Nënkryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, ka shpërthyer me kritika të ashpra ndaj qasjes së kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar procesin e bisedimeve për Presidentin si të pasinqertë. Sipas Hazirit, LDK-ja iu përgjigj ftesës për të diskutuar zhbllokimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit, por në vend të kësaj u përball me një ofertë për ndarje postesh në qeveri. Ai theksoi se një qasje e tillë është jashtë kontekstit, duke qenë se institucionet tashmë janë formuar. Haziri deklaroi se përpjekja për të siguruar votën e LDK-së përmes ofertave për poste ministrore përbën, sipas tij, një “blerje politike”, gjë që ka lënë një shije të hidhur te partia e tij. Ai shtoi se pas kësaj përvoje, LDK nuk do të zhvillojë më takime me kryeministrin për këtë çështje. “Jemi ftuar për të diskutuar për Presidentin, ndërkohë që qeveria është formuar, kuvendi është konstituar dhe buxheti është miratuar. Të përfundosh me ofertë për qeverisje në këtë fazë është joserioze… u ndjemë të mashtruar”, deklaroi Haziri.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
