Lëvizja BESA: Komunikatë për zhvillimet e fundit politike në Kosovë

 Situata aktuale politike në Kosovë, përveç që paraqet shqetësim për shqiptarët e Kosovës, ajo është brengë edhe për shqiptarët të Maqedonisë, të cilët dëshirojnë që Kosova të jetë një rrëfim i suksesshëm i shtetndërtimit dhe shtyllë e rëndësishme edhe për politikëbërjen e shqiptarëve në Maqedoni. Konsiderojmë se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është një veprim që në plan afatgjatë e dëmton shtetësinë e Kosovës. Ky asociacion do të ketë pasoja serioze, aq më shumë kur dihet se baraspeshat globale kohëve të fundit rëndojnë në anën e atyre që nuk janë dëshmuar si aleatë të shqiptarëve në Kosovë. Nga ana tjetër, konsiderojmë se edhe demarkacioni me Malin e Zi mund të jetë bërë në dëm të tokave shqiptare, andaj rikujtojmë se askush nuk e ka tapinë të tregtojë me tokat shqiptare, sepse për këtë Kosovë është derdhur gjaku i shqiptarëve të të gjitha trojeve që ajo sot të jetë e lirë.

 

 Po ashtu Lëvizja BESA e gjykon edhe arrestimin e deputetëve të Kuvendin të Republikës së Kosovës, një veprim që na ka dëshpëruar të gjithëve, sepse– sido që të jetë beteja politike për mbrojtjen e shtetit të Kosovës – kjo nuk guxon të shkojë në dëm të jetës demokratike në Kosovë dhe deri në shkallë të pakthyeshme të tensionimit të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve atje. Për Lëvizjen BESA është shumë e rëndësishme të kemi pranë vetes një Kosovë stabile dhe të fuqishme, si edhe një Shqipëri që ka veshë për gjendjen tonë, ngase ne nuk duam akoma të qahemi dhe ta durojmë pozitën e të nënçmuarit në Maqedoni për shkak se Shqipëria dhe Kosova akoma nuk janë ndërgjegjësuar për të ndërtuar shtete serioze, stabile dhe të fuqishme.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …