Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka pezulluar të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të reja, pasi në selinë qendrore të partisë është dorëzuar një nismë për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe kërkesa për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit. Abdixhiku ka bërë të ditur se janë deponuar 148 nënshkrime të delegatëve, të cilat, sipas tij, janë paraverifikuar nga Sekretariati i LDK-së. Pas përfundimit të procesit të verifikimit, do të caktohen pa vonesë data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm. Sipas Abdixhikut, në rrethanat e krijuara nuk do të ishte e përgjegjshme që ai të vazhdonte negociatat në emër të LDK-së, derisa pozita e tij si kryetar është vënë në diskutim nga një pjesë e delegatëve të partisë. Ai ka bërë të ditur se ka autorizuar sekretarin e LDK-së që të nisë menjëherë procedurat për organizimin e Kuvendit, duke theksuar se nuk do t’i shmanget procesit demokratik brenda partisë. “LDK ka qenë dhe duhet të mbetet shtyllë e demokracisë, prandaj nuk do t’i shmangem asnjë procesi demokratik, nuk do ta nxjerr asnjë votë dhe nuk do ta mbaj asnjë detyrë kundër vullnetit të shumicës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
