rrethit të mbyllur duke kërkuar mëvetësinë si maksimum, serbët nuk lënë gur pa lëvizur, për ta përjashtuar çdo mundësi të pavarësisë së Kosovës. Kryeministri i Serbisë, V. Koshtunica, ka deklaruar kohë më parë se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë krijimin e dy shteteve shqiptare në Ballkan. Sipas tij, të drejtën për të formuar shtetin e tyre, shqiptarët e paskan shfrytëzuar para afër 100 vitesh dhe tashmë nuk paskan të drejtë të krijojnë edhe një shtet tjetër. Koshtunica nuk komenton krijimin e disa shteteve sllave në Ballkan pas shpërbërjes së Jugosllavisë, nuk komenton as kërkesën e Malit të Zi për pavarësi, as ndarjen nga Jugosllavia të të gjitha ish republikave, sepse të gjitha këto ndarje sipas tij paskan qenë të drejta të natyrshme, të përfillura mbi parimin e vetëvendosjes, të drejta, të cilat i paskan shfrytëzuar kombet sllave, ndërsa kur është fjala për shqiptarët, këta, sipas Koshtunicës, nuk paskan të drejtë të kenë, një shtet tjetër përveç Shqipërisë.
Ky konstatim i Koshtunicës sërish na përkujton lëshimet e panatyrshme, që kanë bërë kurdoherë shumica e politikanëve tanë në dëm të interesit tonë kombëtar, ashtu sikurse politikanët aktualë, të cilët janë të gatshëm të bëjnë edhe lëshime të tjera të kësaj apo asaj natyre. Këto konstatime, që i sjellë Koshtunica, i ka pranuar edhe Salih Berisha, ndërsa i ka deklaruar haptas edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj.
Krijimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan qenka një precedent i papranueshëm për Beogradin dhe për ato qendra ndërkombëtare, të cilat e mbrojnë këtë ide të Serbisë. Kjo nuk na habit shumë sepse shqiptarët e Kosovës, as kanë pritur, as presin ndonjë të mirë nga Beogradi, por shqiptarët liridashës të Kosovës, nuk kanë pritur, që në këtë pikë të pajtohet me Beogradin qeveria e Tiranës.
Ky prononcim i Koshtunicës lë hapur opsionin e ndarjes së Kosovës, në kohën kur bashkimin e saj me Shqipërisë nuk e dëshiron Tirana zyrtare, por as Prishtina zyrtare. Dhe, përderisa politikanët tanë “largpamës” dhe të “mençur” ia kanë lidhur këmbët vetvetes, duke u treguar shumë të moderuar karshi botës, duke u treguar edhe shumë tolerantë ndaj Serbisë, për të mos bërë kërkesa maksimale, Serbia ngul këmbë në opsionet e veta, duke u thirrur në të drejtën ndërkombëtare, e cila vlen për serbët dhe për të gjithë sllavët në Ballkan, por nuk vlen për shqiptarët, shumica e të cilëve, mjerisht, si në të kaluarën ashtu edhe tani janë mësuar të pajtohen me pozitën e tyre inferiore.
Politikanët tanë nuk duan madje as të bisedojnë për ndarjen e territoreve, dhe në këtë drejtim, ata duket sikur presin gjyqin e drejtë të Solomonit, Ka kaluar afër një shekull që disa shqiptarë presin të ndahet drejtësia, sipas shembullit të profetit Solomon, por një drejtësi e tillë vazhdon të mbetet vetëm një shembull i mirë për besimtarët e devotshëm dhe për mjeranët, që e shkojnë jetën duke pritur drejtësinë imagjinare, hyjnore.
Beogradit, do të duhet t’ i bëhej e ditur me fakte relevante historike, se Kosova, si dhe të gjitha territoret ku shqiptarët përbëjnë shumicën absolute, gjithnjë kanë qenë toka shqiptare, madje kanë qenë disa fish më të gjera, sa i përket shtrirjes territoriale, por ishte pikërisht politika pro sllave e Londrës, Parisit, Romës, Berlinit, Moskës, që mundësoi krijimin e shteteve sllave, duke copëtuar pjesët historike dhe etnike të Shqipërisë. Mirëpo, edhe pse ka kaluar afër një shekull nga copëtimi i Shqipërisë, tashmë krejt logjikshëm po rikthehet çështja, të cilën bashkësia ndërkombëtare padrejtësisht e ka injoruar qysh prej vitit 1912. Tashmë ka ardhur koha dhe shqiptarët kanë treguar me rezistencën e tyre aktive se nuk do të pranojnë sërish të jenë bijtë e njerkës në tokat e tyre. Evropa duket sikur e ka kuptuar këtë më mirë se disa politikanë shqiptarë, ndërsa Beogradi mbetet për ta kuptuar dhe për ta mësuar përfundimisht se në Ballkan jetojnë afër shtatë milionë shqiptarë, dhe nuk i zë dot vetëm një shtet, dhe tash për tash nuk po kërkojnë më shumë. Tekefundit, janë vetëm gjysmë milionë pjesëtarë sllavë të Malit të Zi, të cilët kanë të përbashkët me serbët kombësinë, fenë, kulturën gjuhën, traditat dhe ja që nuk dëshirojnë ta kenë edhe më tutje Serbinë shtet të tyre, ndërsa shqiptarët me serbët kanë të përbashkët vetëm armiqësinë e tyre shumë shekullore. A.Q

Kontrolloni gjithashtu

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq  nga deklaratat e …